Kosovë/ Komisioni i ri për demarkacionin prezanton nesër raportin para Komisionit për Integrime Evropiane

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi do të prezantojë nesër para Komisionit për Integrime Evropiane të gjeturat e deritanishme nga terreni rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Bulliqi dhe anëtarët tjerë të këtij komisioni ditë më parë njoftuan kryeministrin Ramush Haradinaj për punën e tyre të deritashme në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga burimet e ndryshme, nga tereni si dhe nga takimet e punës të zhvilluara gjatë javës së kaluar në Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, me qëllim të sigurimit dhe verifikimit të të dhënave faktografike, konsultimeve dhe shkëmbimeve të përvojave me zyrtarët relevantë të këtyre shteteve, raporton KP.

Komisioni për demarkacion me Malin e Zi po ashtu është shprehur disa herë se ka gjetur fakte të mjaftueshme për të dëshmuar se versioni aktual i demarkacionit është i gabuar.