“Kosovarizimi” është prodhim i sistemeve politike.

Gëzim Mekuli

Kombi shqiptar, duke jetuar i ndarë (me dhunë) në disa sisteme tw ndryshme politike, arsimore e ekonomike, pësoi edhe ndikime të ndryshme socio-kulturore. Propaganda: pra librat, filmi, media, gjuha, shkollimi, fotografia, kënga e përrallat, që vinin të dirigjuara nga elita dominuese e kohës, (otomane e sllave), bënë punën e vet dhe, ndikuan tek disa shqiptarë që jetonin në ish-Jugosllavi. Gjithsesi, tek shumica e kombit, mendimi kolektiv (identiteti) mbeti i prekur pak. Po të bëjmë një analizë shkencore (jo te porositura nga qeveria e nga OJQ-të), del se mbështetësit e kombit ideologjik “kosovar” janë kryesisht individët dhe grupet që besonin në Perandori (otomane, jugosllave, titiste e çfarëdo qofshin ato). Këta, si të ndikuar që ishin, nuk identifikoheshin me kombin shqiptar dhe me Shqipërinë (p.sh. gjatë regjistrimit të popullsisë në vitet 1970-1982 shumë shqiptarë u deklaruan si turq, serbë e malazezë. Dhe, shumë romë e ashkalinj u deklaruan edhe si shqiptarë, se edhe këta kishin komplekset e tyre, meqë ky grup ishte i nëpërkëmbur si nga “ata” e po ashtu edhe nga shqiptarët. I shtypuri të shtyp, i robëruari të robëron, thonë).

Kush ishin këta ikës? Përse kjo ikje nga vetvetja?

Sipas tyre, e jotja ishte e keqe dhe nuk kishte vlera. Ishin perandoritë që “ishin me vlera”, sepse këto ishin të fuqishme dhe rrezatonin fuqi (në aspektin sociologjik ky veprim i të robëruarve është i njohur). Edhe për “jugosllavët dhe otomanët”, kombi i tyre shqiptar nuk kishte vlera, ishte i prapambetur (as këngë, as muzikë, as edukatë e as kulturë, gjuha shqipe ishte e varfër, “nuk mund të shprehesh” me të si me serbishten dhe me turqishten, biles as film nuk kanë shqiptarët)! Këta filluan edhe të krijojnë vetë një shije të re kulturore, sociale, të të menduarit, të të folurit dhe të të jetuarit. E, si model përparimi ishin gjuhët e perandorive…. Për shembull nëse në shoqëri ishte vetëm një serb në mesin e 10 shqiptarëve, të gjithë shqiptarët flisnin serbisht! Më kujtohet shumë qartë një rast nga fëmijëria ime: ishim duke luajtur futboll në lagje: të gjithë flisnin serbisht, sepse kishim nja dy apo tre serbë në ekip. Unë, 12-vjecar, flisja vetëm shqip edhe pse e dija serbishten. Më vonë ca shokë shqiptarë filluan të më kritikonin dhe më thoshin se “dukesha” i prapambetur, jo qytetar dhe “selak” – pra katundar. Sipas tyre, unë duhej të flisja serbisht që të “dukesha” i kulturuar dhe “më qytetar”.

Po sot?

Edhe sot janë mu këta njerëz, apo të them më mirë janë këto mbeturina të pushtuesve perandorakë që po e urrejnë identitetin, nocionin, ikonën e fjalën “shqiptar” dhe “Shqipëri”. Këta njerëz edhe “nuk kanë faj”. Janë prodhim i rrethanave të dhunshme socio-politike. Soji i tyre është frikacak, janë të kompleksuar, janë me vetëdije të ulët, me pak vetëbesim dhe janë lakmitarë. Duan vëmendje dhe status të garantuar nga “dikushi” i fortë në shoqëri. (mentaliteti i të fortit). Këta, përpos që janë derivate të pushtuesve, këta janë edhe zëdhënës të tyre, historikisht. Edhe sot këta e përkrahin “kosovarizimin”, sepse kështu e thotë Amerika. Më parë këtë e thoshte Amerika e vogël, “otomanizmi” e “Jugosllavia”, e sot e thotë ajo e madhja, SHBA, sipas tyre, gjithsesi.

Pra, mbështetësit e eksperimentit “kosovar” çdo herë bëjnë një “skenim” të opinionit publik dhe nuhasin shpejtë se kush është kolonizuesi-perandori. Këta kapen pas të fortit, pas fuqisë, pas parasë e pas padronit. Po sikur SHBA dhe BE, nesër, të deklaroheshin se eksperimenti “kosovar” dështoi dhe se mbështesim bashkimin e drejtë e të natyrshëm të kombit shqiptar në një shtet demokratik e me të gjitha të drejtat për pakicat e saja në të, si do të reagonin këto mbeturina të pushtuesve e këto grupe të vogla shqiptarësh?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet