Korrupsioni në Hipoteka, pranga 4 personave, ndër ta, 3 zyrtarë

Katër persona kanë rënë në pranga në bazë të një hetimi intensiv të Prokurorisë së Tiranës, që është instaluar kësaj here te Hipoteka! Në fakt është goditur zyra e Laprakës dhe me të edhe një punonjëse policie në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Hetimi është përqendruar pas një sinjali që ka mbërritur në Prokurori e për pasojë për më shumë se një muaj me metoda speciale janë ndjekur dy persona e për pasojë është shkuar tek autorët e ngjarjes. Korrupsion pasiv e aktiv, thotë prokuroria, kanë kryer, tre nga katër personat, ndërsa sipas të dhënave krejt veprimtaria e tyre është e dokumentuar tashmë.

Zyrtarisht bëhet me dije se Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e 4 personave, tre prej të cilëve zyrtarë publikë, të dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe “korrupsionit aktiv”, për procesin e legalizimit të një ndërtimi. Në bazë të veprimeve procedurale të kryera nga Prokuroria e Tiranës, nisur nga informacioni i referuar nga Policia e Shtetit, rezulton se: Shtetasja M. Sala ka aplikuar për lejen e legalizimit të një ndërtimi pa leje, në zyrat e ALUIZNI-t, në vitin 2014. Prej asaj kohe, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin e saj. Për t’u interesuar për ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, shtetasja Klea Sala, e cila është efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative. Kjo e fundit është njohur me shtetasen Sofia Musallaj, e cila i ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentet. Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, Klea Sala dhe një punonjëseje të Hipotekës së Tiranës, Brikena Bellit. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e Kleas, ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka).

Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj tek ALUIZNI-i i Tiranës, dega e Laprakës, e konkretisht, shtetasin Marin Bezhani. Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, shtetasja Klea Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh te shefi i ALUIZNI-t për Laprakën, Marin Bezhani. Shuma e parave, në formë ryshfeti, është dorëzuar nga shtetasja Klea Sala tek punonjësja e Hipotekës, Brikena Belli, ditën e diel më datë 12.11.2017. Shtetasja Brikena Belli është takuar pasdite me shtetasin Marin Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave. Në vijim të kësaj “pagese”, dje aplikuesja Klea Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014. Prokuroria e Tiranës ka qenë në ndjekje dinamike të kësaj situate dhe, pasditen e djeshme ka kryer ndalimet e shtetasve, si më poshtë: Klea Sala, punonjëse policie (aplikante), Brikena Belli, punonjëse e ZVRPP (Hipoteka) Tiranë, Marin Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë dhe Sofia Musallaj, zyrtare e Hipotekës së Tiranës.

Të tjera

Abissnet