Koritari: “Onufri Re-Made”, një skenë arti pa urdhra nga lart

Foto 1 nga 5 Pas Para

Kuratori Elton Koritari rrëfen “Onufri Re-Made”. Ai bën gjithashtu një analizë të hapësirave publike të artit; Muzeu Historik i kthyer në një ambient me pagesë dhe politikat e GKA-së, si një rebus i madh kafkian

Anila Dedaj

Pas një prezantimi dinjitoz të Shqipërisë në Ekspozitën e 16-të të Arkitekturës në Bienalen e Venecias me “Hapësira zero”, kuratori Elton Koritari vijon misionin e tij, krijimin e hapësirave për artistët dhe artin pamor. Në një kohë që në prag të Krishtlindjeve të vitit që lamë pas, Galeria Kombëtare e Arteve njoftonte përmes një komunikate për shtyp vendimin për mbylljen e Ekspozitës “Onufri”, siç kuratori tregon për “Shekullin”, projekti Onufri Re-Made ishte i miratuar prej mëse një muaji pranë galerisë homologe në Prishtinë. “Kishim aplikuar në kuadër të Thirrjes për Projekte për vitin 2019. GKA në Prishtinë, nga ku drejtori aktual vjen në detyrë, operon me programe dhe thirrje vjetore, me bord dhe projekte, duke menaxhuar madje edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venecias”, shprehet ai. Kuratori tregon se ky projekt synon tranzitimin përfundimtar të “Onufrit” nga pushteti tek artistët. “Onufri Re-Made” është një shembull i mirë dhe një shpresë për t’i bërë menaxhuesit e publikes së artit në Shqipëri të kuptojnë, se me gjithë limitet e tyre etike dhe morale, kanë në dorë të bëjnë ndryshimin. Ose le të hapin rrugën”, thekson ai.

Elton, në dhjetor të vitit të kaluar Ministria e Kulturës në Tiranë vendosi që “Onufri”  të mbyllej përfundimisht. Një vendim me të cilin mesa duket ju nuk ishit dakord dhe vendosët, që të aplikoni në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Si lindi kjo iniciativë?

Në fakt lajmi zyrtar për mbylljen e “Onufrit” erdhi nga Galeria Kombëtare e Arteve, edhe pse është e qartë se ajo komunikatë shtypi nuk mund të dilte thjesht nga një vendim i brendshëm i bordit apo drejtuesve të GKA-së. Ishte si të thuash akti i fundit i një teatri, i cili kishte filluar të plotësonte të gjitha karakteristikat e një tragjikomedie; duke filluar nga shtresëzimet e përziera të personazheve, duke vazhduar me monologët e kompleksuar të “aristokracisë” së artit shqiptar shoqëruar nga thashethemnaja butaforike “popullore”, pra mister, tension dhe humor, deri tek fundi aspak tragjik, por edhe jo shumë zbavitës i kësaj drame të farsur dhe aspak të nevojshme për t’ju shtuar skenës së varfër të artit në vend. Përsa më përket, nuk është se nuk e prisja atë lajm, ai prag Krishtlindjesh e gjente projektin “Onufri Re-Made” të miratuar prej mëse një muaji pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke qenë se ndërkohë kishim aplikuar në kuadër të Thirrjes për Projekte për vitin 2019. Që nuk do të organizohej më “Onufri” ishte në ajër prej kohësh, të paktën prej pranverës së kaluar kur mungoi thirrja për projektin kuratorial. Pastaj, si çdo gjë tjetër në Shqipëri, edhe diçka kaq e rëndësishme siç është i vetmi konkurs i artit bashkëkohor në vend, kthehet në objekt thashethemesh dhe hamendjesh dhe përfundon të zgjidhet nga prirje personale.

Në fund të fundit, rasti i “Onufrit” nuk është asgjë tjetër përveçse shprehi e asaj çfarë është kthyer tashmë në një gangrenë; mungesa e seriozitetit dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe homologimi i tejskajshëm i sjelljes arrogante të pushtetit, i çfarëdolloj forme apo niveli si edhe i çfarëdolloj kohe apo spektri. Përsa i përket iniciativës tonë, unë personalisht mendoj se në çdo konditë të mundshme, sado ekstreme, artisti duhet të bëjë artistin, kuratori duhet të bëjë kuratorin dhe kështu me radhë. Do të ishte ideale madje nëse politikani të bënte politikanin, drejtori të bënte drejtorin etj. Por nuk është kusht i domosdoshëm, të paktën jo për mua. Unë menaxhoj projekte arti, puna ime është pikërisht të gjej apo krijoj hapësirë për artistët dhe artin. E kam përmendur edhe në projekt, historia e Çmimit “Onufri” dhe rëndësia e tij për artin shqiptar, nuk mund të kalojë me një mospërfillje të thjeshtë dhe askush tjetër përveç artistëve shqiptarë nuk është zot apo pronar i “Onufrit”. Personalisht uroj që projekti ynë të ndihmojë në tranzitimin përfundimtar të “Onufrit” nga pushteti tek artistët dhe natyrisht ta rikthejë atë në skenë me një mision, që nuk “përmbushet” më thjesht me urdhra nga lart.

Ndryshe nga ish-ministrja e kulturës apo bordi i GKA-së në Tiranë që ishin kundër vazhdimit të saj. Ju përse mendoni se ekspozita ndërkombëtare “Onufri” duhet që të vijojë?

“Onufri Re-Made” tenton të krijojë një mekanizëm nëpërmjet të cilit të hapen gjithnjë e më shumë iniciativa nga poshtë, duke lejuar shprehjen e lirë të krijimtarisë, pa pengesë, kufizim apo manipulim nga sistemi i cili menaxhon hapësirat në dispozicion të artit në Shqipëri. Besoj do të mjaftonte kjo pjesë e shkëputur nga statuti i projektit për të mbyllur çdo diskutim të mëtejshëm mbi vijueshmërinë e tij. Gjithsesi do të ndalem edhe pak tek kjo pyetje për t’u thelluar në një aspekt tjetër. Ministri, anëtarët e bordit, drejtori i Galerisë apo edhe vetë Kryeministri, si kushdo tjetër kanë të gjithë të drejtën e botës të mendojnë si të duan dhe ta shprehin mendimin e tyre lirshëm, siç edhe e kanë bërë përherë, pa i ndaluar kush. Kjo nuk do të thotë se ndërkohë, kur janë në detyrë, mund të veprojnë arbitrarisht pa marrë fare në konsideratë konditat dhe kërkesat e aktorëve të lojës, si edhe pa shprehur një vizion të qartë për të ardhmen e një programi.

Nuk mund t’i largohen kësaj përgjegjësie dhe në rastin e “Onufrit”, kushdo qoftë që ka marrë përsipër mbylljen e tij, ashtu sikur kujtoj pak vite më parë u mbyll edhe Konkursi “Marubi”, apo Qendra e Realizimit të Veprave të Artit etj., ka marrë përsipër një zgjidhje pa asnjë alternativë dhe pa asnjë arsye të logjikshme. Them të logjikshme, sepse alibi si; cilësia e dobët e disa edicioneve, përmbushja e misionit etj., ofendojnë inteligjencën e kujtdo ka kohë të humbasë me ato fjalë. Nuk ka një alternativë për artin bashkëkohor në Shqipëri, nuk gjej absolutisht asnjë arsye të logjikshme që një artist në Shqipëri të krijojë art jashtë atij pak të konsumuar nga tregu. Sidoqoftë ky treg, nuk e lejon artistin të  bëjë kërkim, të eksperimentojë, të punojë për të treguar kompleksitetin dhe problematikat e së tashmes, apo të analizojë dhe bëjë kritikë mbi të kaluarën.

Më tej, banalisht nuk krijon as mekanizmat më primitive që punën, veprën e artistit ta kthejë në vepër arti. Sidomos kur bëhet fjalë për artistë që tashmë e kanë braktisur artin modern për t’ju afruar atij bashkëkohor dhe artistë që kërkojnë të punojnë me mediume jo tradicionale dhe aq më tepër të kenë prirje drejt konceptuales. “Onufri” ishte pak oksigjen, i pamjaftueshëm, me shumë defekte natyrisht, por ishte pak oksigjen në këtë asfiksim total në të cilin ndodhemi sot. Shto këtu që vetë politika, edhe thjesht për natyrën e saj invazive në jetën publike dhe mjetet që disponon, ka në dorë aktivitetin e një sërë artistësh. Jetojmë prej pothuaj përgjithmonë në periudha pasigurie dhe skepticizmi, ndër problemet që duhet të analizojë arti sot është fakti që politika prej kohesh ka qenë dhe mbetet propozimi i vetëm i zgjidhjes, nga ana tjetër ky është paradoksi në të cilin ndodhemi; me gjithë limitet morale apo etike të politikës shqiptare, mundësitë për të përmbushur aspiratat apo shpresat tona, janë në dorë të realizohen pikërisht vetëm nga politika. Po të isha ministri apo kryeministri i këtij vendi, do të reflektoja mbi këtë gjë më shumë sesa te sforcohesha të krijoja përherë një opinion të pranueshëm nga publiku mbi çdo temë të mundshme që ka të bëjë sidomos me diçka kaq delikate. Në këtë periudhë kaq deficitare në norma etike, opinioni i politikës, por guxoj të them edhe i publikut, është problemi i fundit që ka arti bashkëkohor shqiptar.

Çfarë risish do të sillni edhe cilat do të jetë tema apo temat, që mund të trajtohen këtë vit?

Së bashku me Ardian Isufin, me të cilin kemi krijuar dhe po implementojmë këtë projekt, po punojmë të ndërtojmë një hapësirë alternative të artit bashkëkohor dhe më konkretisht një projekt i cili heton gjendjen e artit shqiptar dhe dialogun mes artistëve dhe sistemit global të artit. Ekspozita është një ftesë për një angazhim në kërkimin e normalizimit të një marrëdhënie të vërtetë midis artistëve, shoqërisë dhe organizmave kontrollues dhe menaxhues të artit në vend, publike apo private. Kjo, gjithmonë duke i konsideruar artistët dhe veprën e tyre, jo si një prani margjinale ose dekorative në shoqërinë e sotme, por përkundrazi, si aktorët kryesorë në zgjedhjet që kanë të bëjnë me to, qofshin ato të përhershme apo të përkohshme, radikale apo të pjesshme, subversive apo reformiste.

Është e rëndësishme të nënvizohet sërish se ekspozita në vetvete shërben si një katalizator debati mbi mungesat emergjente dhe sistematike në artin pamor shqiptar dhe një rast i rrallë pikëtakimi midis artistëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Gjej rastin këtu ta falënderoj Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës së Kosovës. “Onufri Re-Made” është një projekt në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, si të thuash përgjigja shqiptare e ekspozitës së artistit Sokol Beqiri në GKA. Ka kërkuar jo pak hapje mendjeje dhe guxim nga ana e tyre të pranojnë këtë projekt dhe ju siguroj se do të jetë një bobël e fuqishme oksigjeni në aktivizimin e artistëve shqiptarë, të veçuar ose kolektiv, ndërmjet konceptit të “kontestimit dhe vetëdijesimit” (siç do e thoshte më mire se unë Ardian Isufi), për fenomene akute sociale, shoqërore, politike etj. E gjithë kjo nëpërmjet artit bashkëkohor.

Po përsa u përket artistëve, kush mund të bëhet pjesë e saj edhe si, do të bëhet përzgjedhja e tyre?

Do të ketë një thirrje publike për artistët pjesëmarrës por edhe për Bordin e Jurisë. Numri i artistëve pjesëmarrës në ekspozitë do të jetë 10 deri në 15. Koha nga 1 deri në 3 muaj do t’i vihet në dispozicion çdo artisti për të realizuar, përfunduar apo dorëzuar veprën e tij e cila e instaluar do të jetë site specifik brenda hapësirave të GKK apo ne evente paralele. Mund të paraqiten me pikturë, fotografi, skulpturë, video, instalacione, multimedia, performance etj. Theksoj edhe se artistët pjesëmarrës do të trajtohen financiarisht dhe do ju mbulohen shpenzimet për veprën e tyre, brenda mundësive. Asnjë vullnetarizëm kur vjen puna tek veprat e artit, në të kundërt i ftoj të gjithë ata që duan apo mund të kontribuojnë në çfarëdolloj mënyre të na bashkohen. Siç e kemi shprehur edhe në projekt dhe siç lexohet lehtë edhe nga titulli, “vjedhur” Marcel Duchamp, kjo ekspozitë kërkon të evokojë një spostim të masës kritike në favor të artistëve, duke i vendosur ata në një pozicion ambivalent: është koha për të dalë nga rreshtat, është koha për të bërë zhurmë, për të bezdisur, për të reflektuar, për të dialoguar, për të krijuar hapësirë, për të zaptuar. Është koha të paktën për të tentuar. Çdo artist që do ta bëjë këtë është mëse i mirëpritur.

Fillimisht “Onufri” ka lindur si një ekspozitë në të cilën mund të merrnin pjesë artistë nga mbarë vendi. Më pas u tentua që të ishte ndërkombëtare, e që sërish u kontestua nga artistët vendas për shkak se i largohej idesë fillestare. A mund të dimë se cilat janë pritshmëritë nga ky “Onufër”. Vëmendja do të jetë vetëm tek artistët e rinj apo do të ketë edhe një shtrirje tek artistët e traditës?

Jo, në konceptin tonë ajo është një ekspozitë kombëtare, nga artistë shqiptarë apo maksimalisht të huaj që punojnë prej kohësh në Shqipëri. Synon të jetë kontekstuale, por edhe të mos gënjejë veten dhe publikun me klishe emancipimi dhe edukimi. Ajo kohë tashmë është mëse e tejkaluar jo vetëm për artistët, por edhe për publikun shqiptar. Urojmë që edhe në vazhdimësi “Onufri” të mbajë këtë linjë, të hetojë dhe dialogojë me kontekstin shqiptar aq më tepër që hapësira për artistët dhe kuratorët e huaj është mëse e bollshme në vend, madje më shumë se “oferta” për artistët vendas. Kjo është universale, vlen përtej artit pamor, mund ta shohim edhe tek urbanistika, arkitektura, ekonomia, trashëgimia etj. Ashtu si për punën time të fundit, Pavijonin Shqiptar në Ekspozitën e 16-të të Arkitekturës në Bienalen e Venecias vitin e shkuar, dua të hetoj antitrupat që krijon shoqëria shqiptare ndaj problematikave të proceseve të globalizimit, pa asnjë lloj kompleksiteti apo edhe nacionalizmi të sëmurë. Për mua ka rëndësi relative edhe pjesëmarrja e emrave të veçantë, rëndësi ka që publiku përtej tematikave që përmendëm më lart të krijojë edhe një ide konkrete të çastësisë së artit bashkëkohor shqiptar.

Si kurator,  cili është vlerësimi juaj për skenën e arteve pamore në Shqipëri? 

Në parathënien e “Imago Mundi Knots – 163 Contemporary Artists from Albania”, para 3 vitesh pata shkruar një frazë, e cila bëhet përditë e më aktuale: – “Nuk është e lehtë të jesh artist, kudo nëpër botë, por në Shqipëri sot kjo gjë është pothuajse e pamundur”. Cinizmi i pushteteve ndaj arteve, por sidomos ndaj arteve pamore në Shqipëri, arrin kulmin pikërisht me hapësirat sterile pa asnjë lloj programi apo ambienti të shëndoshë në mbështetje të artit, duke krijuar për publikun alibinë e mungesës së artistëve. Theksoj se kjo është absolutisht e pavërtetë, skena e artit në Shqipëri është krejt ndryshe nga sa perceptohet prej medias apo publikut. Po marr një shembull programi, plot 150 projekte të përvitshme të financuara nga Ministria e Kulturës janë një program i mirë por absolutisht i pamjaftueshëm për të qenë i vetmi program arti në vend i mbështetur nga shteti.

Qoftë edhe për buxhetet tepër të vogla që i akordohen çdo projekti, apo për faktin se janë projekte për të cilat vendosin vetëm struktura të Ministrisë dhe nuk diskutohen nga kritikë, kuratorë apo njerëz të botës së artit jashtë strukturave shtetërore. Ka artistë shqiptarë të cilët nuk kanë ekspozuar pothuaj asnjëherë në Shqipëri, jo sepse nuk punojnë, apo sepse vepra e tyre nuk është cilësore, përkundrazi. Thjesht, sepse në vend mungon çdo lloj strukture publike në mbështetje të artit bashkëkohor. Artistët janë të lodhur duke vetëfinancuar punën e tyre dhe nga ana tjetër publiku mungon, sepse ajo që shfaqet është bërë tashmë bajate. Shikoni fotografitë e 6/7 eventeve në Facebook; do dalloni po të njëjtët persona që vijnë vërdallë rreth ekspozitave dhe që më së shumti janë “konsumues”, por edhe “prodhues” të një pjese të mirë të projekteve të artit. Kjo vlen edhe për një pjesë të mirë të eventeve të komisionuara nga organizata të huaja apo OJF, panorama është e njëjtë për pjesën më të madhe të tyre. Disi më ndryshe galeritë private, por për natyrën e tyre, brishtësinë e ekonomisë shqiptare, mungesën e tregut të artit bashkëkohor dhe mungesën e mekanizmave mecenatiste të konsoliduar, nga ato nuk pritet gjithsesi të bëjnë më shumë.

Mendoni se hapësirat ekspozuese janë të mjaftueshme?

Vazhdoj ta them, është çështje mungesash më të thella sesa hapësinore. Hapësira krijohet nëse krijohen konditat e tjera. Është edhe çështje cilësie, mungese projektesh me të vërtetë të arrira, ajo çka krijon iluzionin e një vakumi. Jo se hapësirat janë me tepri, përkundrazi. Për shembull mungon një galeri e qytetit të Tiranës apo një galeri e mirëfilltë për të rinj, mungojnë muzetë dhe galeritë tematike të artit pamor, mungojnë hapësira që të konceptohen si një Kunsthalle, shtëpi ekspozitash, pra pa një arkiv apo fond, por më tepër me natyrë eksperimentale dhe me një ent serioz mbas shpine, publike apo private. GKA është tashmë diçka e papërcaktuar mirë, ku edhe institucioni komunikon sikur nuk i do më artistët vendas por edhe artistët vendas tashmë i kanë vënë vizën. Muzeu Kombëtar jep përshtypjen e një ambienti ku mjafton të paguash.

Për COD më mirë  të mos komentojmë se është si të qëllosh mbi Kryqin e Kuq, ndërsa Galeria FAB tenton disi të mbushë këtë boshllëk por edhe ajo e ka të pamundur, sepse gjithsesi ngelet një hapësirë në dispozicion primar të programeve të UA. Unë këto di, nëse më ka shpëtuar ndonjë gjithsesi nuk e ndryshon shumë situatën. Gjithsesi personalisht do të preferoja të shtoheshin programet dhe fondet në dispozicion të artistëve, sesa të shtohen hapësira sterile dhe pa asnjë mbështetje institucionale. Lashë pa përmendur galeritë private, që gjithsesi janë shumë pak dhe janë të vogla si hapësirë, përveçse zakonisht të mbështetura thjesht nga koleksionistë, apo edhe nëse jo, nuk marrin dot përsipër të rrezikojnë duke shfaqur art të vërtetë bashkëkohor. Në fund të fundit nuk është roli i tyre. Këtë rol e drejton publikja, kudo nëpër bote. S’ka sesi të jetë ndryshe në Shqipëri.

Po sa i përket menaxhimit të Galerisë Kombëtare, në të cilën prej dy vitesh realizohen vetëm nga tri ekspozita në vit. Çfarë mendoni?

Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion hibrid, prej dekadash i është dashur të mbajë edhe rolin e Muzeut të Arteve Pamore, edhe rolin e mirëfilltë të galerisë së artit. Kjo është mëse e qartë, nuk ka nevojë të nënvizohet dhe përmendet kaq shpesh sa po përmendet këtë periudhë. Jemi vonë për të hapur Muze të Arteve Pamore, e dimë këtë gjë, madje duhen hapur më shumë se një, duhet të jenë tematike. Gjithsesi jemi në konditat, kur nuk kemi luksin të mbyllim një funksion në kurriz të tjetrit, aq më tepër kur shihet qartë se nuk ka asnjë vizion apo plan të qartë për ndërtimin e një muzeu, i cili do ta lehtësonte disi Galerinë nga pesha e Fondit por nga ana tjetër do të kërkonte një menaxhim me një model krejtësisht të kundërt nga sa po punohet, pra me fokus drejt eksperimentimit.

Shkololli mesa kërkon të tregoje, operon me logjikën e një “ëhitte cube” perfekte, por GKA është gjithçka tjetër përveçse thjesht një “ndërtesë ekspozitash”. Në këtë prizëm, ideja që kërkohet të transmetohet në publik si rritje e cilësisë nëpërmjet limitimit të ekspozitave është të paktën qesharake, por do guxoja edhe dashakeqe, sepse për artistët shqiptarë përtej GKA nuk ka asnjë alternativë tjetër serioze apo të synuar, për t’u kthyer tek diskutimi i mëparshëm. Nëse analizojmë më thellë, deri tani janë ekspozuar dhe janë në program artistë të mirë. Kjo është e vërtetë, por nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme, apo që të paktën nuk ka qenë ekspozuar më parë. Asgjë që është ekspozuar deri tani nuk justifikon 5 muaj bllokim të sallave për çdo ekspozitë. Përmenda termin salla dhe jo galeri, sepse nuk është akoma muzeu i arteve te bukura, një muze nuk bëhet vetëm me vendime parlamenti. GKA ka ambiente, ka staf, ka fonde, nëse nuk i mjaftojnë, le të kërkojë ndihmë, le të ngrenë programe, rezidenca, të bëjnë ‘foundraising’, pse jo të fillojnë të monetizojnë fondin, të shkëmbejnë, ta xhirojnë atë me inteligjencë.

Të gjithë ne punojmë dhe ndërtojmë projekte me buxhete të vogla dhe me shumë vullnetarizëm, s’ka përse GKA të jetë ndryshe. Pra nuk ka alibi nëse dy menaxhime të ndryshme të të njëjtit fond dhe me resurse të ngjashme japin rezultate në cilësi dhe sasi të ndryshme. Më tej GKA ka për detyrë të ndërtojë thirrje për projekte dhe jo vetëm për artistë apo kuratorë, por edhe për botime dhe kërkim shkencor ashtu sikur të deklarojë politikat dhe programet në kohe, jo si programi/kalendar i këtij viti që u publikua para 2 javësh. Transparencë, komunikim, hapje dhe dialog me artistët vendas do ta ndihmonin këtë institucion të kalonte këtë fazë, por ndodh pikërisht e kundërta. Problem tjetër i dukshëm i GKA është menaxhimi i fondit, pothuaj i panjohur, jo vetëm për publikun, por edhe për specialistët e fushës. Politikat e shtimit të tij, rikonceptimi i linjave muzeale, të gjitha këto një rebus i madh kafkian.  Hermetizimi që rrethon këtë institucion është në kufijtë e absurdit, nuk di si mund të ndërtohet më pas një muze arti mbi bazën e fondit të GKA pa e filluar me transparencë dhe dialog të hapur. Gjithsesi, për ta mbyllur pozitivisht, homologia e GKA në Prishtinë, nga ku drejtori aktual vjen në detyrë, operon me programe dhe thirrje vjetore, me bord dhe projekte duke menaxhuar madje edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venecias. “Onufri Re-Made” është një shembull i mirë dhe një shpresë për ti bërë menaxhuesit e publikes së artit në Shqipëri të kuptojnë se me gjithë limitet e tyre etike dhe morale, kanë në dorë të bëjnë ndryshimin. Ose le të hapin rrugën.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet