Koncesionet e rrugëve kalojnë nga parlamenti

Kontratat koncesionare të projekteve rrugore për privatët, jo më direkt nga Qeveria. Në sitën e ndryshimit edhe dy projektet e paketës 1 miliard dollarë, Milot Balldren dhe Orikum-Dukat. Propozimi nga Ministria e Infrastrukturës

Neritan Gjergo

Kontratat koncesionare për ndërtimin e rrugëve, tanimë do të miratohen nga Kuvendi, dhe jo nga Qeveria. Përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare, ky ndryshim i hap rrugë votimit ose jo në parlament një Partneriteti Publik Privat. Propozimi është bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila në këtë mënyre ka mbështetur propozimin e mëhershëm të LSI-së, por në ndryshim nga kjo e fundit e cila kërkonte që nga parlamenti të kalonin koncesionet e të gjitha fushave, vendimi është kufizuar vetëm në kontratat e ndërtimit të rrugëve. Konkretisht, vendimi përcakton se: “Kontrata e koncesionit/PPP do të hyjë në fuqi pas miratimit me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë”.  Me këtë ndryshim, kontratat e negociuara nga qeveria do të kalojnë fillimisht për diskutim në komisionet parlamentare dhe më pas do t’i nënshtrohen votimit në seancën përkatëse. Ministria e Infrastrukturës deklaron se kësaj procedure do t’i nënshtrohen edhe 2 kontratat ekzistuese të rrugëve që janë në fazë negocimi, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, të cilat ishin parashikuar të miratoheshin vetëm më vendim qeverie. Madje kontrata e parë që pritet të shkojë për miratim në parlament është ajo e ndërtimit të aksit Milot-Balldren. Për ndërtimin e kësaj rruge me gjatësi 17.6 kilometër, qeveria ka shpallur fituese kompaninë ANK me vlerë totale ndërtimi 161.5 milionë euro. Pas këtij aksi, Ministria e Infrastrukturës do të dërgojë në parlament edhe kontratën tjetër atë të Orikum-Dukat, e cila do të ndërtohet nga “Gjikuria” me një kosto prej 50.5 milionë euro. Bashkë me Rrugën e Arbrit, kontrata e të cilës është miratuar dhe ka hyrë në fuqi tashmë, këto dy akse plotësojnë të ashtuquajturin projekti 1 miliard dollarë për rindërtim. Fillimisht ky projekt parashikonte katër koncesione të mëdha rrugësh, por njëri prej tyre ai i aksit Thumanë-Kashar, u pezullua pas skandalit me tenderin e unazës së Tiranës.

Kufizimi

Kjo është masa e parë që qeveria ndërmerr për koncesionet e shumëdebatuara, pasi nga 1 korriku do të ndërmerret një tjetër kufizim me ligj për Partneritetin Publik Privat. Investimet me këtë partneritet ishin shtylla kryesore e projektit 1 miliard euro të iniciuar nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe i trumbetuar nga mazhoranca aktuale në fushatën e 2017. Kjo procedurë u cilësua korruptive nga ana e opozitës, por u kritikua edhe nga organizmat ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore për shkak të rritjes së Borxhit dhe riskut të madh që mbartnin. Me një projektligj të posaçëm, qeveria kufizon sektorët ku pranohen ofertat e pakërkuara dhe ku jo. Në projektligjin e depozituar tashmë në Kuvend për miratim, që parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2019, përjashtohen ofertat e pakërkuara për rrugën. Sektorët ku kjo praktikë do të jetë e zbatueshme edhe pas kësaj date do të jenë shërbimet në porte, aeroporte dhe sektorin e energjetikës.  Me anë të këtij projektligji është propozuar që nga data 1 korrik 2019 të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror. Një tjetër pikë, tepër e kontestuar nga opozita dhe e kritikuar nga FMN, është edhe risku financiar i këtyre projekteve, koston e të cilave e mbante shtetit. Për këtë pikë, në projektligj është parashikuar që projektet para konfirmimit t’u bëhet studimi i nivelit të riskut.  Duke qenë se projektet e koncesionit/PPP janë projekte komplekse, afatgjata që implikojnë një sërë risqesh, si dhe detyrimesh kontingjente të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjitha këto projekte si ato me dhe pa mbështetje financiare të paraqiten paraprakisht në ministrinë përgjegjëse për financat për vlerësim dhe miratim në këndvështrimin e implikimeve fiskale dhe buxhetore. Garantimi i një gare të barabartë dhe shfuqizimi i bonusit për kompanitë që bënin ofertën e pakërkuar është një tjetër nen i rëndësishëm i këtij projektligji.

Ndryshimet

Pas 1 korrikut, kompanitë nuk do të kenë më 10 pikë bonus, por nëse nuk do të shpallen fituese do të kenë të drejtën e kompensimit të shpenzimeve për studimin e fizibilitetit të projektit.  Shfuqizimi i sistemit të shpërblimit të propozuesit të pakërkuar me pikë bonus. Pas hyrjes në fuqi të kësaj dispozite në datën 1 korrik 2019, sistemi i shpërblimit me pikë bonus do të zëvendësohet me mekanizmin e shpërblimit të shpenzimeve të kryera nga propozuesi i pakërkuar për hartimin e studimit të fizibilitetit. Konkretisht, është parashikuar se pas përfundimit të procedurës konkurruese në rastin e propozimeve të pakërkuara nëse nga klasifikimi rezulton se propozuesi i pakërkuar nuk është shpallur fitues, atëherë i lind e drejta e kompensimit për shpenzimet e kryera për përgatitjen e studimit të fizibilitetit. Vlera e kompensimit do të jetë jo më e madhe se 1% e vlerës së investimit të propozuar. Ky proces nuk cenon konkurrencën dhe nuk avantazhon propozuesin e pakërkuar, por e kompensonte për shpenzimet e kryera për përgatitjen e propozimit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Shqipëri, narko shtet

Revista politike “Spiegel” raporton për sjelljen alarmante të qeverisë  socialiste në Shqipëri, me kryeministër Edi Ramën dhe ministër Lleshajn etj….

Abissnet