Kompozitori Aleksandër Lalo iku me një lëmsh në zemër

Publikuar më 21. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Nën tingujt e melodive që kompozoi vet, mes trëndafilave të bardhë dhe mes lotëve të familjarëve, miqve dhe njerëzve të thjeshtë, të cilët e deshën aq fort, “Mjeshtëri” i muzikës shqiptare Aleksandër Lalo (1949-2017) dje u përcoll për në banesën e fundit nga holli i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Kompozitori Lalo do të kujtohet nga artistët dhe brezat, që do të vijnë për kontributin e madh që ka dhënë në fondin e muzikës shqiptare, duke e pasuruar atë me muzikën e mbi 800 këngëve, të 44 filmave të gjatë, të 13 filmave të animuar; por edhe për muzikën e dhomës, atë që ka krijuar për solistë dhe për orkestër simfonike. Por Lalo do të kujtohet për antikonformizmin kundër padrejtësive në art e kudo tjetër. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” regjisori Petrit Ruka, mes lotëve, rrëfen preokupimet e mëdha, që kishte Lalo për artin, por dhe partiturën “e pambaruar”, që ka lënë mbi piano për filmin për fëmijë “Ne kemi diellin”.

Zoti Ruka, është ndarë nga jeta një kolos i muzikës shqiptare, por edhe një artist, me të cilin ju shoqëroheshin pothuajse çdo ditë. Çfarë mund të na thoni për këtë humbje?  

Prej 20 vitesh kam qëndruar çdo ditë me Lalon, ndoshta jam njeriu me të cilin ka ndarë më shumë kohë në këtë jetë. Për herë të fundit e takova dje. Më shoqëroi tek Teatri Kombëtar. E lamë për kafe, por shkoi në spital dhe pavarësisht përpjekjeve, që bënë mjekët, nuk ia doli dot. Lalon e vlerësoj si një njeri të jashtëzakonshëm, i cili dha shumë dashuri, sepse nuk jetonte dot pa miq e shokë.

Çfarë vendi do të zërë në artin shqiptar, veçmas në muzikë, humbja e tij?

Pa dyshim që kemi humbur një nga kolosët e muzikës shqiptare. Nuk jemi akoma të ndërgjegjshëm se çfarë humbje kolosale kemi në këtë fushë. Akoma nuk e perceptojmë dot se kemi humbur një nga shpirtrat më të mëdhenj të botës artistike shqiptare, një njeri që padyshim ishe një nga melodiozët më të mëdhenj, që ka nxjerr historia e muzikës shqiptare. Kemi humbur një shpirt antikonformist, sa rebel edhe fëminor. Një njeri që me muzikën e tij e bëri Shqipërinë më të bukur.

Këtë gjë e tregoi edhe reagimi i jashtëzakonshëm i njerëzve të thjeshtë, të cilët kanë shkruar mijëra mesazhe, sepse kanë qenë të bindur për talentin e tij të jashtëzakonshëm. Lalo përbënte lajm me çdo këngë të tij, përbënte lajm edhe kur pinte një kafe për miqtë e tij. Çdo bisedë e tij, çdo grindje e tij me pushtetarët bënte lajm. Ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, që jepte dashuri dhe ndalte për çdo shitës në lagje. Një njeri që iku me gëzimet dhe trishtimet e tij, që iku me një lëmsh të madh në zemër, siç janë tingujt e këngës në sfond tani: “Kam një lëmsh në zemër”, të cilat i shkruajti për dokumentarin e Ismail Kadaresë, që ngulte këmbë shpesh edhe më thoshte: “Atje në sallën e madhe, s’duhet që të kishte mbajtur asnjë fjalim, por të kishte lëshuar një këngë labe, sepse andej vinte”. Është një tronditje e madhe, një moment për të trokitur në ndërgjegjen e secilit, që të bëjmë më shumë për këta njerëz!

Po për artin, cilat ishin preokupimet e tij?

Lalo vuante çdo këngë të deformuar nga ekranet shqiptare, e vuante si të ishte e tij, e vuante si të kishte ndodhur një hata. Ishte një njeri që jetonte kaq seriozisht me fatin e muzikës shqiptare, deformimet e saj, abanodonimin nga institucionet dhe gjithçka tjetër, që sipas tij nuk ishte ashtu siç duhej.

Ju keni bashkëpunuar në filmin e fundit për fëmijë me të, “Ne kemi diellin”, çfarë do të bëni me të?

Ai ka lënë mbi tavolinë, mbi piano, partiturën e filmit për fëmijë “Ne kemi diellin” (30 min), që unë kam xhiruar në Përmet. Jetonte çdo sekondë me dëshirën për ta realizuar këtë film, ishte në pritje të fondeve, sepse nuk pranonte, që ta bënte me regjistrim, donte ta bënte me orkestër live. Tani nuk e di çfarë do të bëjmë me të, sepse tema e filmit është gati, por me siguri do të bëhet në ndonjë studio tjetër, miqtë që dje kanë kërkuar për ta incizuar falas në studiot e tyre.

Nga krijimtaria e tij cilën vepër do të veçonit?

Është shumë e vështirë që të ndash ndonjë vepër të tij, se janë të gjitha të mëdha. Unë jam i sigurt që do të hynë në fondin e artë. Muzika e tij ishte e jashtëzakonshme, me një harmoni si askush. Në të gjithë muzikën e tij ngado që ta shtrydhësh ka vetëm Shqipëri.

Dhe së fundmi, cili është ai kujtim më i bukur apo shprehje e tij, të cilën do ta kujtosh gjatë prej tij?

Lalo kur gabonte kishte justifikimin më të thjeshtë në botë: “Mos u zemëro, kështu jam unë” dhe njësoj si fëmijët ngrinte supet.

“Titujt nuk i bëjnë të mëdhenj artistët, artistët e mëdhenj i japin kuptim titullit”

“Titujt nuk i bëjnë të mëdhenj artistët, artistët e mëdhenj i japin kuptim titullit”. Këtë shënim ka shkruar para një viti, Aleksandër Lalo, pas dekorimit me titullin “Mjeshtër i madh”. Artisti, që ka kompozuar pa fund melodi të njohura për këngëtarë, instrumentistë, orkestra edhe kineastë numëron rreth 44 vepra muzikore për filma, si “Dimri i fundit”, “Shi në plazh” (1982), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “ Dy herë mat” etj.

Vasil Tole: Në muzikën e Lalos reflekton lidhja e ngushtë, që kishte me folklorin!

Kompozitori Vasil Tole i pranishëm dje gjatë homazheve, që u mbajtën në hollin e RTSH-së u shpreh se, Lalo me natyrën edhe preokupimin për të bërë muzikë cilësore, kishte ndërtuar vet personalitetin e tij, edhe askush nuk do të mundet, që as t’i shtojë edhe as t’i heq ndonjë gjë, por për vlerat që ai kishte do të flitet gjatë. “Tipari më dallues i Lalos ishte përkorja, që kishte për të bërë muzikë të bukur. Më shumë se kushdo këtë e pasqyronte te temat muzikore, që bënte, si për këngët, si për muzikat e filmave, si për muzikën e dhomës, qoftë dhe për atë simfonike”. Tole mendon se ishte një produkt i shkollës sonë kombëtare në muzikë, i cili nëpërmjet krijimtarisë së vet reflektoi lidhjen e ngushtë, që kishte me folklorin edhe me trashëgiminë shpirtërore shqiptare.

“Për fat Lalo e njohu mirë folklorin, se vet ishte nga Jugu (Leskoviku). Por historia e jetës e solli, që të punonte për një periudhë kohore edhe në Veri (Kukës)”. Tole mendon se sot në muzikën e Aleksandër Lalos gjejmë një mozaik, një Shqipëri, prandaj muzika e tij ishte shumë e dashur dhe e pranuar, jo vetëm për faktin se njihet, si autor i 800 këngëve, i 40 muzikave për film edhe i dhjetave kompozimeve të tjera, por sepse ai reflektoi në muzikën e tij, një copë Shqipërie.

Jetmir Barbullushi: Artistëve s’ua dimë kimetin kur i kemi, i kujtojmë kur na ikin

Dirigjenti Jetmir Barbullushi rrëfen se veprat e tij kanë melodi me taban kombëtar, prandaj Lalo do të mbetet i madh. “Më vjen keq për këtë ikje në kulmin e krijimtarisë së tij. Ai ishte i etur për të shkruar dhe bashkëpunuar, por kjo punë artistët po i lodh shpejt, më vjen keq që nuk po i mbajmë afër, sepse kur i kemi s’ua dimë kimetin, pastaj i kujtojmë”. Barbullushi tregon se Lalo nuk ishte i gatshëm për të krijuar vetëm për Festivalin e Këngës, por për çdo lloj projekti që i ofrohej. “Në mënyrën e tij, ishte i gatshëm të shkruante, por më vjen keq se kishte shumë vepra, që i mbetën; një për orkestrën simfonike, që ka bërë simfoni për natyrën e Piqerasit, ku jetonte pjesën më të madhe të vitit etj. Aleksandër Lalo ishte vetëm një”.

Elton Deda: Më unikali, miku i muzikantëve të ndershëm!

Kantautori Elton Deda shkruan për mjeshtrin e muzikës, se zakonisht e takonte me humor të mirë. Shpesh e merrte në telefon dhe i thoshte: “Mos e lërë krijimtarinë pas dore”. “Një natë u ulëm dhe morëm nga një fërnet. Folëm gjatë me miq për hallet e panumërta, që kanë artistët këtu. Sot, ti nuk je më. Unë kam ndërmend t’i buzëqesh jetës dhe jo t’i mbaj mëri se u dorëhoq prej teje. Ashtu është ajo, ka qejf të bëjë kapriço ndonjëherë e kur i do qejfi, si ato femrat xanxare. Ti ishe miku i babait tim, ishe miku im, ishe miku i gjithë muzikantëve të ndershëm. Ti ishe miku i muzikës, ti ishe unikali me shpirt të brishtë dhe i përkëdheluri i Perëndisë. Mos harro të punosh me korin e engjëjve atje ku u nise mbrëmë. Dhe je i lutur që mos t’i marrësh as Zotit leje, nëse do të shkosh e të bësh drekën. Lamtumirë o i madhi Sandër Lalo”, shkruan Deda në profilin e tij në “Facebook”.

“Figurat po të ikin një nga një, o shtet, bëj diçka të paktën për ata që kanë mbetur!”

Një nga shqetësimet më të mëdha, që kishte kompozitori Aleksandër Lalo ishte E Drejta e Autorit. Për “Shekulli”-n është shprehur se:“Kam menduar, që këto vite që më kanë ngelë, derisa të shkoj në botën tjetër, pavarësisht se i kam parë që veprat e mia, i kanë transformuar, mos t’i bëj problem, sepse nuk kam dëshiruar të shqetësoj veten time, por edhe se nuk ka për t’u bërë gjë. Shikoj çdo ditë, që shfaqen filma me muzikën time në stacione të ndryshme, por nuk kam asgjë në duar”. Këtë shqetësim, dje në një shënim për ndarjen e tij nga jeta, e ngre edhe pianistja Etrita Ibrahimi. “Mbrëmë isha e shokuar, ndërsa sot jam e revoltuar!

Figurat po të ikin një nga një, o shtet! Po të iknin, e kupton apo jo? Bëj diçka të paktën për ata që kanë mbetur, bëj diçka për t’u dhënë atyre vendin e duhur, sa janë gjallë! Mbas vdekjes sigurisht, që ata shkojnë në një vend më të mirë, jam e sigurt për këtë, por ti jepi mbrapsht shpërblimin për atë që të kanë dhënë gjithë jetën e tyre: artin, kulturën, gjithçka që mundën të të jepnin!” Më tej, vajza e kompozitorit të njohur Fehim Ibrahimi shton se, është kollaj të lexosh sot: “I madhi Lalo, kontributi yt ishte kështu e ashtu!” “Ku është shpërblimi, ku është mirënjohja, ku janë të drejtat e tij të autorit, ku pra, KU ishin këto për sa kohë Lalo ishte gjallë? Ku e keni kulturën e kombit, ndërkohë që brezat e rinj nuk dinë më as emrat e kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, sepse ti shtet nuk bën asgjë për t’jua mësuar atyre, nuk bën asgjë, përveçse fshin historinë tënde!

Nuk kam parë shtet në Europë, të mos mbajë gjallë kulturën dhe artistët e tij, ndërsa këtu po. Me siguri, ndonjë zyrtar do t’i çojë një lule Lalos gjatë homazheve, por do të ishte më mirë t’i kërkonte falje Mjeshtrit…! Në fund të shënimit, Etrita citon një shprehje, që vet Lalo gjatë konferencës për “Ligjin për pronësinë intelektuale” ua ka thënë tre ministreve Mirela Kumbaro, Milva Ekonomi dhe Milena Harito: “Nuk na interesojnë imazhet. Flasim në të shkuarën, krahasimet i bëjmë gjithmonë, fusim dhe pak politikë brenda. Nuk na duhet e shkuara se çfarë është bërë, na duhet se çfarë bëhet sot. Kaq ishte fjalimi i im, se do të shkoj të bëj drekën”, është shprehur Lalo.

Eva Golemi

Jo kushdo e ka privilegjin të jetë artist me A të madhe… Aleksandër Lalo që ishte një ndër ata artistë, kishte një pension kaq modest prej 167 mijë lekë të ( vjetra) aq sa nuk i dilte as për pesë ditshin e parë të muajit, babai im ka qenë shok klase me të dhe sa herë takoheshin kur merrnin atë pak pension, me humorin që e karakterizonte u thoshte arkëtarëve:”Do vi një ditë ,ju do të më paguani mua për çka kam bërë për artin”. Mjerisht shumë e vështirë të jesh artist në këtë vend…..

Stefi Prifti dhe Endri Prifti

Një nga figurat më të larta të muzikës shqiptare. Emblematik në karakter dhe parime! Njeri i vërtetë, i pakorruptueshëm nga interesa të fëlliqura në dëm të muzikës dhe të qenit i ndershëm dhe i lirë në bindjet e Tij. Njerëz të tillë kanë mbetur shumë pak në këtë vend!

Vepra e tij mbetet në panteonin e muzikës shqiptare.

Gazmend Mullahi

Lamtumirë Aleksandër Lalo!

Vështirë shumë t’i thuash këto fjalë për ty, “gur i rëndë” në muzikën shqiptare, e cila sot u tkurr dhe u bë më e varfër dhe më e mjerë. Lamtumirë njeriu i mirë dhe i brishtë, i ndjeshëm në tingull, delikat në muzikë, sentimental dhe elegant në melodinë tënde origjinale. Lamtumirë “rebeli” antikonformist kundrejt padrejtësive, megalomaneve sidomos aparatcikëve, që impononin dhe thyenin lirinë e artistit. Lamtumirë familjari shembullor, bashkëshorti dhe prindi ekselent .

Lamtumirë miku im i lashtë, koleg model i këmbënguljes, vullnetit dhe pasionit që sa vinte dhe të shumëfishohej. Askujt nuk i shkonte në mendje se do ndaheshe nga ne kaq shpejt tek të vlonin në kokë projektet njëra pas tjetrës sa që hutoheshim me energjinë tënde tek mi shpalosje. Lamtumirë, për t’u kujtuar në breza për muzikën tënde në filma, në këngë, në pjesët orkestrale, që kanë firmën dhe vulën tënde, e cila dallohej që në tingujt e parë. U prehsh në paqe Aleksandër Lalo, do të kujtohesh për “male kujtimesh” sa të ketë muzikë mbi dhe. Lamtumirë o i paharruar !