Kombëtarja ngjitet në vendin e 60

Kombëtarja shqiptare ngjitet me dy pozicione në klasifikimin e FIFA-s për këtë muaj. Skuadra e Panuçit pavarësisht se nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje, janë ngjitur në vendin e 60 në kuotën e 533 pikëve. Ndërkohë që përfaqësuesja e Kosovës ka humbur një pozicion në krahasim me muajin e kaluar duke zbritur në vendin e 178 me 97 pikë. Në vendet e para të renditjes së përgjithshme nuk ka ndryshime.

Në vendin e parë qëndron kampionia e botës në fuqi, Gjermania me 1.602 pikë e ndjekur nga Brazili dhe Portugalia. Argjentina gjendet në vendin e pestë dhe ndiqet nga Belgjika dhe Spanja. Top 10-en e mbyll Kili që renditet pas Polonisë, Zvicrës dhe Francës. Sa i përket kombëtares së grupmoshave, kombëtarja U-20 që drejtohet nga Alban Bushi do të zhvillojë dy takime miqësore në Turqi kundër grupmoshave të Azerbajxhanit në datat 21 dhe 26 janar.

Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Skuadra kombëtare U-20, e cila është në fokusin dhe drejtimin e trajnerit të ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në Antalia (Turqi), më përfaqësuesen U-20 të Azerbajxhanit, përkatësisht në datat 21 dhe 26 janar. Sipas programit të Sektorit të Ekipeve Kombëtare, këto dy takime do të luhen, njëra në datë 21 dhe pesë ditë më vonë sfida e dytë në orën 18.00 (ora lokale)”, është njoftimi i FSHF-së.

Të tjera

Abissnet