Kolla kronike, rreziku dhe trajtimi

Publikuar më 09. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Dr. Silvana Sadria, mjeke pneumologe

Refleksi i kollës varet nga aftësia për tu mbushur me frymë thellë, aftësia për të mbyllur hapjen e laringsit, dhe aftësia për të dhënë një ekspirim të sforcuar.

Kolla është një akt reflektor që nxjerr në mënyrë të sforcuar ajrin që ndodhet në rrugët ajrore.

Duke qenë akt reflektor bazë e mekanizmit të saj është harku reflektor me 5 komponentët e tij.

  • Komponenti nr 1- Receptorët që gjenden në laring, trakea, bronke, kanali i jashtëm i veshit, pleura, stomaku, sinuset paranazale, faringu, perikardi, diafragma.
  • Komponenti nr 2- Rrugët aferente (ngjitëse) janë degët e nervit vag (laring, trakea, bronke, kanali i jashtëm i veshit, pleura, stomaku), nervi trigeminal (sinuset paranazale), nervi glosofaring (faringu), nervi frenik (perikardi e diafragma).
  • Komponenti nr 3- Qendra e kollës që gjendet në medule pranë qendrës rregullatore nën kontrollin e qendrave të larta nervore.
  • Komponenti 4- Rrugët eferente (rrugët zbritëse) si nervi frenik, trigeminal, intekostal, hypogos etj.
  • Komponenti 5- Efektori (organi) muskujt e laringut, trakesë, bronkeve, diagragmën etj.

Refleksi i kollës varet nga aftësia për tu mbushur me frymë thellë, aftësia për të mbyllur hapjen e laringsit, aftësia për të dhënë një ekspirim (nxjerrja e frymës nga mushkërit) të sforcuar.

Kolla shkaktohet nga stimulimi i receptorëve irritative të mukozës së rrugëve ajrore nga faktorë të tillë si:

  • Inflamatore
  • Kimike
  • Mekanike
  • Termike

Thënë në mënyrë të përgjithshme nga sekrecionet, trupat e huaj, substancat kimike, tumori bronkial, acarimi i faringut e i ezofagut, shtypja e mëlçisë me dorë, futja e këmbëve në ujë të ftohtë, ngacmimi i veshit, inflamacioni etj.

Kolla ndahet në kollë të thatë e të njomë

  • Kolla e thatë gjendet kryesisht në trakeo bronkite, pleurite, kancer.
  • Kolla e njomë gjendet në bronkite, inflamacione, bronkoektazi, abcese, tbc tuberkuloz.

 

Kolla ndahet në:

  • Kollë të vazhdueshme që gjendet në (trakeobronkite, laringite, forma të tbc, shtypja e nervit vag nga tumore, sëmundjet kardiovaskulare nga staza e gjakut në qarkullimin e vogël).
  • Kollë periodike ( në mëngjes, kryesisht te duhanpirësit, inflamacion i rrugëve të frymarrjes bronkititin kronik). Natën në Astma bronkiale, zmadhim të gjëndrave limfatike bronko pulmonare, tbc. Ndërrimi i pozicionit në anën e shëndoshë kur krijohen kavitete si bronkoektazi, abcese, fistulizime kavernat e tbc empieme.

Kollë me kriza që gjendet kryesisht në grip, kur hyjnë aksidentalisht trupa të huaj, kur derdhen materiale nga ndryshimet parenkimale në kavitetin pleural si absese, ciste ekinokoku empieme, zgjerim të venave të qafës kur kemi enjtje fytyre, cianoze, kur kemi rritje të presioneve intra torakale nga vështirësia e zbrazjes së ventrikulit në atriumin e djathtë. Pra në sëmundjet kardiake (zemrës)

Kolla ndahet në kollë akute si gripi në bronkit akut dhe kollë kronike.

Kolla kronike quhet atëherë kur ajo zgjat më shumë se 8 javë.

Shkaktarët kryesorë të saj janë disa. Për të gjetur kush është shkaktari i kollës duke u bazuar në mekanizmat që thamë më sipër, pas një anamneze të hollësishme me pacientin dhe ekzaminimeve kryesore arrijmë të bëjmë një ndarje të përgjithshme e më të shpeshtë të shkaktarëve.

Shkaktarët

  • Sindromi i rrjedhjes post nazale ose rrjedhja e hundës. Zbritja e sekrecioneve nga ana e pasme e hundës në fyt çon në ngacmim të receptorëve. Kjo ndodh kryesisht në sinuzite.
  • Sëmundjet e mushkërive. Kolla kronike që shkaktohet në inflamacionet kronike si Bronkit kronik ,SPOK (Sëmundje pulmonare obstruktive kronike), që shkaktohet edhe nga një dëmtim i rrugëve të frymëmarrjes i quajtur bronkoektazi, dhe nga një sëmundje tjetër që shkakton simptoma të ngjashme me astmën por me funksionim normal të mushkërive (bronkiti eozinofilik). Sarkoidozë, Abcese, Tuberkuloz etj.
  • Astma – Edhe pse rrallë, astma mund të shfaqë edhe kollën si simptomë.
  • Aciditeti (refluksi gastrointestinal)- ngacmimi i receptorëve nga aciditeti i shtuar i stomakut është një nga shkaqet më të shpeshta të kollës kronike.
  • ACE-inhibitorët (grup barnash antihipertensive) – Barnat si enalapril, lisinopril dhe të tjera, përdoren për të ulur tensionin e lartë të gjakut, por japin kollën si efekt anësor. Dhe, edhe pas ndërprerjes së këtyre barnave, mund të duhen dy deri në tre javë derisa kolla të ndalojë.

Trajtimi i kollës kronike

Trajtimi i kollës kronike varet nga shkaqet që e shkaktojnë atë dhe kërkohet mjekimi nga mjeku.

Në varësi të diagnozës trajtimi është:

  • Muko rregullatorët që ndikojnë në pakësimin dhe lehtësimin e daljes së sekrecioneve si sherupe, bustina apo tableta të ndryshme.
  • Barna antihistaminike dhe dekongjestues nazale kryesisht në rinite në laringite apo edhe në astmë.
  • Inhalatorët anti-astmatik qoftë aerozolterapi me aparate apo dhe të ashtëquajturit pompa.
  • Bronkodilatatorët si Aminofilinat.
  • Eleminimi i Aceinhibitorëve si enalaprili, lisinoprili etj.
  • Antacidët – Këto barna ndihmojnë uljen e aciditetit.
  • Kortizonikët janë të këshillueshëm deri në 2 javë.
  • Antibiotikët – Nëse kolla dyshohet se është shkaktuar nga ndonjë infeksion bakterial, si infeksione të sinuseve ose mushkërive, atëherë mund të ndihmojë edhe antibiotikët.
  • Oksigjenoterapia kryesisht në insuficiencat respiratore gjithmonë nën kujdesin e mjekut pasi ekziston rreziku i veprimit deprimues qëndror nga hiperkapnia pra rritja e gazit karbonik.
  • Edukimi i të sëmurëve. Heqja dorë nga duhani, qëndrimi në ambjente të pastra, kinezoterapia (edukimi për nxjerrjen e sekrecioneve në varësi të diagnozës si në bronkoektazi TBC etj).