Kokëdhima: Rilindja ul papunësinë, pa hapur vende pune

Koço Kokëdhima

Instituti i Statistikave raportoi se niveli i papunësisë arriti në 12.5% në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Qeveria e mashtruesve që i bën petullat me ujë nxitoi ta quante këtë një arritje historike, si normën më të ulët të papunësisë në periudhën e pas tranzicionit.

Teorikisht, një rënie e papunësisë do të thotë që më shumë të papunë se sa krijohen kanë pasur mundësi të fillojnë punë në muajt e parë të këtij viti, për shkak të hapjes së vendeve të reja në fabrika, tregti, shërbime etj. Por, të gjithë e dimë që kjo nuk ka ndodhur. Investimet e biznesit janë në rënie, për shkak të barrës së lartë të taksave dhe reflektimit të rënies së konsumit. Rënia e kredisë në banka e vërteton këtë. I vetmi sektor ku po investohet është ndërtimi (kjo shpjegon pse ka një ulje të papunësisë te burrat), por ai nuk po i sjell asgjë të mirë ekonomisë, përveçse po shërben për të pastruar paratë e fituara në mënyrë kriminale.

Vetë shifrat e INSTAT tregojnë që punësimi ka ngecur. Në tre muajt e parë të vitit, të dhënat administrative tregojnë se në borderotë e sipërmarrjeve private janë shtuar vetëm rreth 400 persona. Vetëm 400 të punësuar më shumë në tre muaj nuk arrijnë të shpjegojnë këtë “mrekulli” të Rilindjes. Të punësuarit në bujqësi as po i llogarisim fare, sepse ata konsiderohen automatikisht të vetëpunësuar, por të gjithë i dimë problemet që ka bujqësia sot, me fermerët që po u shkojnë produktet dëm, pasi shteti nuk u garanton asnjë treg shitjeje dhe fitimi shkon i gjithi te grumbulluesit abuzivë.

Për shkak të ndryshimit të ligjit për punëkërkuesit, tashmë nëse një i papunë e ka refuzuar një herë një punë të ofruara nga shteti, ai hiqet fare nga lista. Dhe ja ku u zgjidh dhe ekuacioni i Rilindjes, duke hequr artificialisht nga lista shumë të papunë që janë në vend, na reduktohet dhe niveli i papunësisë, pavarësisht se vende të reja pune nuk janë shtuar. “Ndihmë” qeverisë i kanë dhënë dhe ata mijëra vetë që kanë ikur jashtë vendit, duke ulur edhe forcën e punës.

ZGJIDHJA do të sjellë zhvillimin e shpejtë dhe të vërtetë të ekonomisë reale dhe tërheqjen e investimeve të huaja me vlerë të lartë të shtuar, që do të mundësojnë hapjen e vendeve të punës jo më me paga skllavëruese, siç ka ndodhur deri tani. ZGJIDHJA do të reformojë Institutin e Statistikave, duke e kthyer atë në të pavarur e të besueshëm.

#ZgjidhjaPërPunësimin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet