Koha që opozita parlamentare, të “vetë-shkrihet”!

Nga Koço Kokëdhima

Në zgjedhjet e fundit parlamentare partia, “Zgjidhja”, refuzoi që të bëhej pjesë e farsës dhe paralajmëroi se ato do të bliheshin dhe manipuloheshin nga qeveria në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe paratë e korrupsionit gjigand, që prodhon me një grusht njerëzish të ashtuquajtur “biznesmenë strategjikë”. Rezultati ishte i paracaktuar dhe ashtu ndodhi, duke i dhënë Ramës fuqinë e një parlamenti dhe qeverie absolute autokrate, duke e dorëzuar ekonominë në duart e një grushti njerëzish, klientë të oborrit të tij dhe duke e shndërruar vendin në bazë ndërkombëtare të krimit të organizuar.

Pavarësisht nga bllokimi që po i bëhet hetimit të shit-blerjes së zgjedhjeve të vitit 2017, tashmë edhe falë “Zërit të Amerikës” të gjithë e dinë këtu dhe në gjithë botën, se çfarë ka ndodhur dhe se sa legjitime është kjo maxhorancë arrogante e Rilindjes. Në këtë kuadër opozita parlamentare i ka bërë thirrje popullit që më 16 shkurt të dalë në shesh, medemek për të larguar Ramën dhe qeverinë e tij. Partia “Zgjidhja” që kur është krijuar nuk ka pasur asnjëherë iluzion se opozita, PD-LSI, mund të largojë nga pushteti këtë qeveri, që është kalbur në themele. Përkundrazi ne kemi këmbëngulur, që opozita parlamentare ka shërbyer si oksigjen për pushtetin e korruptuar të Ramës dhe madje në shumë raste, ka qenë e involuar edhe në marrëveshje të fshehta, siç e vërtetoi edhe fundi i turpshëm i “Çadrës”.

“Zgjidhja” që në themelimin e saj, ka qenë pro dhe në krah të çdo proteste të shqiptarëve; në krah të studentëve, artistëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar; minatorëve; popullit të Kukësit për taksën e Rrugës së Kombit, kundër plehrave dhe inceneratorëve, me banorët e Astirit; biznesin që po lëngon nga taksat etj. ZGJIDHJA është pro protestës së 16 shkurtit, edhe pse nuk ka asnjë iluzion se PD dhe LSI nuk janë të sinqerta me qytetarët. ZGJIDHJA fton mbështetësit e saj të marrin pjesë në protestën e 16 shkurtit jo për hallet e PD dhe LSI, por për hallet e popullit dhe për paudhësitë e qeverisë.

PD dhe LSI duhet të distancohen nga krimet e shumta elektorale e shtetërore, korrupsioni dhe keqqeverisja që kanë bërë edhe ato si PS-ja gjatë këtij tranzicioni të gjatë n.q.s. duan të punojnë për një front popullor që do përmbysë këtë qeveri dhe do i hapë rrugë përtëritjes së elitës drejtuese të Shqipërisë. Rama e deklaron me arrogancë sa herë që i jepet rasti, se po të jetë për këtë opozitë që ka në parlament, ai qëndron në pushtet edhe 100 vjet. E vërteta është se ai dhe organizata klepto-kriminale që përfaqëson, nuk kanë frikë nga PD-LSI, të cilat janë parti të diskredituara dhe pa mbështetje në popull, por vetëm nga populli të cilit i ka shkuar thika në palcë. Faktikisht, ne, sot kemi de jure një parlament pluro-partiak, por de fakto parlamenti, qeveria, zgjedhjet, shteti, ekonomia, drejtësia, media dhe gjithçka tjetër janë kapur nga mafia e tri partive të vjetra.

Ky është realiteti, por oksigjenin dhe legjitimitetin këtij sistemi të falimentuar vazhdon t`ja japë opozita parlamentare PD+LSI e cila bashkëpunon në marrëveshje të plotë me “Rilindjen” për të mbajtur të bllokuar Reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore. Protesta e 16 shkurtit nuk bëhet për popullin, por për të rikuperuar sadopak pozitën e rrënuar të PD e LSI siç e treguan edhe protestat e studentëve dy muajt e shkuar. Asgjë parimore nuk ka në betejat e PD dhe LSI. Përpara se të thërrasin popullin për të rrëzuar Edi Ramën, le të bëhen pra njësh me shqiptarët; të dorëzojnë privilegjet e shumta, të ndahen nga e kaluara e tyre antidemokratike dhe antipopullore, të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga administrimi partiak i zgjedhjeve dhe të kushtëzojnë përfshirjen në jetën parlamentare me çlirimin e zgjedhjeve, rikthimin e demokracisë dhe shtetit ligjor! #ZgjidhjaMePopullinProtestues#

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet