Kodiku i Purpurt i Beratit shkon në Librarinë e Kongresit amerikan (FOTO)

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Kodiku i Purpurt i Beratit i cili përbën një nga objektet më me vlerë të periudhës Mesjetare që ka trashëguar Shqipëria, tashmë do të gjendet edhe në Librarinë e Kongresit amerikan.

Në kuadër të 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Forcave të Armatosura qeveria shqiptare i dhuroi një kopje online të Kodikëve të Purpurtë të Beratit, të cilët janë tashmë pjesë e Librarisë Botërore Dixhitale, Librarisë së Kongresit amerikan.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, bashkëdrejtuesve të Grupeve të Miqësisë, Senatori Gary Peters dhe Kongresmeni Eliot Engel, Po ashtu ishte i pranishëm edhe zv.Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt B. Yee.

Aktiviteti u hap me Himnin Kombëtarë shqiptar dhe atë amerikan, të kënduara me shumë profesionalizëm nga soprano Lindita Lole-Mezini, shkruan “ata”.

Gjatë diskutimeve të mbajtura u vu theksi tek marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, u evidentua se mes dy vendeve ka një bashkërendim të interesave, këndvështrime të njëjta për çështjet e sigurisë, si edhe vlera të përbashkëta.

Prania e miqve të Shqipërisë nga Libraria e Kongresit dhe veçanërisht Albanian Corner, bënë pjesë të festës dhe një numër veprash që pasqyrojnë historinë e Shqipërisë, të botuara disa shekuj më parë.

Kodiku i Purpurt i Beratit” është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” (“Kujtesa e Botës”) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të Unesco-s.