“Kodikët në Shqipëri, më tërheqësit në Ballkan, por të pazbuluar” (FOTO)

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Në fondin arkivor të Arkivit Qendror Shtetëror ruhet një koleksion i veçantë dokumentesh, i emërtuar fondi “Kodikët e Shqipërisë”. Kërkuesit e rinj shkencorë Sokol Çunga dhe Andi Rembeci prezantuan në Akademinë Shkencore të të Rinjve zbulimin e tyre për Kodikun e Korçës, 93 dhe propozuan zbatimin metodologjive shkencore

Konferenca e parë mbarëkombëtare shkencore e kërkuesve të rinj u zhvillua në Akademinë e Shkencave për herë të parë. Kërkuesit e rinj të shkencave shoqërore dhe albanologjike dhe të shkencave natyrore dhe teknike referuan për temën “Metodologjia dhe kërkimi shkencor: traditë dhe risi”.

Një ndër kumtesat më interesante ishte ajo e Sokol Çungës (Akademia e të Rinjve, Arkivi Qendror Shtetëror) dhe Andi Rembecit (Akademia e të Rinjve, Departamenti i Historisë i Universitetit të Tiranës). Ata ndalën tek tema: “Studimet në fushën e paleografisë bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri: vlerësime për të shkuarën dhe të tashmen, perspektivat dhe sfidat e së ardhmes”.

Çunga gjatë referimit u shpreh se kanë kaluar më shumë se 140 vite, koleksioni i kodikëve bizantinë, pasbizantinë të Shqipërisë edhe pse ka tërhequr vëmendjen e studiuesve ka mbetur për arsye të ndryshme në më pak të njohurit në Ballkan, që nga koha e parë e prezantimit të tij, ndërkohë që është ndër më tërheqësit.

Në Fondin 488, të AQSH-së, me emërtimin “Koleksioni i kodikëve” mori formë e sotme në fund të viteve ’70, kohë kur u sistemua edhe fondi në fjalë. Të gjitha dorëshkrimet bizantine edhe postbizantine janë të sjella nga raftet e bibliotekave të manastireve, të mitropolive apo të atyre personale në AQSH”. Sot fondi numëron 119 njësi dokumente, nga shekulli i VI deri në XIX. Dorëshkrimet, që u kopjuan apo që ndodheshin në territorin e Shqipërisë gjatë periudhës bizantine apo të mëvonshme, ishin padyshim shumë më tepër, sesa ruhen më sot tregon Çunga. Por, studiuesit pohojnë se vetëm gjallëria apo lulëzimi kulturor i shekullit të mëparshëm vlerësohet në mënyrë të pakundërshtueshme në monumente të ndryshme të periudhës paleokristiane, bizantine edhe pasbizantine, që ruhen ende sot në Shqipëri, që janë monumente arkitekturore të dekoruara në afreske, kryevepra të punuara në metal, mikrostruktura, gdhendje druri dhe më pas kodikë të dorëshkruar.

“Këto qendra të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore, me rol të rëndësishëm edhe në kohën e sotme, si Berati, Durrësi, Vlora, Korça, Gjirokastra etj., kishin një koleksion të konsiderueshëm të kodikëve të dorëshkruar”.

Informacionin e parë lidhet me ekzistencën e këtij koleksioni të dorëshkrimeve në mjedisin shqiptar dhe vjen nga Diptiku i kishës së Shën Gjergjit në Kalanë e qytetit të Beratit, në vitin 1356. Ashtu siç dihet Skuripeqi i fali manastirit të teologut të madh dhe kishës së Shën Gjergjit 27 libra, të zgjedhur dhe të rëndësishm.

Informacioni i dytë, është nga 1356 deri në mes të shek. XIX. Nuk kemi asnjë̈ informacion për ekzistencën e librave mesjetarë në Shqipëri. Më 1868 Anthim Aleksudhi, Mitropoliti i Mitropolisë së Beratit boton librin me titull “Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Beratit”.

Gjatë shek. XX njihen kodikëẗt e atij, që sot është F 448. Këtyre librave u referohet më pas Ilo Mitkë Qafëzezi në artikujt e ndryshëm të tij, si dhe Nikos Veis, studiues grek, i cili ndodhej në Gjirokastrër dhe në zonat përreth gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 1951 Veis boton “Katalog i dorëshkrimeve të kodikëve” të Mitropolisë së Gjirokastrës. Nga dorëshkrimet që përshkruhen prej tij, vetëm 1 nga ata ndodhet sot në AQSh, korrespondon me kodikët e F 488, D 79 (ose kodiku i Gjirokastrës).

“Në fillim vitet ’50 të shek. XX kodikët e dorëshkruar, që u mbajtën të padëmtuar edhe u ruajtën si dita e syrit me shekuj, do të përballen me luftën kundër religjionit në Shqipëri dhe daljen hapur të shtetit kundër fesë në vitin 1967, paralelisht me shkatërrimin e kishave edhe manastireve u shkatërruan edhe një numër i rëndësishëm librash, fetarë ose jo, ndërsa një pjesë e tyre filluan që të ruhen në AQSH”, tha Çunga gjatë referimit. Sipas tij, po në këtë periudhë filloi punë i ndjeri Theofan Popa, fillimisht me hartimin e një katalogu analitik, përmes dorëshkrimeve të shkurtra, që nga njëra anë të tregonte rëndësinë e tyre dhe nga ana tjetër të plotësonte nevojat e arkivit për indeksim dhe sistemim të fondit. Kështu, shprehet studiuesi, Popa hartoi skeda përshkruese për 97 dorëshkrime të koleksionit, që u përshkruan më vonë në formë katalogu. Po këtë periudhë në vitin 1963-1965 AQSH e vizituan studiues të rinj, që studiuan 95 dorëshkrime. Përfundimet e tyre i botuan në formë katalogu në vitin 1965. Që nga viti 1965, kur studiuesit vizituan AQSH të Tiranës dhe hartuan katalogun e dorëshkrimeve të shkruara në greqisht, hartuar në AQSH në Tiranë, shumë studiues kanë qenë në kontakt me Fondin 488. Veç përpjekjeve të Theofan Popës, që ka kontribuar në shpëtimin e kodikëve, interes kanë shprehur edhe studiues të tjerë shqiptarë, pak para, por edhe pas periudhës komuniste, meqenëse kanë punuar me një metodologji shkencore nën presion, që mbizotëronte në periudhën në fjalë. Ndër ta studiuesit renditin; Alkes Budën, Dhimitër Shuteriqin, Alfred Uçin, Kosta Naçon etj.

Hapja e Arkivit për publikun ndërkombëtar dhe kodikët në regjistrin UNESCO-s

Hapja e parë e Arkivit Qendror të Shtetit për publikun ndërkombëtar ndodhi në vitin 2000, kur një pjesë e kodikëve u ekspozuan në Vatikan me rastin e 2000-vjetorit të Krishterimit.

Me largimin nga jeta të të ndjerit Theofan Popa, vlerësimi, studimi dhe paraqitja e kodikëve të Shqipërisë pati një periudhë regresi. Në vitin 2003 nën kujdesin e drejtorit të atëhershëm Shaban Sinani u bë botim për Kodikët e Shqipërisë. Këtu nisi dhe u ngjallë interesi i studiuesve për këtë traditë të pasur kulturore.

Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1 dhe Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 2 janë regjistruar në vitin 2005 në Regjistrin e Trashëgimisë së Botës të UNESCO-s.

Nga fillimi i muajit maj të vitit 2010, për një muaj e gjysmë qëndroi e hapur në mjediset e AQSH në Tiranë ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”, ku objekt i ekspozitës ishin 46 kodikë̈ (në origjinal) të fondit për të cilin flasim, dhe 28 panele me pamje të përgjithshme apo detaje nga 54 kodikë̈.

Risi të akademikëve të rinj për Kodikun e Korçës, 93

Akademikët e rinj Çunga dhe Rembeci nga kërkimet e tyre për kodikët të Korçës 93, kanë arritur në një përfundim, ndryshe nga ai i Theofan Popës dhe Shaban Sinanit, se ky dorëshkrim datohet në shekullin e 10-të. Për këtë gjë ata japin argumente shkencore; së pari për formën e shkrimit, tipin e shkrimit që përdorej në atë kohë dhe së dyti për dekoret që mbanë. “Për të arritur në këtë përfundim, duke qenë se vetë dorëshkrimi nuk ofron një datë, marrim dhe shohim shembujt paraprakë nga dorëshkrimet e tjera të së njëjtës periudhë që ekzistojnë, të datuara dhe me ilustrime të tjera të së njëjtës periudhë. Në këtë rast përputhen forma dhe dekoret, ndërsa, vendi i shkrimit nuk është Korça e shekullit të 10-të, por Kostandinopoja, gjë të cilën studiuesit paraardhës nuk e kanë saktësuar”, thotë cunga.

Metodologjia bashkëkohore

Me zbatimin e metodologjisë së hartimit të katalogut të kodikëve dalin në dritë të dhëna të reja, ta cilat asnjëherë nuk janë përmendur në katalogët ekzistues. Duhet përmendur fillimisht se hartimi i një katalogu të plotë do të na jepte një pamje reale të vet pasurisë, por edhe evidentimi i saktë dhe digjital i kodikëve do të bënte më të lehtë qasjen e studiuesve në përmbajtjen e tyre. Një tjetër mënyrë për të arritur në një përfundim të kënaqshëm do të ishte edhe një mënyrë ndërdisiplinore e studimit të dorëshkrimeve, me rreze ultravjollcë, mënyrë që nuk është praktikuar ende deri sot. Vetëm me mjete rrethanore arritëm që të lexojmë se çfarë shkruhet në këtë tekst, që nuk është përmendur në katalogët paraprakë apo në studime të mëhershme.