Loja mori fund!

Koço Kokëdhima

Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, OSBE/ODIHR, në raportin përfundimtar, përpiloi edhe disa “rekomandime kyçe”, të cilat duhej të ishin realizuar nga parlamenti dhe qeveria përpara se të vinte koha e votimeve të radhës për pushtetin lokal: `Thembra e Akilit` cilësohet Reforma Zgjedhore e cila duhej bërë, “gjithëpërfshirëse, e zhvilluar në kohë dhe e mbështetur në analiza të plota të politikave, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të këtij raporti”. Theksohej gjithashtu se ajo (Reforma Zgjedhore) duhet të përfshinte harmonizimin e “dispozitave në ligje të ndryshme, që kanë të bëjnë me zgjedhjet”.

Rekomandimet kyçe ishin:

– “Përpjekje serioze […] për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar, ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. [..]Një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.

– Ngritjen e “një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës” me detyrën e ndjekjes “së veprës për abuzim me burimet e shtetit dhe ushtrimin e ndikimit mbi votuesit”.

– Emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë dhe anëtarëve të grupeve të numërimit.

– Kufizimet e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar mendore duhet të hiqen dhe “heqja automatikisht e zgjedhësve të moshës 100 vjeç”.

– Dispozitat penale për shpifjen duhet të shfuqizohen duke u dhënë përparësi zgjidhjeve juridike civile të hartuara për të rivendosur në vend reputacionin e dëmtuar.

Në mënyrë të përmbledhur është kërkuar që, Komisioni i Reformës Zgjedhore në parlament duhej që gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë (në fakt mbeti i kyçur “për meritë” të dy palëve, PS e PD),  të rishikonte dhe të harmonizonte të gjithë legjislacionin që i përket deformimit të zgjedhjeve në mënyrë sistematike, gjatë këtyre 29 viteve.

Thelbi i detyrave që ju vendosën kësaj klase politike kishte të bënte me krijim e një sistemi të ri, i cili do të bënte të mundur; shkëputjen e politikës nga krimi i organizuar në operacionet e tyre për grabitjen, blerjen dhe shantazhimin e votës; Krijimin e një organi të pavarur të monitorimit të fushatave zgjedhore: Depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të të gjithë komisioneve të tjera zgjedhore; Zgjerimin e të drejtës së  votimit (emigrantët); si dhe ndryshimin e Kodin Penal.

Kjo reformë e cila duhej të ishte mbyllur përpara muajit qershor të këtij viti u vendos, edhe si kusht nga ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, për hapjen e negociatave.

Por çfarë ndodhi?!

Sot, gati 2 vite e gjysmë më pas, jo vetëm që nuk është plotësuar asnjë nga këto rekomandime, por bëmë shumë hapa pas me votimet e turpshme mono-partiake të 30 qershorit. Të gjitha palët përgjegjëse me ndërgjegje të plotë e sabotuan këtë reformë jetike sepse e dinë që implementimi i saj dhe çlirimi i votës, shënon edhe fundin e sundimit të tyre. Nëse ka një marrëveshje mes PS-së së Ramës dhe PD-së së Lulzim Bashës, e cila deri më tani ka qenë e  paprekshme, ishte pikërisht kjo; mosndryshimi i këtij sistemi malinj që jo vetëm e pengon vendin në rrugëtimin drejt BE-së, por është edhe mëma e korrupsionit, lidhjes së shtetit dhe politikës me krimin, varfërisë dhe eksodit masiv të shqiptarëve. Por loja ka ndryshuar. Në fushë është futur populli!

Nuk duhet harruar se edhe vetë përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it në Tiranë dhe në Vjenë, si dhe Delegacioni i BE-së, jo vetëm nuk kanë bërë presionin e duhur për implementimin e kësaj reforme, por përkundrazi, vetëm kanë bërë sehir se si PS dhe PD talleshin me rekomandimet dhe kushtet e tyre.

Dje, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij të përçartur në parlament, duke folur për votimet e 30 qershorit që komisionierët e partisë së tij i masakruan deri në komedi deklaroi se, “ato ishin të fundit me komisionerë partiakë”!

Eureka! Edi Rama, më në fund, me gjysmë zëri dhe i ngecur në kurthin që i ka ngritur vetvetes, pranon që të heqë dorë nga kontrolli partiak i zgjedhjeve…

Partia “Zgjidhja” ka 3 vite rresht (më herët se të shkruheshin në letër nga OSBE/ODIHR-i) që kërkon jo vetëm këtë gjë, por edhe më tej; ndryshimin rrënjësor të sistemit, përfshirë edhe kushtetutën e masakruar për këtë çështje nga Berisha-Rama në vitin 2008.

‘Zgjidhja’ sistematikisht i ka kërkuar kësaj klase politike që të reflektojë, duke iu bashkuar projektit të Paktit Kombëtar, për një dakordësi të përgjithshme për  Reformën Zgjedhore dhe Kushtetuese me qëllim çlirimin përfundimtar të votës së lirë, procesit zgjedhor, parlamentit, qeverisjes dhe të vetë partive.

Ky Pakt me të cilin janë pajtuar shumica e opinionit publik dhe mjaft faktorë e aktorë politikë, akademikë, grupe interesi dhe nga shoqëria civile, është shansi i vetëm që vendi të shpëtojë jo vetëm nga kriza aktuale vrastare, por edhe nga tranzicioni 29-vjeçar.

Mes të tjerave, atë që i kemi kërkuar gati çdo ditë kreut të PD-së Lulzim Basha, që në mënyrë të njëanshme të heqë dorë nga komisionet partiake zgjedhore e kapi si “varkë shpëtimi” Edi Rama, kryepuçisti kundër republikës, sovranitetit të popullit dhe zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Luzim Basha, në fjalën që mbajti gjatë protestës së të hënës, foli për herë të parë për një “epokë të re dhe sistem të ri”.

“Detyra më e madhe, prioriteti numër një, është t’u japim shqiptarëve ndryshimin e vërtetë, fundin e tranzicionit, Shqipërinë e lirive, mundësive dhe mirëqenies për të gjithë’, tha Basha.

Por si do ta mbyllin këta të dy tranzicionin shqiptar?!

Ata spërdridhen dhe nuk deklarohen përfundimisht, të paktën për rekomandimet e mësipërme të cilat janë mykur në Kuvend.

Votimet e 30 qershorit, në fakt, ishin një referendum popullor, që tregoi se qytetarët janë pështirosur nga zgjedhjet fake dhe kriminale që bën kjo klasë politike. Për votën e lirë nuk ka më vend për negociata dhe as mashtrime të dala boje prej 3 dekadash. Shqiptarët tashmë janë të ndërgjegjshëm se ku çalon demokracia e tyre; se përse vidhen në mënyrë kaq të pamëshirë; se përse janë populli më i varfër në Europë dhe më tej.

Këtë e ka kuptuar, edhe Edi Rama e Lulzim Basha. Loja mori fund!

Së shpejti, vrasësit e demokracisë kemi për t’i parë si partizanë të reformave, duke synuar të shpëtojnë sa të munden nga anijet e tyre që po mbyten.

Por me Ata, apo pa Ata, ka ardhur koha që në Shqipëri të çlirohet vota dhe vendi të futet më në fund në një sistem të demokracisë funksionale, njësoj si gjithë popujt e Europës.

Këtë nuk e negociojnë më shqiptarët. Të tjerat janë “politikë”!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet