Klubi austriak lë me “gisht në gojë” Skënderbeun, i bën Bregut një ofertë të parezistueshme

Publikuar më 09. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Dejvi Bregu mund të shndërrohet në një “telenovelë” merkatoje, edhe pse për momentin është e sigurt që do të qëndrojë te Luftëtari deri në verën e këtij viti, kur dhe i përfundon kontrata.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë lojtarit, se edhe pse klubet e Skënderbeut dhe Luftëtarit kanë arritur një marrëveshje për Bregun, ky i fundit nuk dëshiron që të vijojë karrierën në Korçë.

Presidentët Ardjan Takaj dhe Grigor Tavo, prej ditësh kanë rënë dakord, por fakti që asnjë prej klubeve nuk zyrtarizon transferimin e Kristal Abazajt dhe vetë Bregut lë shumë hije dyshimi.

Deri më tani ka folur vetëm sulmuesi tropojan, duke konfirmuar kalimin në Korçë, ndërsa vlonjati ka mohuar gjithçka. Nga sa mësohet, në orët e fundit klubi i Bundesligës austriake, Matersburg, ka kontaktuar direkt lojtarin dhe i ka bërë një ofertë të parefuzueshme për sezonin e ardhshëm.

Sipas rregullores, në këtë moment, Bregut i lind e drejta të firmosë një parakontratë, duke qenë se te Luftëtari i kanë mbetur vetëm 6 muaj nga marrëveshja.

Klubi austriak tentoi blerjen e kartonit që në verën e vitit 2017, por presidenti i Luftëtarit refuzoi 100 mijë euro. Tashmë është vetë lojtari që ka marrë në dorë situatën dhe nuk është çudi që të zyrtarizojë parakontratën me Matersburgun, duke lënë kështu me “gisht në gojë” si Luftëtarin, ashtu edhe Skënderbeun.