KLSH përfundon auditimin në Universitetin e Korçës, shkeljet që janë gjetur

Korçë – Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH ka përfunduar auditimin në Universitetin e Korçës “Fan S.Noli” teksa ka konstatuar një sërë shkeljesh në fushën e administrimit financiar. KLSH ka thënë se dëmi ekonomik llogaritet se shkon në vlerën 1.068.188 lekë me TVSH dhe Prokurorisë i është kërkuar një hetim i thelluar në lidhje me këtë gjë.

Njoftimi i plotë i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 202/1, datë 23.02.2018, përfundoi auditimin Financiar dhe të Përputhshmërisë në Universitetin “Fan S. Noli” Korçë, për periudhën nga 01.01.2016 deri më 31.12.2017. Nga auditimi janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, e veçanërisht në fushën e administrimit financiar, kontrollit të brendshëm dhe të prokurimeve publike, të cilat evidentohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit, të depozituar në subjektin e audituar.

* Një ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohet në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe për të cilën i është kërkuar prokurorisë një hetim i thelluar, është ajo e parregullsive në administrimin e dokumentacionit teknik të zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të punimeve ndërtimore si dhe likuidimit të tyre në kushtet e mungesës së mbi 95 % të librezave të masave për objektin “Rikonstruksioni i godinës ish konvikti i shkollës mekanike”. Më konkretisht ka rezultuar: Kontrata bazë dhe shtesë përbëhet prej 4 situacione pjesore progresive, të cilat nuk janë shoqëruar me libreza masash pjesore, në kundërshtim me Udhëzimin e KM nr. 2, datë 13.5.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” dhe Udhëzimin Nr. 1, datë 16.6.2011 “Për disa ndryshime në Udhëzimin nr. 3, datë 15.02.2001 të Këshillit të Ministrave “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, pika 3.3 ku përcaktohet se: “Situacionet mujore pjesore, progresive dhe përfundimtare hartohen mbi bazën e volumeve të llogaritura në librezën e masave dhe çmimeve faktike, mbështetur në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin teknik të çmimeve të ndërtimit, të miratuara çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave. Ato firmosen nga drejtuesi teknik i objektit, mbikëqyrësi i punimeve dhe përfaqësuesi ligjor i sipërmarrësit për të cilin është miratuar leja e ndërtimit”.

Në kushtet e mungesës së dokumentacionit teknik të mbikëqyrësit dhe AK, argumentimet mbi rritjen e volumeve të punimeve nuk justifikohen me llogaritje metrike me librezën e masave në përputhje me Udhëzimin Nr. 1, datë 16.6.2011 “Për disa ndryshime në Udhëzimin nr. 3, datë 15.02.2001 të Këshillit të Ministrave “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, pika 3.2, që përcakton se: “Libreza e masave për punimet e ndërtimit është dokumentacioni bazë për verifikimin e saktësisë së vëllimeve të punimeve të ndërtimit, të vendosura në situacion. Kjo librezë hartohet nga drejtuesi teknik i objektit dhe firmoset nga ai, nga mbikëqyrësi i punimeve dhe nga përfaqësuesi ligjor i sipërmarrësit, për të cilin është miratuar leja e ndërtimit”.

Si përfundim, nga OE me të cilët është lidhur kontrata e zbatimit të punimeve të rikonstruksionit të godinës, janë përfituar padrejtësisht punime të pakryera dhe të mbivendosura, duke i shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 1,068,188 lekë me TVSH. * Nga auditimi i mbajtjes së kontabilitetit janë evidentuar parregullsi e shkelje pasi, nuk janë aplikuar në mënyrë të drejtë rregullat kontabile në bazë të parimit të angazhimeve dhe detyrimeve të konstatuara; ekzistojnë shkelje e mangësi në hartimin e dokumentacionit justifikues të shpenzimeve për karburante e lëndë djegëse në sasinë 99,984 litra në vlerën 15,059,295 lekë; parregullsi ligjore në kryerjen e të gjithë fazave të inventarizimeve fizike të aktiveve; janë kryer transferime të aktiveve pa i pasqyruar në librat e llogarisë; mosdokumentim i sipërfaqeve dhe vlerave të tokës truall dhe fondit të tokave bujqësore në dispozicion të Universitetit, që rezultojnë me një diferencë prej 40,48 ha, etj.

* Nga auditimi ka rezultuar se institucioni nuk ka përditësuar rregulloren e brendshme me ndryshimet ligjore që ka pësuar legjislacioni mbi arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor; janë kryer pagesa të personelit akademik për orët e ngarkesës mbi normë 30-70% (paguar gjithsej 26,266 orë mësimore me vlerë 22,385,780 lekë), në kundërshtim me kërkesat e ligjit për arsimin e lartë dhe Udhëzimet e MAS; parregullsi në zbatimin e dispozitave të prokurimit publik, (që nga përllogaritja e fondit limit deri në marrjen në dorëzim të mallrave, punimeve e shërbimeve). Rezultatet e auditimit kanë evidentuar pagesa të pa ligjshme të Bordit të Administrimit dhe në konflikt interesi, dobësi në zbatimin e procedurave të menaxhimit financiar dhe kontrolleve të brendshme, etj.

KLSH në bazë të përcaktimeve të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e arsimit të lartë në RSH“, ka rekomanduar masat për përmirësimet e kuadrit nënligjor në fuqi, si plotësime e ndryshime të VKM nr. 418, datë 27.06.2012 “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, në lidhje me vendosjen e tarifave të shpërblimit për anëtarët e Bordin e Administrimit që angazhohen në këto funksione administrimi. Si përfundim, për përmirësimin e gjendjes dhe korrigjimin e pasojave të shkeljeve të konstatuara, strukturave përgjegjëse të universitetit “Fan S.Noli” Korçë u janë rekomanduar gjithsej 22 masa organizative, 2 masa për përmirësim legjislacioni, 9 masa për shpërblim dëmi,10 masa disiplinore dhe 15 masa administrative, etj.

Në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e kundraligjshme si dhe ato të evidentuara në Raportin përfundimtar të Auditimit përgjegjësia kryesore bie mbi mbikëqyrësin e punimeve të ndërtimit (apo dhe mbi persona të tjerë që mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve penale). Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si dhe çështje/probleme të tjera të trajtuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Vendimit nr. 74, datë 30.06.2018 si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH ka dërguar indicie penale, për vlerësim dhe veprime të mëtejshme procedurale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

/D.Xh/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet