“Këtu ka mbaruar çdo gjë, shteti na ka braktisur” (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Sofia Roça

Asllan Vrapi, Arti Halili, Reshit Toska dhe Leonard Vrapi rrëfejnë sakrificën e përditshme për të siguruar jetesën. Kalbja e prodhimit në fushë, mungesa e magazinave frigorikerike, shtrenjtësia për të prodhuar dhe marrë kredi dhe sarkazma me atë tokë të begatë që dikur quhej “Hambari i Myzeqesë”

Në Divjakë, edhe pse dimër, të shoqëron një klimë e ngrohtë. Fusha e Myzeqesë ose “Hambari i Myzeqesë” ashtu siç quhej dikur, përbën njësinë më pjellore të vendit tonë. Myzeqeja është fusha më e madhe dhe më e rëndësishme e prodhimtarisë bujqësore. Thellësia e tokës, afërsia me detin e cilësojnë atë si një perlë me cilësi të larta ekologjike. Fusha merr sasi të mëdha orësh diellore, relievi i ulët fushor dhe kodrinor, erërat luajnë rol të rëndësishëm në formimin e klimës së kësaj zone ku zhvillojnë aktivitetin dhe punën e tyre të përditshëm bujqësor fermerët e kësaj zone. Në dalje të autostradës pikërisht në të hyrë të fshatit Çermë të pret një nga fermerët e asaj zone, Arti Halili.

Ai rrëfen për “Shekulli”-n  historinë e tij se si u kthye nga emigrimi në Shqipëri dhe problemet e shumta që duhet të kalojë për të investuar ne këtë vend. Ai ndalet për një moment duke thënë  “Për mua që prodhoj mallin nuk pyet njeri! ” Duke përmendur vizitën e kryeministrit në Divjakë para dy ditësh Arti vazhdon: “Pe dje në televizor ti? Dje, atje në Divjkë kryeministri shkoi tek ai që prodhon kubikë, te superbosi i Divjakës. Rama më shkon atje, mu ke biznesmeni.

Hajde tek unë, ti re, un jam mbytur, nuk më shitet malli. Unë kam 6 kuintal rrënjë lakre,”-thotë fermeri dhe hedh vështrimin nga shokët e tij. “Ky mund të ketë nja 1 mijë kuintal, ai shoku tjetër mund të ketë 2 mijë kuintal. Nuk shitet malli, na mbeti stok. Turp i Zotit, kam torturuar fëmijët. Kam 3 fëmijë në shkollë të lartë. Te torturosh familjen dhe të mos fitosh asgjë. Kam qenë në kurbet dhe jam penduar që u ktheva që në 2009-ën.

Të marr çantën unë tani të iki prapë në kurbet? ”.  Në Çermë e Sipërme, bien në sy tokat e punuara, ku mbizotëron lulelakra, si produkti  më i kultivuar i stinës. Në tokën e fermerit Arti Halili, e mbushur me lulelakër, pjesa më e madhe e saj nuk mund të shitet më, sepse ishin dëmtuar nga qëndrimi për një periudhë të gjatë në tokë. Arti nuk kishte mundur t’i shiste  nga mungesa e tregut dhe importi nga jashtë.

Asllan Vrapi, një nga fermerët që na shoqëron për nga fushat e mbjella, tregon për “Shekulli”-n problemin e madh që kanë me eksportin e mallrave. “ Qeveria na ka bllokuar doganat, na ka bllokuar rrugën, nuk ka një njeri që ta marrë mallin tonë. Mosorganizimi i tregut dhe importi nga jashtë që po i jep prioritet qeveria, ne na e ka bllokuar mallin, bllokon mallin vendas. S’kemi fitim në punën që bëjmë. Po ikin të gjithë. E lanë vendin bosh. Ka shtet, apo ska. Ne duam rrugë. Nuk shitet malli, ky është problemi më i madh.

Zoti kryeministër vete më bën mua për qytetin! Ti bëj për qytetin, bravo të qoftë se njerëz janë edhe ato, por fshati, bujqësia, ka perkrahje zero! Nuk ka të bëjë bindja politike me kë jemi. Ne shikojmë të vërtetën. Nuk po ia dalim dot nuk paguajmë dot taksa, lekë dritash. Qeveria ka nxjerrë urdhër tani taksat do i marrë me forcë! Çfarë do më marrë mua? Do më marrë shpirtin?  Unë nuk kam ta paguaj, si mund të më vijë taksa mua pa patur letrat e shtëpisë?”

Në Shqipëri, afro gjysma e banorëve jetojnë në fshat dhe ata konsiderohen si të vetëpunësuar në miniferma me pak dynymë tokë bujqësore. Për afro dy dekada fermerët nuk gëzojnë mbështetje nga shteti. Mirëpo, vështirësitë dhe problematikat kanë qenë të shumta për ta. Arti, i zhgënjyer nga realiteti ku i duhet të punojë çdo ditë për të nxjerrë sado pak të ardhura, vijon duke numëruar problemet. “I punojmë tokat me vështirësi. I kemi mbjellë produktet e pranverës. Tani kemi bërë porosinë e shalqinit. Me 650 lek  mora fidanin. Më shkuan rreth 1000 fidanë për 2-3 dynym tokë. Me çfarë t’i paguaj unë këto? Kur vjen koha që rritet fidani ai që mi ka shitur kërkon lekët. Unë të ardhura të tjera s’kam, lakra nuk po shitet.

Si unë ka shumë të tjerë. Dikush mundohet që t’i mbulojë shpenzimet nga pensioni që merr dikush tjetër nga fëmijët që i ka jashtë shtetit, rregullohemi me njëri tjetrin. Jemi në vështirësi nuk kemi çfarë të bëjmë. Vitin e kaluar pati gjithë ato përmbytje dhe dolën e na thanë se do subvencionoheni ju që pësuat dëmtime dhe asgjë nuk morëm. Çdo dëmtim e rregulluam vetë. Askush nuk na ndihmoi. Shpenzime katastrofë. T’i shkruash ti këto do të të dhembë koka ty jo mua që i kam e i bëj! Duke filluar që nga kubiku 500 lek. Një rrënjë shalqini që e mbjell unë që këtu filloj me dy mijë lek minus. Plasmasi, plugimi, frezimi, plehrat, kubiku kur vjen puna në fund nuk shitet malli. Këtu kanë qenë 5-6 frigoriferë që grumbullonin mallin dhe të gjitha janë mbyllur, nuk ka asnjë. Ato janë bllokur. Tregtarët vijnë gjithmonë tek frigoriferi për të parë mallin, ne frigoriferat na i hoqën. Këtu s’ka shpresë, s’ka të ardhme ”, thotë fermeri.

Fermeri Reshit Toska “Në qoftë se unë të rrendis shpenzimet e një bujku do të zeri koka”  

Reshit Toska numëron shpenzimet dhe vështirësitë që duhet të përballojë një bujk dhe sa hallka kalon për të mbjellë tokën. “Realiteti është ky. Unë kam që në vitin  1993 qe merem me bujqësi dhe blegtori. Unë kam 2 hektarë tokë të miat dhe pjesën tjetër e kam me qera. Duke llogaritur dhe tokën që kam me qera shkon 8 hektarë. Unë sot zotëroj 8 hektarë tokë dhe nuk kam subvencionim nga shteti. Shkoj të kërkoj subvencion për blegtorinë dhe thonë se duhet të kesh mbi 10 lopë e lart që të përfitosh 100 mijë lekë për lopë dhe kështu këto subvencione që premtohen do t’i marrin firmat e fuqishme jo ne, bujqit e vegjël.

Gjithmonë “peshku i madh e ha të voglin” – thotë me nënqeshje Reshiti dhe vijon. “Ne me këto të mbjella e përballojmë jetën. Me të gjitha gjërat jemi shumë keq. Duke fillluar nga traktori, plehu, nafta, ujin që e nxjerr vetë se nuk ka. Gjithë ky pellgu ynë këtu nuk ka gjënë kryesore për të punuar. Nuk kemi kanalizime, rrugë, ura. Ti nuk e beson por një nga këto ditë që kishte dhe shi, për pak rrugë që më duhej të bëja që të transportoja mallin me zetor ngela në mes të baltës. Në qoftë se unë të rrendis shpenzimet do të të zërë koka!

Unë paguaj 13 mijë lek plugimin për dynym, 16 mijë  lek freza për dynym , 5 mijë lekë për dynym mbjellja me zetor, 40 mijë lek qiraja për dynym, plehërimi bujqesor do 50 kg DAP për 1 dynym, i cili kushton 76 mijë lek kuintali, 50 kg ure kushton 25 mijë lek për dynym, fara e misrit 8-12 mijë lëk shkon kilogrami, 10 mijë lek korrja e misrit, 30 mijë lekë për transport! Jemi aq të stresuar sa i harrojmë gjërat. Mallin e mbajmë në shtëpi, sepse nuk kemi magazina. Duke qenë se nuk kemi frigorifer e lëmë në tokë dhe na kalbet.  Ky quhet kot “Hambari i Myzeqesë”  ose “Bilbili i Myzeqesë”, sepse dikur mbillej shumë tani nuk është më kështu. Këtu ka humbur çdo gjë. Tani përparësi ka marrë vetëm Divjaka po edhe aty ato 6 frigorifer që ishin nuk janë më, çdo fitim i shkon tregtarit të madh dhe bujku ka përgjithësisht vetëm humbje”, thotë fermeri.

 

Leonard Vrapi: E vështirë të marrësh një kredi bujqësore sot!

Banka është ndihma e parë e fermerit që ka nevojë për kapital për produktet që do kultivojë dhe që nga aty nis rrugëtimi i një fermeri për të prodhuar. “ Ne shpesh herë dalim me humbje pikërisht per kreditë me interes të lartë që na japin bankat-thotë fermer Leonard Vrapi -Duhet të ketë një ligj i cili të zbusë interesat për fermerët.

P.sh. nëse një fermer merr një kredi prej 500 mijë lekë totali që paguan për të shlyer kredinë në fund është 900 mijë, sepse interesi i kredisë është i lartë, pra 25%. Ka ndodhur që produkti nuk është shitur, edhe për arsye natyrore, ndodhin edhe këto të papritura në bujqësi dhe nuk kam nxjerrë fitimin e llogaritur më parë, por kam qenë i detyruar të paguaj kredinë.

Në momentin që malli është gati për t’u shitur ne na mnugon tregu, nuk ka treg për të shitur dhe në këtë mënyrë fermeri ngel në qiell të hapur sepse ndihma nga shteti është zero, nuk kemi përkrahje. Vëmendja e qeverisë duhet të fokusohet në rritjen e buxhetit për përmirësimin e infrastrukturës në bujqësi. Kjo do të bënte që produkti bujqësor të mbërrinte në kohë dhe të mos dëmtohej dhe gjithashtu të ndërhyjë në normat e interesit për kreditë bujqësore. Një gjë e tillë do të ndikonte në uljen e importeve dhe rritjen e eksporteve”-thotë fermeri.

Makineritë bujqësore

Toka punohet me kafshë ose me krahë. Ndonëse jemi në vitin 2018 makineritë bujqësore të cilat prej kohësh janë futur në treg nuk njihen nga fermerët. Banorët në këtë zonë thonë se e kanë shumë të rëndë punimin e tokës me mekanikë bujqësore, sipas tyre nuk ka subvencionim të çmimit të naftës për këtë qëllim, pavarësisht se qeveritë njëra pas tjetrës e premtojnë një gjë të tillë. Shumë banorë vazhdojnë ende të përdorin kafësht shtëpiake për punimin e tokës ndërsa pjesa tjetër me krahë. Kjo bën që toka të punohet sërisht ashtu siç është punuar në shekullin e kaluar ku krahu mbetet ende mjeti kryesor i punimit të tokës.

Tregu i pasigurtë

Në mungesë të tregut të sigurtë fitimet e fermerëve janë të ulëta. Ka shumë rendiment por e shesim me çmim shumë të ulët për cilësinë që kanë. Kimikatet përdoren pa karar nga fermerët sepse nuk ka kontratë nga shteti që ta ndalojë këtë gjë. Tregëtari sigurisht që do blejë aty ku shitet me çmim më të ulët por sigurisht që nga hormoni i përdorur cilesia është më e ulët. Planifikimi dhe ndërhyrja e shtetit mund të kontribuojë në rritje të fitimit të fermerëve.

Transporti primitiv 

“Ne jemi zonë bujqësore , kur vjen puna të transportojme mall nuk shkojmë dot në treg të transportojmë mallin kemi probleme të mëdha me rrugët. Rrugët kanë arritur në degradim. Ngëlim në mës të rrugës nga lluca dhe balta që krijohet, harxhojmë nfatë kot.  Mungesa e investimeve në zonë na vështirëson jo vetëm një transport normal nuk punojmë dot në kushte normale por edhe shkëmbime tregtare nuk ka.

Transporti realizohet me anë të kafshëve dhe ai që është fatlum mund ta bëjë me mjete transporti , si zetar. Vështirësitë në transport janë të shumta, janë rrugët që nuk janë të mira, jo të gjithë kanë mjetet e transportit dhe kërkojnë që t’i kërkojnë nga njëri-tjetri në formë favori.”

Të tjera

Abissnet