Këtë herë jam maqedonas

Agim Xhafka

Sa herë sjell shembuj nga USA për shumë rregulla e ligje që zbatohen atje,më përgjigjen miqtë e shokët:
-Me Amerikën do na krahasosh? Je në vete,Gimo?! Dhe pjesërisht kanë të drejtë. Nuk mund të bëhen analogji me vendin numër 1 në botë. Por kjo na ka bërë që të krahasohemi me veten e mbetëm etalonë të sherrit, prapambetjes, varfërisë, racizmit, përbuzjes, dembelizmit, ikjes nga atdheu, krijimit të një shteti hajdut, bërjen deputet të vrasësve, mbjelljes së vendit me hashash, shitjes së votës e së shpejti mbase dhe shitjes së shpirtit tek djalli me brirë. Por këtë herë jam maqedonas. Po i sjell shembujt nga ky vend fqinj,e kemi veç ca kilometër larg, por ja që as këtij shteti nuk i qasemi. Maqedonia është një vend më i vogël se ne, me më pak tokë e banorë. Pa det, veç me një liqen e disponon 70 mijë shtretër për turistët, aq sa ne që kemi 400 km det e tre liqene. Fqinji ynë është më i varfër se ne, por sa hyn atje të mirëpret një gjelbërim i paparë, kanë rrugë të ngushta, por të vijëzuara e pa gropa. Energjinë elektrike e prodhojnë më pak se ne, kanë çerekun e hidrocentraleve tona, por nuk ikin dritat kurrë.

Karburantin me gjysmën e çmimit shqiptar dhe cilësor. Në dyqane asnjëherë nuk del pa faturë, me 50 euro/nata kalon pushimet në hotele me pesë yje. Nuk gjen kund çadra e shezllonë me pagesë, madje edhe wi-fi në plazhe është free. Ohri ka vite që jeton nën mbrojtjen e UNESCO-s, këtë qytet e vizitojnë mbi një milionë turistë nga bota, shifër që e kanë zili dhe metropolet evropiane. E di që Maqedoninë e kanë vizituar krejt banorët e Shqipërisë. Biem dakord se janë të varfër, më shumë se ne, por po ia dalin të jetojnë mirë në shtetin e tyre. Çmimet e ushqimeve dhe shpenzimet mujore të një familje janë gjysmat tona e ndërkohë rrogat mesatare më të larta se tek ne.
Unë them jam maqedonas jo se dua të jem i tillë. Nga që banoj në Amerikë u këshilloj patriotëve të mi që të bëhen maqedonas, vetëm në rregulla, në ligje, në marrëdhënie, në solidaritet. Ndryshe do ngelemi delja e zezë e Ballkanit. Mbytur në borxhe e boshatisur nga njerëzit, popull që kërleshemi në sherre mes vetit dhe varfëria do na përpijë si rrotullamja e shpejtë e një cikloni të fuqishëm…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet