Këshilli Politik i partive të vjetra

Koço Kokëdhima

PS, PD dhe LSI u bënë sërish bashkë në Këshillin Politik që thuhet se do të bëjë reformën zgjedhore për të plotësuar kushtet që Shqipërisë t’i hapen bisedimet me BE-në.

E kam paralajmëruar shumë herë se ata do të bëheshin bashkë, jo për të zgjidhur hallet e shqiptarëve, por për të mbyllur pazaret e tyre. Ndryshe nuk shpjegohet se si, një vit pasi dogjën mandatet e deputetëve, sulmuan me mototovë institucionet dhe u përbetuan se nuk do të uleshin kurrë në një tryezë me Ramën, pse ai përfaqësonte qeverinë e krimit dhe të drogës, PD dhe LSI sot u puthën me shumë mall me PS-në.

I ka ulur në një tryezë vendosmëria për të mos lëshuar zgjedhjet, për të mos u kthyer liritë politike shqiptarëve. Reforma zgjedhore që duan të bëjnë deri më 15 mars mban në këmbë Kodin aktual zgjedhor, administrimin politik të zgjedhjeve, listat e mbyllura të kandidatëve që dalin nga xhepi i kryetarëve, nuk demokratizon as partitë dhe as Shqipërinë.

‘Zgjidhja’ nuk do të bëhet pjesë e këtij pazari të turpshëm të partive të vjetra. Ajo do të vijojë të luftojë bashkë me shqiptarët për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe reformë kushtetuese, kundër proceseve zgjedhore ku tri parti numërojnë dhe ndajnë mes tyre votat e partive të tjera, për kandidatë për deputetë, kryetarë bashkish dhe këshilltarë të dalë nga populli dhe jo xhepat e kryetarëve.

‘Zgjidhja’ paralajmëron miqtë e Shqipërisë, se reforma zgjedhore që do të bëjnë këto tri parti nuk do të përmbushë asnjë rekomandim kyç të OSBE/ODIHR-it dhe nuk do ta zgjidhë krizën në vend, por do ta mbulojë, shtyjë në kohë dhe do ta çojë në rrugën pa kthim të shkatërrimit dhe falimentimit të shtetit shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet