Këshilla e pronares greke më bëri të kthehesha në Shqipëri

Nga Xhensila Demollaj

Nuk ndodh shpesh që në mos për shkaqe krize, shqiptarët të kthehen në atdhe. Këtë e pamë më së mirë gjatë viteve 2007-2008, kur kriza ekonomike greke riktheu në vend shumë prej të emigruarve. Megjithatë, shpresa nuk duhet humbur. Xhemil Zeqo së bashku me të vëllanë nuk qëndruan gjatë në shtetin helen. 4 vite emigrim ishin gati të tepërta për ta. “Në kohën e Enverit kemi bërë disa kurse. Kemi qenë brigadier, zv. brigadier, kryetar partie, këshilli etj. Por ndryshuan gjërat. Pas shpalljes së demokracisë, në vitet e para kemi qenë në emigracion. 4 vite dhe atje me perime jemi marrë. Por, u kthyem! Pronarja që kishim na tha: nëse rrini këtu do mbeteni fukarenj. Ne merrnim 4000 dhrami, 4 unë, 4 vëllai. I bie 1600 lekë me të tonat sot, në ditë.

Kështu që, erdhëm këtu dhe filluam punën tone”, thotë Xhemili, teksa kthehet në kujtime rreth 22 vite më parë. “Kam 22 vite që punoj me vëllain. Nuk jemi ndarë asnjëherë. Nuk jemi zënë asnjëherë. Ne i kemi ndarë detyrat, unë jam në toka, ai në treg. Gjithë këtë tokë, që sheh këtu e kemi krijuar me mund. Kemi shitur me një karrocë tek. Më pas blemë një fugon, blemë një kamion, gjithë këtë platancion këtu e kemi ndërtuar të dy”. Megjithatë, Xhemili këmbëngul se shteti duhet të vërë dorë në bujqësi.

Ai thotë se fermerët kanë shumë taksa dhe vështirësi, ndaj bën apel për ndihmë. “Ne jemi nga të vetmit fermerë, me taksa, me siguracione, të gjitha gjërat me dokumenta dhe të saktë në pagesat e detyrimeve. 9600 lekë vete vetëm kamioni çdo vit, 1700 lekë sigurime shoqërore. Unë jam 53 vjeç, me të gjitha rregullat. Shteti duhet të hapë eksportet, të lirojë rrugën për tregun. Unë kam një djalë, nuk dua që të ikë në emigrim, dua që të punojë këtu dhe të ushqehet në vendin e tij”, përfundon Xhemil Zeqo.

Të tjera

Abissnet