I kërkuari i Treblovës/ Policia s’e gjen dot, të dyshuarin e “kap” noterja

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Prej një viti është në kërkim nga policia, por ky fakt nuk e pengon të shkojë tek noterja dhe të japë një deklaratë noteriale për Gjykatën Krimeve të Rënda. Kështu ka vepruar Xhovalin Baco, një nga të akuzuarit e grupit të Treblovës. Të akuzuarve, në tetor të vitit 2016, iu gjetën në total rreth 10 tonë kanabis sativa.
Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën e Krimeve të Rënda avokati i Bacos i dorëzoi trupit gjykues një deklaratë noteriale të mbajtur në datë 22 nëntor të këtij viti përpara noteres Valbona Meçe në qytetin e Vlorës. Në këtë deklaratë, i shpalluri në kërkim Xhovalin Baco pranonte se kishte dijeni për procesin dhe se kërkonte që të mbrohej nga avokati i tij, Erion Laze, ndërsa nga ana tjetër Policia e Vlorës raporton se nuk e gjen dot këtë person.
Dokumenti noterial i personit në kërkim u administrua nga gjykata. Seanca më pas u shty, sepse një tjetër anëtar i dyshuar i grupit, Reshat Radhima, edhe ai në kërkim, gjykatës nuk i rezulton që ai apo ndonjë familjar i tij të ketë marrë dijeni për zhvillimin e këtij procesi. Në historinë e grupit të Treblovës, ku të gjithë të dyshuarit akuzohen për 10 tonë kanabis, i dyshuari kryesor është Taulant Haxhiraj. Për personat që ende nuk gjenden nga policia, trupi gjykues i kryesuar nga Klodian Kurushi, deklaroi se do të njoftonte Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe e shtyu seancën për një tjetër datë./tch