Kërkohej për trafik kokaine, arrestohet anëtari i fisit Çapja në Elbasan

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Një anëtar i fisit Çapja, i kërkuar për trafik kokaine, ka përfunduar në prangat e Policisë së Elbasanit.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe FNSH-në, kanë kapur dhe ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet dhe ndalohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi:

Besnik ÇAPJA, (alias Besnik BYLYKU, Kliton PRIFTI) 40 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.

Kapja e këtij shtetasi i cili mbahej nën vëzhgim nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Elbasan, u bë në një pikë lloto – sporti në rrugën “Rinia”, në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.

Ky shtetas më datë 28.11.2017, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, Itali, pasi:
Autoritetet Gjyqësore në Torino, Itali, me vendim nr. SIEP 431/2017, datë 01.06.2017 e kanë dënuar me 6 vjet e 4 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale të “Pjesëmarrjes në Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga nenet 110 të Kodit Penal Italian dhe neni 73 i ligjit 309/1990.

Gjatë periudhës 01.06.2011 deri në 16.11.2011, në Torino, Santena, ky shtetas ka qenë në cilësinë e anëtarit të organizatës kriminale me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të drogës, të llojit Kokainë.