Keni probleme me pagjumësinë? Këto janë bimët që do ju ndihmojnë të flini

Ne kemi folur “gjerë e gjatë” për pasojat e pagjumësisë, por si ta sigurojmë një gjumë të qetë dhe pa ndërprerje? Me pak fjalë, çfarë mund të bëni për të rregulluar problemet me gjumin?

Këtu janë disa nga mënyrat më të mira natyrore për të nxitur gjumin e shëndetshëm, të shqyrtuara nga ekspertët shëndetësorë.

Bëhet fjalë për 5 bimë, që të gjitha të gjenden në Shqipëri, mund t’i shkulni vetë nga fushat, kodrat e malet tona. Pra, janë FALAS, nëse i mblidhni vetë. Ose, mund t’i blini kundrejt çmimeve ekonomike pranë dyqaneve bimore, farmaci, supermarkete të mëdha, online në internet etj.

PINI ÇAJ KAMOMILI

Për vite, kamomili është konsideruar gjerësisht si një qetësues dhe induktues i gjumit. Kamomili ka vetitë më të mira të cilat ndihmojnë për të fjetur më mirë gjatë natës.

– Përzieni 2 deri 3 lugë çaji kamomil të thatë në një gotë me ujë të nxehtë. E lini të qëndrojë për 3 deri në 5 minuta. Kullojeni dhe shtoni 1 lugë çaji mjaltë. Ju gjithashtu mund të shtoni pak pluhur kanelle. Pijeni këtë çaj, ndërsa është ende i ngrohtë 1 orë para se të shkoni në shtrat. Bëjeni këtë çdo darkë.

MELISA–BAR BLETE

Melisa (MELISA OFFICINALIS) e ka marrë emrin nga fjala greke melisohorto – bimë blete (bar blete), pasi bletët shkojnë shpesh në lulet e saj për të mbledhur nektarin. Ajo është përdorur që në Mesjetë për të reduktuar stresin e ankthin dhe për të ndihmuar gjumin.

Në një studim të bërë me disa vullnetarë të shëndetshëm që morën ekstrakt melise (600 mg), u vu re që ata ishin më të qetë dhe vigjilentë se ata që merrnin placebo. Në përgjithësi, melisa është bimë e sigurt, por disa studime kanë treguar se nëse merr më shumë se ç’duhet, mund të ndjehesh edhe më shumë në ankth.

Kështu, pra, ndiqni udhëzimet dhe filloni me dozat më të vogla. Melisa shitet si çaj, kapsulë dhe ekstrakt. Shpesh kombinohet me bimë qetësuese si humulusi, kamomili dhe valeriana.

VALERIANA, MË E MIRA

Disa suplemente bimore reduktojnë stresin pa ju sjellë gjumë (si L-Theanine), ndërsa të tjera, janë sedative. Valeriana (valeriana officinalis) i përket grupit të dytë sepse ka përbërës sedativë. Në fakt, qeveria gjermane e ka aprovuar si trajtim për problemet e gjumit. V aleriana ka një aromë të keqe, prandaj shumica e njerëzve e përdorin si kapsulë ose ekstrakt dhe jo në formë çaji. Nëse doni ta provoni, merreni në darkë, jo para se të shkoni në punë!

Valeriana përmban përbërës që mund të nxisin gjumin dhe të ulin ankthin. Këtu përfshihet: acidi valerenic acidi isovaleric dhe një varietet antioksidantësh. Valeriana ka marrë vlerësim për bashkëveprimin me acidin gamma – aminobutyric (GABA), një kimikat që ndihmon në rregullimin e impulseve nervore të trurit tuaj dhe të sistemit nervor.

Studimet kanë treguar që nivelet e ulëta të këtij acidi GABA kanë lidhje me stresin kronik dhe akut, si dhe me ankthin dhe cilësinë e ulët të gjumit. Acidi Valerenic pengon shkatërrimin e GABA në tru, duke rezultuar në ndjenjën e qetësisë. Kjo ka të njëjtën vlerë si funksionojnë me ilaçet Valium dhe Xanax. Rrënjët Valeriana përmbajnë antioksidantët hesperidin dhe linarin, të cilët kanë veti sedative dhe gjumë të mirë.

RELAKSOHUNI ME VAJ LIVANDOJE

Era aromatike e vajit të livandës ka një efekt qetësues në trupin tuaj, që ju ndihmon të flini më mirë. Në fakt, aroma e këndshme e vajit të livandës ka efekte shumë të mira për sistemin nervor. Kjo madje redukton tensionin dhe ankthin dhe ndihmon në krijimin e një atmosfere relaksimi duke nxitur një gjumë të shëndetshëm..

– Vendosni 1 ose 2 pika vaj esencial të livandës në një shami dhe vendoseni pranë jastëkut tuaj gjatë gjumit.

-Përndryshe, shtoni disa pika të vajit të livandës në një vaskë të mbushur me ujë të ngrohtë. Zhytuni në këtë ujë për 20 minuta. Bëjeni këtë të paktën një orë para se të shkoni në shtrat.

– Ju gjithashtu mund të përzieni disa pika të këtij vaj esencial, në 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe të fërkoni fundet e këmbëve, para se të shkoni në shtrat.

LULESAHATI

Lulja e sahatit është e njohur për vetitë e saj qetësuese. Kjo lule me emrin botanik Passiflora njihet ndryshe si lulja e pasionit. Një nga përdorimet më të zakonshme të çajit ose ekstraktit të lules së sahatit në mjekësi është kundër pagjumësisë. Gjatë studimeve të kohëve të fundit, shkencëtarët kanë arritur në konkluzionin se konsumi i dozave të vogla të çajit të lules së sahatit ofron përfitime tek të rriturit që vuajnë nga pagjumësia.

– Lulen e sahatit mund ta përdorni si tretësirë ose çaj. Zieni në çajnik një gotë me ujë. Merrni një lugë çaji me lule të thatë dhe hidheni në çajnik. Ziejeni për 10 minuta dhe më pas kullojeni. Pijeni sipas dëshirës.

Lulen e sahatit mund ta përfshini edhe në vaskë për të pasur një eksperiencë vërtet qetësuese. Receta e mëposhtme e sugjeruar për çajin e lules së sahatit, do t’ju vijë në ndihmë për gjumë, por edhe kundër stresit, ankthit dhe neurozave të lehta.

KËSHILLA SHTESË

Pirja e një gote qumësht të ngrohtë para gjumit patjetër do t’ju ndihmojë të shijoni gjumë të shëndetshëm, pasi ai ka një efekt relaksues në trupin dhe mendjen tuaj.

Vishnjet përmbajnë melatonin, një hormon që ndihmon në rregullimin e ciklit gjumë-zgjim. Pini gjysmë deri në një filxhan lëng vishnje dy herë në ditë. Nëse nuk gjeni dot vishnje, mund të përdorni qershi ose komposto qershie, mundësisht të jenë ato me ngjyrë të kuqe sa më të errët, pra me ngjyrën vishnje.

TRYPTOPHAN: Ushqimet ku gjendet aminoacidi që ju vë në gjumë

Konsumoni ushqime që përmbajnë nivele të larta tryptophan-i, i cili është një aminoacid që ju ndihmon të flini. Ushqimet që kanë tryptophan janë kosi, vezët, djathi, qitro, qumështi, bananet, gjeli i detit, arrat, toni dhe fiqtë. Konsumoni këtë ushqime çdo natë, të paktën 1 orë para se të shkoni për të fjetur.

Konsumoni ushqime të lehta dhe karbohidrate komplekse. Karbohidratet ndihmojnë në prodhimin e serotoninës, që është një substance që sjell gjumin.

Po ashtu ushqimet që ju vënë në gjumë janë një gotë qumësht i ngrohtë, një sanduiç me mish pule apo dhe një tas me bollgur.

Dieta që nuk ofron sasinë e duhur të magnezit ju shkakton nervozizëm, që mund të çojë në zgjimin gjatë natës. Ushqimet që përmbajnë magnez janë farat e lirit, bajamet etj.

Evitoni ngrënien e sasisë së lartë të ushqimeve apo pirjen e shumë lëngjeve përpara se të shkoni për të fjetur. Gjithashtu qëndroni larg duhanit dhe kafes sidomos në mbrëmje. /supershendeti.com/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet