Këngëtarët “big” bashkë me Adi Krastën rikthehen në Festivalin e Këngës

Publikuar më 18. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Festivali i Këngës në RTSH në datat 21-22 dhe 23 dhjetor. Këtë vit në garë për në “Eurosong” janë 22 këngë. Pas një mungese të gjatë Manjolla Nallbani, Elton Deda dhe Redon Makashi i bashkohen festivalit

Festivali i 56-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar në tre net. Organizatorët prezantuan dje formulën e konkurrimit. Publiku do të njihet me 22 këngët pjesëmarrëse fillimisht, nëpërmjet radios dhe televizionit. Në natën e parë do të prezantohen 11 këngë. Nata e dytë do të jetë po kështu, ndërsa nata e tretë spektakël. Gjithashtu do të ketë edhe një post-festival, ku panelistët do të trajtojnë tema të ndryshme, që kanë të bëjnë me festivalin, por jo vetëm. Gjatë ditës së djeshme, moderatori dhe gazetari i njohur Adi Krasta, regjisori Pali Kuke dhe drejtori muzikor Sokol Marsi argumentuan, se përse ky festival do të jetë i suksesshëm. Skenografia i është besuar Albi Çiflikut, ndërsa drejtues i Orkestrës do të jetë kantautori Elton Deda.

Adi Krasta: Nuk do të kisha marrë përsipër asnjëherë, një festival, që nuk është dinjitoz në përzgjedhje!

Prezantuesi Adi Krasta merr përsipër (për të gjashtën herë), që të drejtojë Festivalin e Këngës në RTSH. Këtë vendim, shpjegon ai, e mori përsipër, bashkë me stafin, sepse dëshirojnë të shkojnë kundër rrymës, duke kërkuar ringritjen e festivalit. “Këtë vit duam që të ndiejmë çdo sekondë në këtë aktivitet. Duam që të bëjmë një festival ndryshe nga festivalet që kanë qenë, por edhe që do të vinë. Mbase nuk do ta bëjmë tërë jetën, sepse të paktën për mua mund të jetë festivali i fundit. Nuk pretendojmë ‘Sanremo’-n, por do të jetë një festival me gjëra të patepruara”.

Vëmendja kryesore do të jenë këngët, prandaj Krasta mendon se këngëtarët duhet të shkojnë në këtë skenë, si artistë të mëdhenj, sikur po shkojnë në skenën ‘Asiston’, që nga veshja artistike, deri tek sjellja artistike. “Nuk jemi fare të shqetësuar këtë vit se kush fiton çmimin e parë. Për mua ekzistenca e ‘Eruosong’-ut nuk më inkuriozon gjëkundi. Dëshiroj që të bëhet një shfaqje edhe për publikun, që na ndjekë nga shtëpia”. Krasta shprehet se është i emocionuar në këtë rikthim të tijin, prandaj nuk ka dëshirë, që të përjetojë asnjë skualifikim, pasi festivali zhvillohet çdo vit. Në qendër të festivalit është një ansambël; orkestra, dirigjenti dhe instrumentistët. Gjithashtu do të ketë edhe një post festival, ku do të diskutohet pas natës së parë dhe natës së dytë të festivalit.

“Shpeshherë jemi ndierë të futur në një rrjedh diskutimesh dhe thashethemesh, të cilat na fusin në një vorbull. Por, këtë vit kjo gjë nuk do të ndodhë, sepse do të zhvillojmë një post-festival, ku do të flitet për disa tema, që nga rënia e sensit të humanizmit në vendin tonë, deri tek ata njerëz që jetojnë këtu, duke mos e urryer këtë vend. Është një postfestival analitik, ku do të bëhet nga ne gjykimi për festivalin. Seç thuhet edhe siç ndihet ne jemi vend demokratik, me praninë e të gjithë njerëzve që dinë të bëjnë një analizë të mirëfilltë”. Krasta shton se së bashku me organizatorët garanton një festival të ndryshëm edhe të bukur.

“Ne të tre kurrë nuk do të ishim këtu, unë personalisht nuk do të kisha marrë kurrë një festival përsipër, që nuk është dinjitoz në përzgjedhje”, përfundon Krasta.

Lista e këngëtarëve

Kësaj here, gara nuk do të jetë edhe aq e lehtë! Këngëtarët që do të marrin pjesë janë: 1) Artemisa Mithi; 2)Boiken Lako; 3) David dhe Genc Tukiçi; 4)Denisa Gjezo; 5)Elton Deda; 6) Ergi Bregu; 7) Evans Rama; 8)Eugent Bushpepa; 9) Grupi “Akullthyesit”; 10)Grupi “Lynx” ; 11) Grupi “Na”; 12) Inest Neziri; 13)Lorela Sejdini;14) Manjola Nallbani; 15) Mariza Ikonomi; 16) Orgesa Zaimi; 17) Redon Makashi; 18 Rezarta Smaja e Luis Ejlli; 19) Stefi dhe Endri Prifti; 20) Tahir Gjoci; 21) Voltan Prodani dhe 22) Xhesika Polo.

Sokol Marsi: Këngëtarët e njohur dhe të rinj, garanci për këtë festival

Drejtori muzikor i Festivalit të 56-të të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Sokol Marsi, u shpreh se: “Ky do të jetë festivali ynë. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja, blloku i këngëtarëve ‘big’ dhe atyre të rinj, të cilët nuk mungojnë. Kjo është garanci për të pasur një festival të suksesshëm”. Ndërsa, përsa i përket pjesëmarrjes së këngëve shton se, festivali ka qenë i hapur ndaj pranimit, gjatë një muaj rresht, të gjithë ata që kanë dëshiruar që të marrin pjesë kanë pasur mundësi, që të dorëzojnë këngët e tyre. “Nuk është gjë e lehët, se duket sikur gjithkush këndon, por jo gjithkush këndon. Në radhë të parë këndohet edhe performohet.

Këngëtarët, kompozitorët dhe tekstet në vëmendjen time janë profesionistët e vërtetë, prandaj vëmendja ime ndaj tyre nuk mungon”. Producenti Sokol Marsi thotë se janë 22 këngë pjesëmarrëse, të cilat ndahen; 11 ditën e parë dhe 11 ditën e dytë. Nata e tretë do të jetë një shou. Përsa u përket diskutimeve për skualifikimin e Arilenës, apo çmimit të parë, që ishte “shpallur” para festivalit Marsi shton se: Proceduara është normale, si në çdo konkurs tjetër, nuk ka asnjë lidhje se çfarë thuhet, sepse për këtë mund të flasë NASA edhe NATO, por ne jemi stafi zyrtar i festivalit, s’marrim përsipër se çfarë ndodh në rrjetet sociale”.

Këshilli drejtues i RTSH-s ka miratuar enkas një rregullore, të cilën do ta nënshkruajnë të gjithë këngëtarët pjesëmarrës, të cilët gjatë një muaj prova duhet që të bashkëpunojnë me stafin drejtues të Festivalit. Ndërsa, këngët që janë të regjistruara duhet të dorëzohen në version audio dhe video, sepse do të transmetohen.

Pali Kuke: Këngët pjesëmarrëse do të prezantohen para festivalit

Mes 70 këngëve, që kanë aplikuar për t’u ngjitur në skenën e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH, komisioni ka përzgjedhur vetëm 22 këngë finaliste. Komisioni është përbërë nga 5 anëtarë, të cilit janë: Markelian Kapidani, Luan Zhegu, Ben Andoni, Sokol Marsi dhe Edmond Rapi.

Ndërsa, edhe regjisori Pali Kuke u shpreh se grupi organizativ dhe këngëtarët pjesëmarrës përbëjnë garancinë e këtij festivali. “Festivali është një institucion, që si çdo gjë tjetër ka ulje dhe ngritje, sepse ka problematikat e veta. Festivali sivjet do të ringrihet vet në sajën tuaj edhe të kësaj pjesëmarrjeje. Ne do të bëjmë të pamundurën që të kënaqen të gjithë, janë më shumë se tre apo katër këngë, për të cilat jam i sigurt, që do të mbesin gjatë në kujtesën e publikut”, thotë Kuke.

Kësaj here për të marrë një formë sa më demokratike festivali është menduar, që të gjitha këngët të prezantohen më përpara. “Mendoj se do të shkojmë drejt një përzgjedhje shumë më të mirë, duke u dëgjuar këngët paraprakisht, duke u vetseleksionuar netët edhe finalja. Kjo do të na bëjë, që të bëjmë festë, sepse në këtë rast këngët do të dëgjohen edhe do mësojmë se çfarë emocionesh të përcjellin dhe çfarë emocionesh të mbesin nëpërmjet tyre”. Këngët do të prezantohen në Radio Tirana.

Kënga fituese e Festivalit të 55-të të Këngës në RTSH ishte “Botë”, e interpretuar nga Lindita Halimi. Shqipëria me këtë këngë u prezantua edhe në “Eurosong.