Katër bastunet simbolikë të Fierit (FOTO)

Foto 1 nga 4 Pas Para

Nga Nuri Plaku

Bastunet e hershëm të një qyteti relativisht i ri në moshë, pjesë e trashëgimisë kulturore. Dy prej tyre ndodhen në Muzeun Historik të qytetit dhe i treti në një fond personal. Bastuni i katërt, ai i Aliut që u shpëtoi hajdutëve, duke u shtirur si çalaman

Si shumë objekte të tjerë të përdorimit personal edhe bastunet e burrave kanë historikun e tyre të veçantë, i cili vlerësohet nga rëndësia e personave që i kan përdorur, gojëdhënat, mbrekullitë apo legjendat e thurura për ta. Me kalimin e kohës objekte të tillë marrin dora dorës peshën e një relikeje të çmuar për vetë natyrën funksionale, dekoracionin apo përbërjen e tyre materiale. Kjo dëshmon edhe për linjën e trashëgimisë historike të këtij objekti i cili vjen nga thellësia e kohëve deri më sot. Shkopi i Moisiut, udhëheqësit të izraelitëve për në tokën e premtuar që vjen nga të dhënat biblike në agun e njerëzimit apo shkopi i Circes, magjistricës së Homerit, jan kthyer në shekuj në thënie proverbiale. Në vazhdim bastuni është përdorur e përdoret në forma të ndryshme si një bashkudhëtar i pandarë i njeriut, kryesisht nga moshat e treta. Në periudhën midis dy luftrave botërore e quajtur “Belle Epoque”, bastuni ishte pjesë e modës “alafranga” e cila u shfaq si protestë ndaj modës orientale. Një zotëri europian i kësaj periudhe duhej të kishte patjetër frak, kapele cilindër, papion, kopsa këmishe të shndritshme, një lule të vendosur në pjesën e gjoksit në kostum dhe sigurisht një bastun. Bastuni ishte zakonisht prej kristali i zbukuruar me kokë luani në dorezë apo kokë qeni dhe motive të tjera. Kjo ishte veshja tipike që duhej përdorur për të patur statusin e një aristokrati. Pikërisht mbi këtë bazë kujtojmë rolet e Çaplinit apo bastunët e Çurçillit, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit etj., të cilët edhe kan pozuar me këtë objekt personal. Një shqiptar dendi tipik i kësaj periudhe ka qenë Faik Konica. Madje kur erdhi në Shqipëri në pritje të princ Vidit, në mars të vitit 1914 teksa grindej për politikë me Luigj Gurakuqin në një nga hotelet e Durrësit, dy liderat e vunë në përdorim kundër njëri – tjetrit “fuqinë ndëshkuese” të bastunëve të modës. Në Fier bastunë mode kan mbajtur intelektualët e viteve ’30, tregtarët dhe drejtuesit e pushtetit si: Sami Bej Vrioni, Qemal Bej Vrioni, Pilo Papa, Naun Doko, etj. Gazetari Zoi Xoxa ka pozuar gjithshtu me një bastun mode kur ka qenë student në Itali. Kulti i bastunit është shprehur në cilësinë e punimit, lloin e materialit dhe dekoracionin e tij. Një pjesë që ju përkasin personaliteteve të shquar mbartin ngarkesa historike të cilat me kalimin e kohës ua rrisin vlerën. Kjo ka bërë që edhe muzetë e botës t’i gjuajnë këto objekte për të pasuruar fondet e tyre me relike të tilla. Fieri megjithëse është një qytet relativisht i ri në moshë ka në fondin e tij muzeor edhe bastune të hershëm. Bastunet e Fierit janë futur tashmë në trashëgiminë kulturore të këtij qyteti me një peshë të caktuar historike e cila pasuronë atë me të dhëna interesante dhe mjaft të rëndësishme për kohën. Realisht ky iventar përbëhet nga tre bastunë dy prej të cilëve ndodhen në Muzeun Historik të qytetit dhe i treti në një fond personal. Bastuni i katërt nuk ndodhet fizikisht, por ka ngelur në memorjen e shumë njerëzve për historikun e tij të veçantë. Bastuni i parë i përket Ali Pashë Tepelenës. Është punuar me material të lehtë metalik dhe ka gjatësi 92 cm. Në krye ka një kokë të kthyer si ato të kërrabave baritore, një dorezë e fisshme e përforcuar në pjesën e poshtëme me një gushore të të njëjtit material. Në të dyja anët zgjatet një vijë e valëzuar uniformisht në tërë gjatësinë e trupit. Në kulmet e valëzuara ka nga një pikë. Midis vijave ka një rreshtim figurash ujore që ngjasojnë me peshqit dhe e mbushin atë, në mënyrë të pandërprerë nga doreza deri në fund. Peshqit jan të veshur me fije të valëzuara që japin idenë e lëvizjes ujore. Midis peshqëve është gdhendur edhe ylli i Davidit. Bastuni ka qenë objekt i familjes Konica dhuruar nga nipi tyre, Ali Pashë Tepelena dhe është trashëguar brez pas brezi në fondin e saj. Në vitet ’60 të shek. kaluar, në kulmin e ashpërsimit të luftës së klasave, në qytetin e Fierit sollën të internuar dy mbesat e Faik Konicës dhe nipin e tij. Të tre u sistemuan në një apartament në lagjen “Kongresi Përmetit”përball parkut “Rinia.”Ishin pikërisht këta të tre që sollën në Fier shkopin e Ali Pashë Tepelenës dhe objekte të tjera me vlerë të familjes Konica. Familja si gjithë të internuarit e tjerë pati një fat tragjik. Vëllai u nda herët nga jeta dhe dy motrat e shtytën jetën në vetmi. Një vit para se të vdiste, Emilia njëra prej tyre, bëri aktin fisnik të dhurimit. Në vitin 1987 ajo shkoi në Muzeun e qytetit dhe dorëzon objektin me vlerë 200 vjeçare. Bastuni është rregjistruar në rregjistrin themeltar të këtij institucioni dhe mbahet një nga objektet e tij më të rralla. Mbas një viti Emilia u nda nga jeta. Më pas u nda edhe motra tjetër dhe sipas tregimeve të fqinjëve të tyre objektet e çmuara që mbetën në shtëpi u shpërdoruan.

*Autori është drejtor i Muzeut Historik Fier

 

Historia

Si shpëtoi Aliut nga hajdutët, duke çaluar dhe i mbështetur mbi bastun

Bastuni i dytë është bastun shpatë, ndodhet gjithshtu në fondin e Muzeut dhe i përket patriotit të shquar mallakastriot Halim Hamit Hekalit. Halimi ishte nip i Rrapo Hekalit, udhëheqësit të kryengritjes antiosmane të vitit 1847. Halimi ka patur një aktivitet të gjerë patriotik i cili kulmon me Luftën e Vlorës në vitin 1920 kur u zgjodh komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura vullnetare të Mallakastrës së Sipërme. Një nga këngët popullore të kësaj periudhe afirmon aktivitetin luftarak të këtij patrioti të shquar në Luftën e Vlorës. Nëntëqintë e njëzetë viti/Mallakastra seç buçiti/Komandant Halim Hamiti/Një mijë burra i gatiti/Përmbi Vlorë ç’i vërviti/Le ta marri veshë jeziti/Si Rrapua është dhe i nipi.

Bastuni është punuar prej dru shqope dhe ka gjatësi 92 cm. Shpata është fiksuar në dorezën e tij, ka formën e një bajonete me gjatësi 67 cm. dhe ka funksion shpues. Këllëfi është punuar gjithashtu prej druri shqope me gjatësi 74 cm. dhe është përforcuar nga të dyja anët me tuba metalik. Në pamje të jashme bastuni duket i njëjtë pa u kuptuar se brenda tij është e fshehur një kamë. Halim Hamit Hekali u lind në vitin 1855 dhe u nda nga jeta në vitin 1931. Sipas këtij datimi bastuni i tij vlerësohet të jetë mbi 100 vjecar. Halim Hamit Hekali kishte dhëndërr një nga figurat e njohura të Mallakastrës së Poshme, patriotin Nuredin Aliu. Nuredini kishte marrë Meleqen dhe është pikërisht njëra nga vajzat e saj, mbesa e Halim Hekalit e cila e dorëzoi bastunin e të gjyshit në vitin 1981 në Muzeun Historik të Fierit.

Bastuni i patriotit Halim Hamit Hekali

Bastuni i tretë i përket mbretit Zog I dhe ndodhet në fondin e koleksionistit të njohur fierak Kozma Dashi. Është bastun skeptër i gjatë 59 cm. dhe punuar me material metalik të një cilësie mjaft të lartë në përputhje me rangun mbretëror të pronësisë. Edhe ky ka një shpatë apo kamë 33 cm. të gjatë të fiksuar në dorezë e cila fshihet në një këllëf me gjatësi 46 cm. Midis punimeve dhe dekoracioneve të ndryshme të realizuara me gdhendje, të bije në sy sidomos firma e Mbretit Zog I., vendosur mbi trupin e kamës, fare pranë dorezës. Bastuni mbart në vetvete simbolikën tre dimensionale të një dendi të belepokës: nivelin e lartë klasor të zotëruesit, shprehur nëpërmjet cilësisë së materialit dhe punimit të tij, pushtetin e shprehur nëpërmjet simbolikës së skeptrit dhe forcën e ndëshkimit e shprehur nëpërmjet kamës. Bastuni i katërt i përket historikut të një tregtari fierak dhe dëshmon për kapacitetin intelektual dhe finesën e mbrojtjes së pasurisë së tij. Ky është bastuni i Ali Çepeles nga Roskoveci. Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, Aliu çoi mall nga Shqipëria në Selanik dhe me paratë e fituara bleu tespie qelibari dhe gur çakmaku. Porositi një bastun bosh nga brenda dhe e mbushi me ato. Në Shqipërinë e asaj kohe tregu kishte uri për sende të tilla luksi. Tespiet ishin një status zotërie i tipit oriental dhe lakmoheshin prej shumë burrave të pasur, ndërsa çakmaku me benzinë ishte luks krahasuar me masatin prej çeliku, me eshkë dhe gur stralli që përdorej në popull. Rrugës në kthim tregtarëve, ju dolën përpara kaçakët dhe i grabitën. Ndërsa Aliut që sapo i pa, bëri sikur çalonte dhe ecte i mbështetur mbi bastun, nuk ja prekën mallin e maskuar. Me tespiet e qelibarit që solli nga Selaniku dhe gurët e çakmakut, jo vetëm që shtoi fitimet e tij financiare, por hyri në tregimet popullore të zonës si një burr i aftë e i mençur. Më vonë u bë një nga tregëtarët më të njohur dhe themeluesi i qendrës urbane të Roskovecit të sotëm, por mjerisht bastuni i tij nuk mundi të ruhej nga pasardhësit. Gjithsesi ai mbetet një tregim i bukur trasmetuar gojë më gojë dhe sot tregohet si një rast i rrallë.

Të tre bastunet që ndodhen sot në Fier së bashku me ndodhinë e këndshme të bastunit të tregtarit Ali Çepele, përbëjnë një pasuri kulturore interesante e cila dëshmon për larminë e relikeve, ngarkesat historike dhe personalitetet e rëndësishëm të këtij qyteti.

Të tjera

Abissnet