Katalonja/ Puigdemont ul tonet: Jam gati të pranoj një zgjidhje jo-separatiste

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Presidenti i rrëzuar i Katalonjës, Carles Puigdemont tha se mund të konsideronte një zgjidhje për krizën politike të Spanjës, e cila nuk përfshinte ndarjen e rajonit, duke shfaqur zbutjen e qëndrimit të fortë ndaj pavarësisë, që i kushtoi atij udhëheqjen muajin e kaluar.

Në një intervistë me të përditshmen belge “Le Soir”, Carles Puigdemont u pyet nëse një opsion jo-separatist ishte në tryezë për të zgjidhur një krizë të shkaktuar kur Spanja mori kontrollin e rajonit pasi parlamenti i tij shpalli pavarësinë më 27 tetor.

Dhe duket se përgjigjja e tij është pozitive. “Jam gati dhe kam qenë gjithmonë gati, për të pranuar realitetin e një marrëdhënieje tjetër me Spanjën … Ajo (një zgjidhje tjetër) është ende e mundur,” tha Puigdemont.

“Unë kam qenë pro pavarësisë gjatë gjithë jetës time, kam punuar për 30 vjet që të ketë një mënyrë tjetër që Katalonja të ishte  e “ankoruar” në një mënyrë tjetër në Spanjë”, shtoi ai, duke mos dhënë detaje se çfarë forme mund të kishte marrë një marrëdhënie e tillë.