Katalonja, e parë nga dritarja

Publikuar më 01. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Ardian Vehbiu

Konfuzion i madh ka përcjellë, në mediat dhe në rrjetet sociale, aventurën e Katalonjës drejt pavarësisë. Veçanërisht të ngazëllyer më janë dukur të gjithë ata që kanë hequr paralele me pavarësinë e Kosovës, madje që i kanë përshëndetur indipendentistët ngaqë e kanë ndier si detyrë patriotike. Mua nuk më duket se nga krahasimi mes këtyre dy shkëputjeve – njëra tashmë e realizuar, tjetra në tentativë dhe gjithsesi e pagjasë – mund të nxirret ndonjë përfundim me vlerë. Në vija të trasha, Katalonja si realitet politik dhe kulturor njihet fare pak mes shqiptarëve (përtej vizitave turistike në Barcelonë) dhe kjo e komprometon edhe më gatishmërinë tonë për të mbështetur përpjekjet e tanishme për pavarësi.

Edhe pse, le ta themi, askujt nuk i bëhet vonë se ç’mendojnë shqiptarët, të ditur e të paditur, për këtë punë. Përveç ndoshta neve vetë, që nuk njohim shumëçka nga Europa, dasitë e saj dhe prirjet edhe njësuese edhe qendërikëse dhe motivet historike dhe kulturore të lëvizjeve politike. Prandaj u habita kur lexova një shënim për këtë çështje të autorit Luan Rama (shkrimtarit jo politikanit, po të gjykosh nga fotografia), të cilin përndryshe e ndjek prej kohësh dhe ia vlerësoj kontributet me vlerë në lëmin kulturor. Sepse, me sa lexoj sot, Luan Rama paska shkruar që “Historia e Katalonjës nuk është si historia e Kosovës. Katalonjasit janë si spanjollët e tjerë të Spanjës, i njëjti popull me të njëjtën gjuhë, histori, fe, kulture”.

Çfarë nuk më duket e saktë. Sepse katalanët (unë do t’i quaja kështu, jo “katalonjas”) mund të ndajnë shumë gjëra me qytetarët e tjerë të Spanjës, por me siguri jo gjuhën, dhe historinë vetëm pjesërisht. Sa për gjuhën katalane – katalanishten – kjo jo vetëm është gjuhë e ndryshme nga spanjishtja (castellano), por edhe nuk ka “rrjedhur” prej saj; përkundrazi, vijon pa ndërprerje latinishten vulgare të lashtësisë njëlloj si simotrat gjuhë romane dhe, nga pikëpamja krahasimtare, afëritë më të mëdha i ka me oksitanishten, që flitet në Francën e jugut dhe njihet edhe me emrin Languedoc.

Sot katalanishtja flitet e shkruhet jo vetëm në Katalonjë, por edhe në zonat përreth, si në Valencia dhe në ishujt Baleare. Edhe pse është dokumentuar shumë herët me shkrim, ajo e ka vuajtur trysninë e kastilianishtes (spanjishtes) dhe vetëm relativisht vonë i ka fituar të drejtat e plota, si gjuhë zyrtare e Katalonjës. Për shkaqe politike, ekonomike dhe demografike, ata që identifikohen si katalanë janë zakonisht dy-gjuhësh, dhe flasin e shkruajnë lirisht edhe spanjishten e Madridit (kastilianishten).

Ky argument nuk është vendimtar, sepse nuk mjafton të flasësh një gjuhë tjetër nga ajo zyrtarja e shtetit “mëmë”, për të pretenduar pavarësinë: pa u larguar nga Spanja, mjaft të kujtojmë galicianishten (galego), e cila flitet nga rreth 4 milion frymë në komunitetin autonom të Galicisë dhe që historikisht e ka nisur jetën si dialekt i portugalishtes; përndryshe, edhe oksitanishten në Francë, ose gjuhën sarde, në Sardenjë; madje kjo e fundit, gjithë duke qenë gjuhë romane e pavarur, mendohet se ka mbetur më e afërt me latinishten “mëmë” se të tjerat motra. Në çdo rast, kastilianët dhe katalanët nuk e marrin vesh njëri-tjetrin, nëse flasin (ose shkruajnë) secila palë në gjuhën e vet amtare; kjo të paktën teorikisht, sepse përndryshe çdo katalan është i detyruar deri edhe me kushtetutë që ta njohë spanjishten e Madridit – por jo e kundërta.

Shkruan Rama: “Atëherë, si gjysma e katalonjasve dhe shumë krahina mund të shpallnin “Republikat” e tyre nga gjysma e bretonëve e deri tek gjysma e mirditasve me përvojë në këto shpallje republikash, dhe atëherë, ne europianët e tjerë, do të humbnim në labirinthet e kësaj Europe të përçarë me një mori emblemash e flamujsh”. Në fakt, problemi ndoshta duhet shtruar ndryshe: a është Spanja doemos “shtet komb”, apo jo?[1] A duhet identifikuar identiteti i nënshtetasit të Spanjës me identitetin etnik kastilian? Fakti që edhe Katalonja edhe Galicia janë njohur si entitete autonome, nga Madridi, tregon se është normale që të jesh edhe qytetar i Spanjës edhe katalan (ose, gjithsesi, jo kastilian), edhe pse një katalan nuk mund të pretendojë që ta përdorë lirisht dhe aq më pak ekskluzivisht gjuhën e vet jashtë Katalonjës.

Përndryshe, Katalonja është ndoshta krahina e Spanjës ku jetohet më mirë, në çdo pikëpamje (edhe pse rajoni i Madridit ka të ardhura më të larta për frymë); çfarë do ta shfuqizonte menjëherë çdo krahasim me gjendjen e Kosovës në Jugosllavi (ose si krahinë të Serbisë). Siç e kanë vërejtur të tjerë tashmë, ngjashmëritë më shumë duhen kërkuar me lëvizjet autonomiste në Italinë e Veriut – meqë në të dy herët bëhet fjalë për një revoltë “taksapaguesish”. Edhe katalanët, edhe shumë italianë në Lombardi, në Veneto dhe gjetiu në veri, nuk e shohin me vend që të ardhurat e përftuara prej tyre të përdoren, nga qeveritë qendrore, për të kompensuar prapambetjen ose “parazitizmin” e zonave më të prapambetura. Sikurse e provon shembulli i Italisë, gjuha në këtë rast as që vjen në vështrim si argument.

Sërish Luan Rama: Korifejtë e hershëm të Spanjës së El Grekos dhe Gojas, do të ngriheshin nga varret prej zhurmës së këtyre thirrjeve “fitimtarësh”.

Pak e çuditshme që të përmendet, në këtë kontekst, El Greco-ja, një artist me prejardhje greke (Doménikos Theotokópoulos, nga Kreta, e që shpesh i nënshkruante pikturat e veta duke e shkruar emrin e vet greqisht), që pat studiuar në Venezia me Ticianin, para se të vendosej në Spanjë; ose një provë – do të thoja elokuente – që arti i madh gjithnjë përfiton nga kontaktet ndërkulturore. Në bibliotekën e tij gjeje veprat e autorëve më të mëdhenj të Greqisë klasike dhe të Romës, përveç poezive të Petrarkës, epikës së Ariostos dhe traktate të arkitekturës nga autorët kryesorë të Rilindjes. Nuk më rezulton të ketë pasur gjësendi mirëfilli “kombëtariste” spanjolle, në veprën e tij; sikurse nuk më rezulton që të ketë qenë uniteti kombëtar i Spanjës, që t’ia ketë mundësuar El Greco-s krijimtarinë.

Thjesht, e kam vështirë ta besoj që ky shkrim të ketë ardhur nga ai Luan Rama që njoh. Përndryshe, them se gjithkush ka të drejtë të ketë një opinion për çfarë ndodh në botë; por për çështje të ndërlikuara, si kjo e Katalonjës, opinionit duhet t’i paraprijë njohja me problemin, rrethanat historike dhe politike dhe aspektet thjesht konstitucionale të tij; çfarë nuk mund të kompensohet nga zelli patriotik dhe efektet anësore të pavarësisë së Kosovës. Në parim, çdo komunitet ka të drejtë të kërkojë vetëvendosje; por krijimi i shteteve të reja kam frikë se nuk mund të reduktohet në një çështje të së drejtave të njeriut. Dhe gjithsesi, që mos harroj tani në fund, katalanishtja është gjuhë e ndryshme nga kastilianishtja (ose ajo që e quajmë spanjishte).

Marrë nga Peisazhe.com