Katalogu/ “Realizmi socialist” risjell imazhet e Enver Hoxhës (FOTO)

Publikuar më 19. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Për herë të parë prezantohet një katalog, “Realizmi socialist shqiptar”, që përfshin dhe analizon vepra të realizuara në periudhën 1945-1990. Autor i këtij botimi me 256 faqe dhe 315 imazhe, në të cilin përfshihen 151 artistë, është studiuesi Ermir Hoxha. Gjatë promovimit të katalogut në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, studiuesi Hoxha rrëfeu se qysh në fillim kishte menduar, që botimi të shoqërohej me një tekst të gjatë studimor, që të shpjegonte formatin shqiptar të realizmit socialist, si një fenomen ndërkombëtar.

Ndërsa, pjesa tjetër ndahet sipas periudhave historike. “Arti i realizmit socialist në Bashkimin Sovjetik lindi, që në vitet ’30. Ndërsa, në Shqipëri në fillim të viteve ’60, duke u importuar nga BS. Shqipëria kishte një format ndryshe, pasi teksa në frontet e Lindjes nisi që të braktisej realizmi socialist, në Shqipëri nisi që të merrte formën e tij standarde. Edhe iu përshtat terrorit që gjeti”. Temat që trajtohen në këtë katalog janë:  “Historia nëpërmjet imazheve”, “Kulti i mitit, imazhi i Enver Hoxhës”, “Njeriu i ri shqiptar”, “Ushtri dhe popull”, “Steriotipe dhe standarde”, “Krahasimet tematike dhe strukturore”.

Pas tekstit studimor katalogu është i ndarë pesë periudha retrospektive, si periudha e Luftës deri në vitet ’60-të, ku artistët kishin studiuar në vendet perëndimore. Në vitet ’60-të “stafetën” e marrin ata studentë, që studiuan në vendet e Lindjes dhe realizuan realizimin socialist shqiptar. Periudha 1968-‘73 është shumë e rëndësishme, sepse konsiderohet, si periudha e liberalizimit. Faza e katërt 1974-‘85, është pothuajse periudha e fundme e realizmit socialist, ku shteti shtoi investimet. Periudha e fundit është periudha e një rigjetje liberalizimi të ri, një lloj dashurie e rishfaqur tek artistët shqiptarë për modernizmin, që është periudha e 1985-’90. Në katalog nuk janë përdorur vetëm piktura edhe skulptura, por edhe grafika dhe postera etj. “Shekulli” sjell tekstin studimor të studiuesit Ermir Hoxha për temën “Kulti i individit – Imazhi i Enver Hoxhës në artin pamor shqiptar”. Kjo temë, sipas studiuesit ka rëndësi shumë të madhe, sepse si të gjithë imazhet e diktatorëve të tjerë të materializuar në shekullin XX dhe në formatin shqiptar njohu dukuritë e veta.

Kulti, si mit i Enver Hoxhës

 “…ai që tokës së vendit të tij i dhuroi rini, dritë dhe lirinë e ëndërruar në shekuj”, pjesë nga fjalimi mortor i Enver Hoxhës (prill, 1985).

Enver Hoxha, që në ditët e para të pasluftës, paralelisht me konsolidimin e pushtetit, nisi të ndërtonte dhe kultin e tij personal. Ashtu si babai i tij shpirtëror, Stalini, ai filloi të kujdesej për mënyrën e sjelljes, veshjen, paradat ushtarake e fjalimet. Me përcaktimin e thjeshtë “Komandanti”, roli i tij gjatë luftës dhe ai në vitet e para të pushtetit të ri popullor, nisi të lakohej në shtypin e ditës si përcaktues e vendimtar, element që do të njihte ngritje progresive përgjatë gjithë jetës së tij në krye të shtetit komunist shqiptar. Me vdekjen e tij në vitin 1985, “Komandantit” të viteve të pasluftës, ju atashuan tituj gjithfarësh, zyrtarë e imagjinarë. Në tekstin kronologjik të trumbetuar me dhimbje solemne nga propaganda e kohës ai etiketohej, si udhëheqësi i Luftës Nacional Çlirimtare dhe i revolucionit popullor, arkitekti i ndërtimit të Shqipërisë së re socialiste…, sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura…, dhe ai që tokës së vendit të tij i dhuroi rini, dritë dhe lirinë e ëndërruar në shekuj.

Në dekadat e gjata që paraprinë titujt, artistët e tij revolucionarë u kujdesën që imazhi i tij të mos pasqyronte asnjë prej tipareve makbethiane të luftës për pushtet, por përkundrazi të lartësonin gjithnjë e më shumë imazhin e liderit unik, duke ngjizur në memorien kolektive kultin e individit të diktatorit, si një shpëtimtar komunist, pikë kulmore e fazës përfundimtare të vuajtjeve shekullore të popullit të vet. Për ngritjen e këtij imazhi morën pjesë pothuaj të gjithë, duke nisur nga artistët pararojë, deri tek ata gjysmë të angazhuar të cilët të detyruar apo nevojtarë të vëmendjes shtetërore e lartësuan figurën e tij në përkufizimet e diktatura nga komisionet e KQ-së, apo vetë Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve.

Në një lexim fillestar, të shpejtë, por funksional, imazhi i tij në artin pamor vendas mund të renditet kronologjikisht me historinë personale të vet diktatorit. Si e tillë dallohet figura e tij në vitet e hershme të rinisë, ku Hoxha (sipas Stalinit, një petit bourgois), si gjithnjë i veshur mirë, takohet me eksponentë të proletariatit, (partnerët ideologjikë tradicionalë), si frymëzues e udhëheqjes “i orëve të para”. Edhe pse në të vërtetë asnjëri prej tyre nuk kujton që Enveri të kishte shprehur ndonjëherë interes për idetë komuniste, në vitet kur jepte mësim në Liceun e Korçës, imazhi i tij mes tyre, i vërtetë ose jo, duhej që të shfaqej, si e vërtetë historike, kokëforte dhe e padiskutueshme, edhe pse pjesa më e madhe e studiuesve hedhin dyshime të forta mbi përgatitjen teorike dhe angazhimin revolucionar të tij në vitet ’30. Por kjo pak rëndësi kishte.

Për vet rëndësinë historike që paraqiste themelimi i Partisë Komuniste, angazhimi i artistëve për këtë temë ishte tejet delikat. Këtu kishte rëndësi vitale përcaktimi i protagonistëve dhe renditja e tyre hierarkike, të cilat duhet të ishin politikisht korrekte, faktor tejet i vështirë, duke pasur parasysh eliminimet e njëpasnjëshme të anëtarëve themelues. Si përfundim figurat e “sigurta” e më të promovuarat mbeten ato të Qemal Stafës e Vasil Shantos, ndërsa figurat e tjera ishin pothuaj të paidentifikueshme, (patjetër që u anashkalua elementi thelbësor jugosllav). Përveç rolit qendror të Hoxhës, (një deformim tjetër i historisë), mitizimi i aktit shtrihej dhe në shtëpinë ku u mblodhën anëtarët e grupeve komuniste, një shtëpi e vogël, tipike tiranëse, kthyer përgjatë viteve në një pikë pelegrinazhi të detyrueshëm për breza të tërë.

E prezantuar shpesh, si një far ndriçues në mes të arkitekturës modeste kryeqytetase, ajo “shndrit” mes çative të kuqe, në sinkron me ngjyrën e ideologjisë komuniste. Pas intelektualit mes proletarëve dhe themeluesit të Partisë Komuniste, imazhi i tij shumëfishohet në Luftën Nacional Çlirimtare, duke nisur nga takimi i tij i parë me çetën e Pezës, si një nga vatrat e para të lëvizjeve antifashiste dhe vend pritës i konferencës themeluese të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Në përkrahjen e Partisë Komuniste për lëvizjen e armatosur dhe rolin e Hoxhës në këtë aspekt. E kotë të shtojmë, që pozicioni i tij mbetet qendror edhe për këtë event.

Ai vendoset në mes të tablosë, dukshëm i lumtur që objektivi politik i Partisë së tij është i njëjtë me atë të formacioneve të para çlirimtare. Në një version alternativ, ai shfaqet në një ullishte, para zjarrit partizan, me shikimin ëndërrimtar hedhur larg, drejt një vizioni që vetëm ai mund ta imagjinojë. Të tjerët, ndajnë pa fjalë vizionin e bashkëluftëtarit të tyre. Pozicioni politik i tij, gjatë viteve të luftës pasqyrohet dendur dhe në takimet e tij me popullin, një kontakt i nevojshëm, parafjalë e aspektit të tij human si “bir i popullit”, që me guximin e udhëheqësit të shquar drejton luftën për t’i çliruar nga zgjedha e huaj.

Pozicioni i tij politik do t’i bashkëngjitej me forcë si ushtarak, patjetër ai më i rëndësishmi, që shpaloste aftësinë e tij si udhëheqës suprem i forcave të armatosura. Pas ngritjes së tij në krye të shtabit të përgjithshëm, si sintezë e shprehjes “një imazh flet sa mijëra fjalë”, ai krahason kolonat e gjata partizane, me veshjen dalluese, petkun e të përzgjedhurit, qëndrimin e drejtë dhe dimensionet trupore të nënvizuara. Imazhi i tij ushtarak do të përcaktohej edhe nga ai strategut, kur figura e ish e vetme a me kolegë vendoset mbi harta, duke treguar kursin që duhet të merrte lufta.

Roli i Hoxhës në luftë, edhe pse mbeti kryesisht politik, në këto tablo ngrihet në piedestal, duke mohuar kontributin e figurave elitare ushtarake si ajo e Mehmet Shehut, që “rivalizoi” për pak kohë atë të Hoxhës, por për t’u mbyllur përfundimisht në fond, në vitin 1981, pas eliminimit të tij. Rruga e shkurtër drejt pushtetit, kurorëzohet me çlirimin e vendit, marrjen e detyrës së kryeministrit dhe gradën më të lartë ushtarake. Si lideri suprem i Shqipërisë së re, ai do të shfaqet para flamujve, si zëri i pushtetit dhe pse për pjesën më të madhe të popullsisë, ai rezultonte një figurë e panjohur. Por, edhe kjo pak rëndësi kishte.

Në rend kronologjik, çasteve vendimtare të pasluftës iu mbivendosën ato të Shpalljes së Republikës, (1946) moment kur luftëtarët kthehen nga pushtetmbajtës në shtetformues. Në këtë riformatim, figura e tij shfaqet edhe më dinjitoze, teksa çan turmën në krye të bashkëluftëtarëve. Ata vendosen në majë të kompozimit piramidal me uniforma të larta, ndërsa turma hapet në të dy krahët nga përfaqësueset e gjithë shtresave të shoqërisë. Momenti tjetër pasardhës, ishte ai i mbajtjes së premtimit të reformës agrare (toka, atij që e punon). Edhe këtu ai përfaqëson popullin e tij, si përfaqësues i vetëm i pushtetit, pasi në optikën vizionare të mitizimit figurativ, ai shpesh prezantohet i vetëm mes popullit.

Mes tij dhe tyre nuk duket të kishte ndërlidhës, sepse kjo nuk bënte gjë tjetër veçse errësonte sadopak rolin e tij. Ai i vetëm zëvendëson njëherazi partinë dhe shtetin, duke marrë përsipër të ndërtojë mbi vet pozicionin e babait shpirtëror të popullit të vet. Në tentativë për të plotësuar mozaikun e figurës së tij në kontekstin vendas, imazhi i tij do të shtohej me qindra versione të tjera. Ai shfaqet në Veri dhe Jug, i kudondodhur pranë punëtorëve, nxënësve, fëmijëve, të moshuarve e intelektualëve, në mal, fushë, kongres apo zyrë…

Pas këtyre imazheve themeluese të rendit të ri, ku ai njësohet si “arkitekti” i Shqipërisë së re, pozicioni i tij ideologjik ishte në kërkim të sfidave të reja ndërkombëtare. Imazhe, si ai i “Mbledhjes së Moskës”, apo takimet me liderët socialistë botërorë, si Mao apo Stalini, në foto apo pikturë, theksonin rolin e tij ndërkombëtar në çështje shumë përtej dimensioneve Shqipërisë.

Pas etapës së vetizolimit…, Enver Hoxha ndez luftën e klasave në emër të diktaturës, së proletariatit, heq pronën private, lirinë e fjalës dhe atë të ushtrimit të fesë… Ndërkaq në art, portretizimi i tij iu besua vetëm një grupi të vogël artistësh, gjithnjë nën supervizimin maksimal të superstrukturës shtetërore. Edhe objekte si shtëpia ku ai jetoi, dyqani ku punoi, u përjetësuan si vendet e reja të kultit, duke zëvendësuar kështu ato që ishin nxjerrë jashtë ligjit në vitin ’67, aq sa në fund edhe vet vdekja e tij la më shumë boshllëk se edhe kur ishte gjallë.