Kardiomiopatia, parandalimi i sëmundjes së muskujve të zemrës

Nga Elona Tereziu

Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe në QSUT, tregon shkaqet e kësaj sëmundjeje, nga vijnë shumica e komplikacioneve dhe stadet e avancuara të sëmundjeve si dhe mënyrat e trajtimit, i cili bëhet gjithmonë në bazë të shkakut që ka sjellë këtë kardiomiopati

Kardiomiopatia është një sëmundje progresive e miokardit ose muskujve të zemrës, ku në shumicën e rasteve muskujt e zemrës dobësohen dhe nuk janë në gjendje të pompojnë gjakun në pjesën tjetër të trupit ashtu si duhet. Sipas shkaktarëve, kemi lloje të ndryshme kardiomiopatish, që nga ajo iskemike dhe hipertensive që janë dhe më të shpeshta, tek ajo valvulare, etilike, virale, gjenetike, peripartale apo edhe hipertiroza. Pavarësisht shkaqeve, të gjitha kardiomiopatitë përfundojnë në  simptoma të vetme, siç është marrja e frymës, lodhja dhe dobësia trupore, si dhe edema pulmonare. Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe në QSUT, tregon për gazetën “Shëndet+” shkaqet e kësaj sëmundjeje, ku thekson se shumica e komplikacioneve dhe stadet e avancuara të sëmundjeve vijnë pikërisht nga neglizhenca e pacientëve. Ndërkohë që flet edhe për mënyrat e trajtimit, i cili bëhet gjithmonë në bazë të shkakut që ka sjellë këtë kardiomiopati.

Çfarë kuptojmë me termin kardiomiopati?

Kardiomiopatia në vetvete nënkupton dëmtimin e muskulit të zemrës. Dëmtimi i muskulit të zemrës manifestohet me insuficiencë kardiake, ku simptoma e parë që ndien pacienti është marrja e frymës (dispnea) e cila mund të shfaqet në shkallë të ndryshme të vështirësisë. Nëse dikujt mund t’i ndodhi duke ngjitur shkallët, dikujt tjetër mund t’i ndodhi edhe duke ndenjur, deri në atë stadin e avancuar ku personi nuk fle dot për shkak të marrjes së frymës. Pra kemi dëmtim të muskulit të zemrës (hollim ose zmadhim) dhe ulje të forcës tkurrëse dhe në këtë rast ne e quajmë insuficiencë kardiake me funksion të ulur të ventrikulit të majtë.

Klasifikohet në kardiomiopati parësore dhe në kardiomiopati dytësore, ku sipas shkaqeve mund të listojmë: Kardiomiopati Iskemike, hypertensive, valvulare, etilike, virale, gjenetike, peripartale, nga hipertiroza.

Kardiomiopatia iskemike: Një pacient i cili ka kaluar infarkt miokardi dhe nuk është ndërhyrë në kohë për ta hapur këtë enë, është lënë në ecurinë e vetë natyrore, një pjesë e muskulit të zemrës nekrotizohet, del jashtë funksionit dhe me kalimin e kohës zemra zmadhohet duke punuar me kapacitet të reduktuar. Në këtë rast kemi dëmtim të muskulit të zemrës nga sëmundja arterosklerotike e arterieve koronare, ose e thënë ndryshe nga infarkti i miokardit.

Kardiomiopatia hipertensive: Një hipertension i lënë për një kohë të gjatë pa mjekuar çon në trashje të muskulit të zemrës. Ky muskul i trashur me kalimin e kohës bën që kaviteti i zemrës të ulë forcën tkurrëse. Pra sasia e gjakut që hidhet nuk do të jetë më normale, por shumë më e pakët. Bashkë më kardiomiopatinë iskemike këto janë dy llojet më të shpeshta.

Kardiomiopatia valvulare: Sëmundjet valvulare janë një tjetër shkak që çojnë në dëmtim të muskulit të zemrës, pra janë ngushtimet, stenozat dhe insuficencat valvulare. Stenoza ka të bëjë me ngushtim të valvulës, ndërsa insuficienca me mos mbylljen mirë të saj dhe kthimin e gjakut mbrapsht. Zakonisht riparimi i valvulës ka një kohë të caktuar të cilën e përcakton mjeku kardiolog. Në rast se valvula nuk trajtohet në kohë, sëmundja përparon dhe faza  përfundimtare është dëmtimi i muskulit të zemrës çka bën që edhe pas operacionit mundësia për sukses të jetë shumë e pakët.

Kardiomiopatia etilike (nga alkooli): Pacienti ka konsumuar sasi të mëdha alkooli për vite me radhë, duke sjellë dëmtimin e muskulit të zemrës, çka çon në insuficiencë kardiake.

Kardiomiopatia virale: Infeksionet virale, apo një gjendje gripale me temperaturë, dhimbje koke e kyçesh që ndodh rëndom, tek disa persona mund të jetë fatale, duke çuar në dëmtim të rëndë të muskulit të zemrës/ miokardit, shpesh herë edhe në vdekje. Virozat apo gjendjet gripale nuk duhen nënvlerësuar asnjëherë sepse mund të japin pasoja fatale.

Kardiomiopatia gjenetike (hipertrofike): Janë situata shumë të rralla. Është një çrregullim gjenetik i strukturës së miocideve (fijeve të muskulit të zemrës) dhe shpesh këta persona kanë mure të trasha të zemrës, shoqëruar dhe me dëmtim të valvulës mitrale. Kjo lloj patologjie me kalimin e kohës çon në zmadhim të zemrës dhe ulje të funksionit, që quhet insuficienca kardiake. Kardiomiopatia peripartale: Fillon gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, ku pacientja ka marrje fryme. Kardiomiopati nga hipertiroza: Muskuli i zemrës dëmtohet si rrjedhojë e shtimit të funksionit të gjëndrës tiroide.

Cilat janë simptomat e përgjithshme që kanë këto pacientë?

Të gjitha kardiomiopatitë, pavarësisht shkaqeve, përfundojnë në një simptomë të vetme, e cila është marrja e frymës që varion sipas gravitet të dëmtimit të muskulit nga dispne e lehtë + kollë, që ndodh vetëm në eforte fizike, deri në shkallën më të rëndë që është dispnea në qetësi, nuk të lë të flesh gjumë. Simptomë tjetër është edema pulmonare akute, e cila ndryshe është urgjencë mjekësore pasi kërkon ndërhyrje të menjëhershme me manipulime. Dobësia, lodhja e vazhdueshme që ka të bëjë me debitin e ulët kardiak (sasinë e pakët të gjakut që hedh zemra), janë të tjera simptoma, si dhe aritmia.

Sa urgjencë paraqet një sëmundje e tillë?

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ta diagnostikojmë sa më shpejt. Diagnostikimi i hershëm bën që të fillojë dhe mjekimi më herët.  Për shembull, një sëmundje valvulare që kërkon  intervent operator, kur dëmtimi i muskulit është i madh nuk ka më indikacion as të operohet. Kapja në kohë e sëmundjes iskemike të zemrës, sëmundja e artereve koronare, pra edhe kur personi bën infarkt, nëse paraqitet shpejt në spital për të bërë zgjerimin me balloon/ me stendë me unaza/ t’i shpëton muskulin e zemrës dhe praktikisht kë bërë që pacienti të mos shkojë drejtë insuficiencës kardiake. Një trajtim hipertensioni në kohë është gjëja më e lehtë, dhe në të shumtën e rasteve ndodh vetëm nga neglizhenca.

Si vendoset diagnoza e sëmundjes dhe cilave ekzaminime duhet t’i nënshtrohen këta pacientë?

Gjithmonë fillohet me pyetje, merret një anamnezë e plotë për simptomat dhe ankesat që ka pacienti, pastaj kalohet në ekzaminim fizik me vizitën. Bërja e një elektrokardiograme është ajo që vendos diagnozën përfundimtare.

Si bëhet trajtimi i këtyre pacientëve në bazë të llojit të kardimiopatisë?

Në bazë të shkakut, pra një sëmundje iskemike kërkon koronarografi e cila vendos trajtimin. Zgjerimin e enës apo bypasin/ kardiokirurgjinë. Kardiomiopatia nga hipertensioni kërkon mjekimin e hipertensionit. Sigurisht, kur ky ka arritur në stadin e kardiomiopatisë, nuk është më vetëm trajtimi i shkakut por dhe i zemrës së dëmtuar. Kardimiopatia etilike do të marrë mjekimin për insuficiencën kardiake, njëkohësisht do stopohet alkooli. Sëmundjet valvulare është shumë e rëndësishme të kapen në kohë, dëmtimin e kap ekoja dhe shikohet nëse do trajtohet me kirurgji. Kardimiopatia gjenetike pastaj ka prognozë të keqe. Trajtohen thjesht me mjekimin e insuficiencës kardiake dhe sigurisht këta persona kanë një jetëgjatësi më të shkurtër.

Këshilla?

Këta persona duhet të kenë parasysh që mos ta neglizhojnë asnjëherë atë çka ndiejnë. Ky është thelbi, pasi shumica e komplikacioneve dhe stadeve të avancuara të sëmundjeve vijnë pikërisht nga neglizhenca e pacientëve.

“ Infeksionet virale, apo një gjendje gripale me temperaturë, dhimbje koke e kyçesh që ndodh rëndom, tek disa persona mund të jetë fatale duke çuar në dëmtim të rëndë të muskulit të zemrës/ miokardit, shpesh herë edhe në vdekje“.

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet