Kaos te Partizani, mesfushori Trashi përplaset me trajnerin Starova

Nga Klevis Deda

Situatë kaotike te “të kuqtë”. Lojtari përplaset me trajnerin. Në ditët në vazhdim pritet të mblidhet stafi drejtues për të vendosur rreth të ardhmes së mesfushorit nëse ai do të qëndrojë apo të largohet

Situata te Partizani sa vazhdon dhe bëhet më kaotike. Mesfushori i të kuqve Lorenc Trashi është përplasur me trajnerin Sulejman Starova dhe situata është tepër delikate. Gjithçka nisi në ndeshjen miqësore kundër Berliner Ak në Turqi ku lojtari nuk e priti mirë vendimin e trajnerit për tu zëvendësuar. Situata më pas kaloi në një grindje në distancë me njëri tjetrin ku edhe nuk munguan fjalët banale. Starova ka theksuar se ishte Trashi ai që përdori fjalë banale në fillim, por lojtari më i aktivizuar te Partizani në vitet e fundit hedh poshtë këtë version dhe thotë se këto janë shpifje të trajnerit për tu justifikuar. “Profesor Starova për të justifikuar veten ka shpikur shumë fjalë që s’janë të vërteta. Në radhë të parë unë s’i jam drejtuar me tone të larta atij, po e kundërta. Jam ulur në pankinë shumë i qetë dhe i kam folur tamam.

“Profesor pse nuk më le dhe pak të merrja pak përgatitje?” Se më ka zëvendësuar në minutën e 60-të dhe jo 75-të siç thotë ai. Në atë moment ai më është kthyer me tone të ashpra, që do të thotë se mezi ka pritur një debat me mua. Profesor Starova mos të bëjë tani si shenjtor. Kur Partizani s’ka kontingjentin e duhur të lojtarëve dhe shprehet që unë si trajner s’i kam thënë të largohet nga ekipi. Ai është shprehur shumë qartë dhe aty kanë qenë shumë lojtarë dhe stafi bashkë për të vërtetuar gjithçka që ai ka thënë kundrejt meje”, tha Trashi. Nuk mbaron me kaq pasi lojtari i Partizanit tregon edhe një detaj tejet të rëndësishëm, debatin që pasoi në hotel. Ai pretendon se trajneri Starova i kërkoi drejtuesve të klubit që lojtari të mos paraqitej me pjesën tjetër të ekipit në vendin ku ishte akomoduar skuadra.

Sa i përket heqjes së bluzes, Trashi tha se e vendosi në pankinë, ndryshe nga Starova që shprehej se fanella e Partizanit u hodh nga lojtari. “Ma qëroni nga hoteli, nuk dua ta shoh më në ekip”. Pasi ka thënë kështu, unë jam çuar dhe i kam thënë: “Profesor, qëndroi besnik fjalëve që po thua. Nëse je burrë thuaja edhe presidentit në sy tim, që nuk e dua më Trashin. Edhe ai e ka pranuar duke më thënë “OK”. Më pas i dhashë dorën, ai më refuzoi. “Mos ma jep as dorën tha”, edhe unë vazhdova drejt dhomave të zhveshjeve. Teksa po largohesha ai nuk e la me kaq, por vazhdoi të më ofendonte nga fjalë më të ndyrat. Më ka ulur dhe më ka fëlliqur në sy të shokëve e stafit. I’u ktheva në atë moment dhe hoqa bluzën. I’a lashë te pankina. Absolutisht nuk e kam hedhur. E hoqa dhe i thashë: “Për këto fjalë që më the, unë dhe ti e kemi mbyllur”. Më ka ofenduar shumë rëndë. Gjithsesi, unë personalisht e quaj të mbyllur me Starovën”, tha Lorenc Trashi. Partizani mbërriti dje në Tiranë pasi mbaroi fazën përgatitore dimërore në Antalia. Tashmë pritet një takim i bordit drejtues për të diskutuar dhe për të marrë një vendim rreth kësaj çështje. Mbetet të shihet nëse  klubi do të vendosë për largimin e Trashit apo do të qetësojë gjakrat në skuadër. Në rast të një largimi të mundshëm të Trashit, do të jetë një goditje e rëndë për skuadrën e Partizanit. Kjo për shkak se të kuqtë kanë larguar këtë merkato lojtarët bazë të ekipit në vitet e fundit, Vilën, Malotën dhe Krasniqin.

Lorenc Trashi është mesfushori kyç i të kuqve që ka rezultuar shumë deçiziv me performancat e tij. Partizani nuk po ruan balancat për një frymë pozitive në grup e cila është shumë e rëndësishme për psikologjinë e lojtarëve.

Miqësoret

Skuadra e Tiranës nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj skuadrës kazake të Tobol në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Antalia. Kjo ishte sfida e parë e bardh e bluve në fazën përgatitore në Turqi. Tirana shënon gol e para në pjesën e parë me anë të Grecës, por nuk mundën ta mbajnë këtë rezultat deri në fundin e takimit. Në pjesën e dytë janë kazakët ata që shënojnë golin e barazimit dhe me shifrat 1-1 mbyllet ky takim. Vlen të theksohet se trajneri i Tiranës, Ze Maria testoi disa lojtarë të rinj në këtë ndeshje. Në skuadrën e Tobol u aktivizua në gjysmën e dytë të sezonit sulmuesi i kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku dhe më pas u largua. Atë që nuk e bën si duhet Tirana e bën Skënderbeu. Korçarët kanë fituar miqësoren ndaj Aktobes me shifrat 2-1. Kjo ishte fitorja e parë e Skënderbeut në këtë fazë mini përgatitore. Pjesa e parë dominohet nga skuadra e Skënderbeut me anë të ish-lojtarit të Partizanit, Emiliano Vila. Në fillimin e pjesës së dytë skuadra kundërshtare kërkon barazimin dhe e gjen me anë të Kakimov. Skënderbeu shënoi golin e fitores në minutën e 81 falë me anë të Demte.

Të tjera

Abissnet