Kanceri i vezoreve, simptomat dhe kurimi

Publikuar më 05. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Kanceri i vezores konsiderohet një nga sëmundjet më të rrezikshme të shekullit, kjo pasi vjen e heshtur dhe pa simptoma të dallueshme. Mjekja onkologe Esmeralda Sera shpjegon për “Shekulli”-n simptomat e hershme dhe kurimin e sëmundjes.

Kanceri i vezoreve është një nga llojet më agresiv të kësaj sëmundje, kjo pasi krijimi i qelizave anormale në pjesën e qafës së mitrës nuk shoqërohet me asnjë simptomë që sëmundja të kuptohet herët. Kur kanceri i vezoreve kapet në kohë, pothuajse 94% e pacientëve mund ta luftojnë, por janë më pak se 20% e kancereve të vezores që kuptohen që në fillim. Gratë që vuajnë nga kjo sëmundje nuk arrijnë ta kapin në fazat e para të zhvillimit, pasi nuk kuptojnë asnjë shenjë.

Simptomat fillojnë të shfaqen kur kanceri rritet dhe bëhet edhe më i rrezikshëm për jetën e femrës. Prandaj është e këshillueshme që për të pasur gjendjen nën kontroll gruaja duhet të bëjë pjesë të rutinë së saj kontrollet gjinekologjike si pap testin, një analizë që kap qelizat abnormale në qafën e mitrës. Sipas statistikave, që nga viti 2010 rreth 160 mijë femra kanë humbur jetën nga kjo sëmundje, e ndërsa në vitin 1990 ky numër shkonte në rreth 113 mijë. Sëmundja është më e zakonshme në vendet e industrializuara duke përjashtuar këtu Japoninë.

Më shumë se gjysma e vdekjeve nga kanceri i vezoreve ndodhin te gratë midis moshës 55 dhe 74 vjeç dhe afërsisht një e katërta e vdekjeve ndodhin në gratë midis 35 dhe 54 vjeç. Rreziku rritet me moshën dhe ulet me numrin e shtatzënive. Ovaret janë organet femërore që mbajnë vezët dhe sekretojnë hormone përgjegjëse për ciklin e riprodhimit (estrogjenet dhe progesteroni që qarkullojnë në organizmin e femrës). Për të na treguar më shumë për këtë sëmundje për “Shekulli”-n ka folur mjekja onkologe, Esmeralda Sera, e cila shpjegon simptomat e para, kujdesin që duhet të tregohet dhe mënyra e kurimit të kësaj sëmundje.

Çfarë është dhe si shfaqet kjo sëmundje?

Kanceri i vezores siç ka emrin e ka zanafillën e tij nga vezoret që janë pjesë e organeve gjenitale femërore. femrat kanë dy ovare në të dyja anët e uterusit. Përveç vezoreve origjina mund të jertë  edhe nga tubat e Fallopit, që lidhin vezoret me mitrën. Simptomat e sëmundjes mund  të fillojnë  shumë herët dhe me shenja klinike që zor se mund të jenë specifike për këtë lloj patologjie, si për shembull gjakderdhje vaginale, urinim i shpeshtë, dobësi e përgjithshme, rënie të oreksit, shenja që i gjejmë mjaft shpesh edhe në sëmundje të tjera.

Çfarë e shkakton(nëse ka shkaktarë të qartë)?

Siç e thash edhe më sipër, kjo sëmundje ka simptoma që nuk janë të dallueshme dhe ende nuk ka shkaqe te qarta përveç mutacioneve gjenetike që i kthejnë qelizat beninje në malinje.

Si bëhet diagnostikimi dhe kurimi?

Ekzaminimet kryesore tek një femër që dyshojmë për pranin e kancerit te vezoreve janë në radhë të parë ekzaminimi klinik i pacientes nga mjeku, vazhdojmë me një eko abdominale dhe në raste dyshime me ekzaminime të tjera siç janë rezonanca magnetike, CT skaner, treguesit tumoral për kancerin e vezoreve ca 125. Pasi bëhet diagnostikimi dhe vendoset stadi i sëmundjes mjeku onkolog vendos për mënyrën e mëtejshme të trajtimit që mund të jetë ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapia dhe në rastet e avancuara kujdesi palliative

A mund të parandalohet dhe nëse po, si?

Parandalimi gjithmonë ka rëndësinë e tij sepse është më mirë të parandalosh se të kurosh një sëmundje. Më të kujdesshme duhet të jenë femrat që kanë familjarë të gradës së parë me këtë lloj sëmundje. Femrat me histori familjare duhet të përfshihen në kontrolle rutinë te mjeku përkatës dhe absolutisht çdo shenje klinike nga ato që përmendëm më sipër duhet t’i kushtohet vëmendja e duhur në këtë drejtim, nëse shenjat vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Disa këshilla për femrat në lidhje me kujdesin ndaj vetes, lidhur me këtë sëmundje?

Te gjitha femrat duhet tu nënshtrohen kontrolleve rutinë gjinekologjike me test pap, eko vaginale, eko abdominale. Në këtë mënyrë do kenë mundësi zbulimin në fazat fillestare të sëmundjes duke i dhënë vetes pse jo shanse kurimi dhe një jetë normale. Kujdes i madh duhet treguar edhe në aspektin e edukimit të hershëm të femrave. Duhen bërë të qarta rreziqet e abuzimit me alkoolin jo vetëm për këtë sëmundje, por për shëndetin në përgjithësi. Disa faktorë rreziku për sëmundjen janë, mosha mbi 65 vjeç, trashëgimia, obeziteti, jeta sedentare.

B.Metushi