Kanabisi mjekësor, investimi më i ri i Greqisë për të dalë nga kriza

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Ndërkohë që Shqipëria shënon rekorde në trafik droge, vendet e rajonit përparojnë në politikat e kanabisit mjekësor, që është kthyer së fundmi në industri dhe burim të ardhurash.

Investitorët në projektet e kanabisit mjekësor po përqendrohen në Greqi, ku një klimë e ngrohtë, me diell dhe legjislacion potencialisht të favorshëm mund të ndihmojë qeverinë të japë një premtim për ta tërhequr vendin nga një krizë ekonomike shtatëvjeçare.

Bloomberg shkruan sot se “kultivuesit kanë shprehur interes në investimin e më shumë se 1.5 miliardë eurove në projekte për të ndërtuar parqe serrë për kultivimin dhe prodhimin e kanabisit, tha në një intervistë Evangelos Apostolou, ministër i zhvillimit rural dhe ushqimit”.

Në 10 vitet e ardhshme kjo sipërmarrje do t’i jepte Greqisë një pjesë të tregut global, me vlerë 200 miliardë euro.

Për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike, kryeministri Aleksis Tsipras po kryen një sërë investimesh. Parashikimet kërkojnë rritje afërsisht 2 për qind këtë vit, duke u rritur në 2.5 për qind në 2018.

Të paktën 400 vende pune do të krijohen nga një kampus i vetëm prej 12 deri në 15 serë kanabis. Ndërkohë përmes një Task-Force, po përgatitet një projektligj për legalizimin e kanabisit mjekësor në Greqi.

Qeveria e Tsipras ka në plan të paraqesë një ligj që mbulon legalizimin e kanabisit mjekësor deri në fund të vitit dhe kalimi mund të lejojë kohë të mjaftueshme për kultivim në kohë për një korrje verën e ardhshme, sipas Task-Forcës, e cila aktualisht po punon në përgatitjen e legjislacionit.

Papunësia në vend ka qenë mbi 20 për qind që nga nëntori i vitit 2011, një nga nivelet më të larta në Bashkimin Europian.

Uruguai dhe disa shtete të SHBA kanë legalizuar posedimin e përgjithshëm të kanabisit në shkallë të ndryshme. Ndërkohë planet e Greqisë janë të fokusuara vetëm te shitjet dhe qëllimet mjekësore.

“Mijëra familje greke me anëtarë të familjes që vuajnë nga sëmundje të rënda si kanceri dhe sëmundja e Parkinsonit do të jenë në gjendje të marrin drogë të prodhuar pikërisht këtu, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha Apostolou.

Efektet në kancer

OBSH citon studime që tregojnë efektet terapeutike të kanabinoidëve mbi gjendjet e të përzierit apo vjelljes, në fazat e avancuara të sëmundjeve vdekjepruerëse si kanceri dhe AIDS.

Studime të tjera flasin për përdorime të tjera terapeutike të kanabisit, duke përfshirë trajtimin e astmës dhe glaukomës.

Prodhuesi mjekësor kanadez Tilray tha në muajin shtator se ka në plan të investojë 20 milionë euro në Portugali, pasi ky vend shihet si një bastion i ri i industrisë së kanabisit mjekësor në Evropë.

Cronos Group Inc. me bazë në Toronto ka arritur një marrëveshje me një firmë farmaceutike për të furnizuar tregun mjekësor të marijuanës në Gjermani dhe po shqyrton mundësinë për t’u zgjeruar më tej në BE, tha në një intervistë shefi ekzekutiv Mike Gorenstein.