Kanabisi farmaceutik do të eksperimentohet në Francë për dy vjet

Për të lehtësuar dhimbjet e pacientëve me sëmundje të rëndë, këtë të premte deputetët francezë i dhanë dritën jeshile eksperimentimit të kanabisit farmaceutik.

Në Francë, çështja e lejimit të kanabisit farmaceutik doli disa vite më parë, pasi vende të tilla si Kanadaja, Holanda dhe shumë shtete federale në SHBA lejuan përdorimin e kanabisit farmaceutik, shkruan ‘Radio France International”.

Vota pro e deputetëve ishte 4 muaj pas miratimit nga Agjencia Franceze për Drogat (ANSM). Në terma konkretë ky eksperiment do të përfshijë 3000 njerëz në Francë, pacientë që vuajnë nga sëmundje të rënda, si epilepsia, dhimbjet neuropatike, skleroza dhe ata që kanë dhimbje të rënda gjatë trajtimit me kimioterapi.

Për të përfituar trajtimin me kanabis farmaceutik do të zbatohet një protokoll i rreptë. Përshkrimi do të bëhet nga doktorë specialist, p.sh. një neurolog. Ai do të zgjedhë mes dy përbërësve, ose përzierjen e tyre: tetrahydrocannabinol-in (i njohur si THC) që ka efekte psikoaktive, ose cannabidiol-in (CBD), që ka si efekt qetësimin e muskujve. Pacientët më pas duhet të shkojnë në farmacinë e spitalit dhe më pas mund ta marrë trajtimin në farmacinë e zonës ku jeton. Kanabisi nuk do të lejohet të tymoset, por të merret në formën e vajit, apo si çaj bimor.

Një nga çështjet e ngritura gjatë eksperimentit është furnizimi me kanabis. Franca nuk e lejon prodhimin e kanabisit në territorin e saj. Me fjalë të tjera do të jetë i nevojshëm importimi i tij nga jashtë dhe sigurisht edhe kontrolli shëndetësor kufitar për këtë sektor të ri.

Disa ekspertë që po punojnë me Agjencinë Franceze të Mjekësisë (ANSM) shpresojnë se gjatë kësaj kohe dy-vjeçare të eksperimentit, sektori bujqësor francez të marrë autorizimin që të prodhojë vetë kanabisin farmaceutik, për t’u përgatitur për fazën pas eksperimentit. Ai duhet të nisë në mesin e vitit 2020. Pas dy vitesh, kur testi do të jetë përmbyllur, pas konsultimeve mes doktorëve dhe studimit të pacientëve të trajtuar, do të jetë qeveria franceze ajo që do të vendosë lejimin në masë të prodhimit dhe të përdorimit të kanabisit farmaceutik në Francë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet