“Kampion i Gjermanisë, por dua të shpallem kampion i Botës”

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Kampioni i Gjermanisë në boksin profesionist, Ferit Keta, ka treguar në një intervistë për Shekulli se objektivi i tij është të shpallet kampion bote. Keta i’a dedikon trofet e fituar të gjithë tifozëve shqiptarë anembanë botës. Boskieri premton se do të organizojë një ndeshje në Shqipëri dhe shprehet se në vendin tonë ka shumë talente por nuk u kushtohet vëmendje pasi nuk ka një program të mirëfilltë.

Sa krenar i ndjetë që u shpallët kampion i Gjermanisë?

Ishte një gëzim shumë i madh pasi titulli që fitova është i një rëndësie të veçantë. Isha i bindur që do ta arrija këtë fitore pasi kam dy muaj që u përgatisja fuqishëm me vëlla Ismailin për këtë ndeshje.

E kishit parashikuar një fitore me nokaut?

 Nuk e kisha parashikuar diçka të tillë pasi është një sport që je përgatitur shumë mirë por në një moment mund të humbësh gjithçka. Për fitoren isha i bindur që do ta merja pasi kisha bërë një stërvitje shumë intensive.

A ju ndihmoi përkrahja e tifozëve shqiptarë për ta bërë më të lehtë fitoren?

Kjo ndikoi shumë në performancën time atë ndeshje dhe natyrisht që i falënderoj shumë për mbështetjen që më dhanë. Mbështetja e tifozëve mu kthye në një motivim shumë të madh.

Pas përfundimit të ndeshjes ndodhi një incident, mund të na tregoni diçka më të detajuar?

Kundërshtari më provokoi gjatë gjithë ndeshjes duke më goditur me bërryla dhe në një rast edhe me kokë. Pasi e hodha me nokaut, unë ngjitem në një cep të ringut për të festuar ndërsa ai tenton të më godasë nga mbrapa. Pastaj futen në ring disa persona nga sigurimi i ndeshjes por jo të stafit kundërshtar.

Sa ka ndihmuar në sukseset tuaja eksperienca e trajnerit dhe njëkohësisht vëllait, Ismailit?

Falë eksperiencës së tij dhe punës së vazhdueshme, unë kam arritur këtu dhe pretendoj të ngjitem më lart.

Ndeshja juaj e radhës?

Është pak herët për të menduar për kundërshtarin pasi kjo nuk varet nga unë por nga menaxherët e mi. Unë duhet të jem i gatshëm gjithmonë, kjo ka më shumë rëndësi.

Objektivi për të ardhmen?

Normalisht që objektivi kryesorë është të shpallem kampion bote, është ëndërra e çdo boksieri. Por fillimisht më duhet të mbroj titullin kampion Gjermanie për të vazhduar më tutje.

Çfarë komenti keni për kritikat e vazhdueshme nga shqiptarët, që nuk përfaqësoni vendlindjen tuaj por garoni për Gjermaninë.

Në Shqipëri nuk të jepen mundësitë që ti të shpalosësh talentin që ti ke dhe kjo është arsyeja që nuk luaj për Shqipërinë. Në Gjermani na ofrojnë kushtet e duhura për të ushtruar këtë sport.

Sa krenar ndiheni që pas çdo triumfi ngrini lart flamurin Shqiptar?

Është një krenari dhe dëshirë e madhe. Nuk mund të futemi në ring pa flamurin shqiptar pasi nuk na duket vetja i plotësuar.

A ka ndikuar ndopak shkolla juaj e trajnimit të boksierëve, “Fitness Box Sport Albania” në shfaqjen e talenteve të reja?

Fillimisht çdo boksier duhet të përkushtohet shumë në këtë sport për të arritur rezultate të mira kudo që të stërvitet. Djemve në shkollën tonë të trajnimit ne i japim mundësinë të ndeshen edhe në Gjermani. Kur do ta shikojmë një përballje të juaj në Shqipëri?

Dëshira është e madhe por të shohim pasi për momentin nuk kemi asgjë konkrete. Besoj se në një të ardhme të afërt mund të dalim në një vendim përfundimtar.