Kaloi “hallkën” e parë të vetting-ut, ONM kërkon ankimim për ish-kreun e Krimeve të Rënda

Xhentila Gjoshi

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar nga Komisioneri Publik të bëjë ankimim ndaj vendimit të KPK-së, për prokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj. Më datë 16.10.2019 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë. Ndërkohë, mësohet se ditën e djeshme Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publik rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin. Komisionerët Publikë, pasi të njoftohen me shkrim për vendimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Prokurori

Kujtojmë që Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës, të Kurbinit dhe Durrësit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie. Gjatë procesit të vetingut, Hajdarmataj u përball me një seri akuzash nga publiku, të cilat komisioni i gjeti të pambështetura. Denoncuesit apo denoncuesi, pasi sipas KPK-së ishin denoncime anonime, pretendon për kontakte të papërshtatshme të Hajdamatës me një person me inicialet M.L. Në denoncim bëhej me dije se ky i fundit ishte i dyshuar si pjesë e krimit të organizuar, ndërkohë që akuzonte subjektin se kishte pushuar një hetim ndaj tij dhe kishte përdorur makinën e tij.

Në denoncim pretendoheshin edhe kontaktet me një person me inicialet V.K, që po ashtu thuhej se ishte i rrezikshëm dhe i lidhur me krimin e organizuar. Prokurori akuzohej edhe për trasferimin nga Prokuroria e Durrësit të një dosjeje me akuzë ndaj një gjyqtareje të Tiranës si dhe për trasferimin e një dosjeje për kapej e 12 tonëve drogë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë të Përmetit. Sipas denoncimeve, subjekti akuzohej për shpërdorim detyre në çështjen e njohur si “Dosja Babale” dhe për pasuri në emër të personave të tretë. KPK megjithatë doli në përfundimin se lidhjet e pretenduara me personat me precedentë penal nuk qëndronin dhe po ashtu edhe dyshimet për pasuri të fshehur.

Relatorja tha në seancë se pasi ishin parë katër dosje për të cilat ngriheshin dyshimet, Hajdarmatës i kishte kaluar barra e provës në lidhje me hetimet e këtyre rasteve. Nga seanca dëgjimore rezultoi se bëhej fjalë për hetimin e një denoncimi nga Njësia e Monitorimit të Basteve në vitin 2010, të cilin Hajdarmataj e kishte pushuar.

Prokurori, i cili në fjalën e tij u përgjigj vetëm për këto çështje, sqaroi se i kishte rezultuar që Njësia në fjalë nuk kishte pasur urdhër inspektimi dhe se atij i ishin krijuar dyshime që ata nuk kishin qenë duke kryer detyrën publike. I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar se pse nuk kishte hetuar në këtë drejtim, Hajdamataj tha se ishte e vërtetë që mund të ishin bërë veprime të tjera hetimore, por shtoi se në atë kohë kishte gjykuar vetëm mbi faktin.

Çështja tjetër për të cilën Hajdarmataj foli ishte transferimi i një dosjeje me akuza ndaj një gjyqtareje të Tiranës nga Durrësi në Elbasan. Dosja ishte kaluar nga Prokuroria e Tiranës te ajo e Durrësit dhe ishte transferuar nga kjo e fundit në atë të Elbasanit. Hajdarmataj tha se për çështjen ishte interesuar pasi të dy palët ishin ankuar. Ai tha se kishte dyshime nga denoncuesi që prokurori i çështjes mund të ndikohej, por arsyetoi se vendimi i tij ishte marrë vetëm mbi bazë të afërsisë territoriale, duke gjykuar se Elbasani ishte më afër Tiranës se Durrësi.

Dy çështjet e tjera për të cilat Hajdarmatajt i kishte kaluar barra e provës kishin të bënim me kohën që ai ishte drejtues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në të dy rastet, Hajdarmataj u mbrojt me ligjet në fuqi. Rasti i parë kishte të bënte me një dosje hetimore për kapjen e rreth 100 kg kanabis në Durrës. Dosja sipas prokurorit kishte qëndruar për tre vjet pa asnjë veprim. Ai pasi kishte kërkuar nga prokurori i çështjes të ndërmerrte veprime, ia kishte marrë dosjen dhe kishte caktuar atë dy prokurorëve të tjerë. Sipas Hajdarmatës, kjo e riaktivizoi dosjen dhe ajo u çua për gjykim. Ai megjithatë nuk iu përgjigj pyetjes së vëzhguesit ndërkombëtar se pse ndaj prokurorit që nuk kishte kryer veprime nuk ishin marrë masa.

Ndërkohë, në rastin e dytë ai u pyet se përse kishte “lejuar” trasferimi e një hetimi për 12 ton kanabis të kapur në Përmet nga Krimet e Rënda në prokurorinë e Përmetit. Vëzhguesi Ferdinando Buatier i kërkoi Hajdarmatës mendimin e tij nëse çështja në fjalë, “me një prej sasive më të mëdha të drogës të kapur në Shqipëri”, duhej të ishte transferuar. Por Hajdarmataj iu shmang këtij vlerësimi. Ai iu referua ligjit që sipas tij ia linte këtë përgjegjësi prokurorit të çështjes. Ai pretendoi se me dosjen ishte njohur vetëm në momentin ku i është kërkuar nga prokurori transferimi i saj në Përmet dhe se në këtë moment, ai nuk kishte pasur mundësi të jepte këshilla për hetime të mëtejshme. Hajdarmataj u mbrojt duke thënë se në këtë rast ai nuk mund të ndërhynte në vendimin e prokurorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet