“Kadare”, dokumentari që rrëfen dy botët e shkrimtarit gjeni

Foto 1 nga 2 Pas Para

Dokumentari “Kadare” prezantohet në kuadër të netëve të kinemasë evropiane në Europa Houese.  Regjisori Pirro Milkani rrëfen prapaskenat, dëshirën kineaste të Kadaresë, filmimet e vajzave moskovite dhe takimin me Dritëro Agollin

 Anila Dedaj

Çfarë fshihet pas gjeniut të letrave që kaloi kufijtë e së pamundurës, në një kohë që objektivat e prekshëm ofroheshin në një menu të gatshme?! Ndoshta një djalë, në dukje fare i zakonshëm,  i rritur në lagjen “Palorto” të qytetit “të gurtë”, që fantazia e bënte të hapte shtigje të reja atje ku të tjerët shikojnë vetëm një rrugë. Ismail Kadarenë, njeriun e letrave me të cilin shumë identifikojnë një kombm si Shqipëria, e zbulon dokumentari 7-vjeçar i Pirro Milkanit, i cili pas Gjirokastrës mbërriti tek publiku kryeqytetas në Europa Houese. Rrëfimi, zë fill në vendlindje, atje ku Kadare në rini të hershme zuri të thurë vargjet e para… Ato poezi që revistat letrare asokohe do t’ia kthenin, refuzonin apo do t’ia botonin të copëtuara, si një formë qortimi që djaloshi i ri të kuptonte se përpara se të shkruante i duhej të lexonte. Me siguri që në këtë pikë shumë do ta mendonin letrarin e ri të demoralizuar, apo duke e vrarë mendjen se si t’i përshtatej normës…, por nëse kështu do të ndodhte, s’do të kishim të bënim me Kadarenë. Për të, edhe vetëm disa vargje të shkëputura botuar në revistë do të ishin një mrekulli. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme të shikonte emrin e tij pranë emrit të të atit (kështu kishte parë të shkruanin emrin e tyre shkrimtarët e mëdhenj) botuar në një revistë, Ismail H. Kadare… Është e vërtetë që djaloshi i ri i “Palortosë” në imagjinatën e tij krijonte një botë tjetër, që të rinjtë e asokohe ndoshta as do të guxonin ta preknin me mendime, përveçse më vonë nëpërmjet librave të tij. E pohon dhe vetë Milkani, i cili shoqëron gjatë dokumentarit shkrimtarin, se shpesh në familje uleshin për të diskutuar rreth asaj që Kadare kishte shkruar në librin e fundit, të cilin etja për lexim dhe për të bërë të vetën këtë botë të re, e përpinte sa hap e mbyll sytë… Mes këtyre të rinjve, një adhuruese e madhe e shkrimtarit do të ishte edhe vajza me gërshetën e artë, Helena. Një tregim i saj, dhe 3-4 rreshta letër të Kadaresë lidhur me të do të bënin, që gjithë shkolla të nisë të flasë, duke i paraprirë një dashurie që do të zgjaste përgjithmonë. Por në një sistem totalitar, asgjë nuk mund të shkonte fjollë dhe tronditjet e para për Kadarenë do të shënoheshin nga “Dimri i vetmisë së madhe”.  Një kohë censurash, spiunimesh, ndalimesh, internimesh apo më keq, cili do të ishte roli i shkrimtarit? Dokumentari “Kadare” jep përgjigje përmes studiuesit Shaban Sinani, njëkohësisht edhe autor i “Një dosje për Kadarenë”, për të cilin i është dashur të hulumtojë mes dokumentesh, dosjesh e studimesh. “Nuk më ka rezultuar në asnjë rast që Kadare të ketë censuruar apo ndaluar një vepër të dikujt tjetër”, pohon Sinani. Mirëpo, pavarësisht kësaj, pas “çmendurisë” për të shkruar rreth dimrit të fillim viteve 60’ Kadare do të ishte i vëzhguar. Vigjilenca ndaj tij dhe rreshtave që ai shkruante do të vijojë deri në fundin e atij sistemi. Shkrimtari Bashkim Shehu vjen në dokumentar si dëshmitar i gjithë kësaj, pasi asokohe e kishin thirrur në hetuesi, duke e pyetur rreth Kadaresë. Kur ai do të përpiqej të kuptonte se përse po bëheshin këto pyetje, përgjigja do të qe e qartë: “Ishte hapur dosja për arrestimin e tij”. Kadare e kishte ndierë që diçka e madhe po vlonte dhe në pranverën e vitit ’90 i shkruan botuesit të tij në Francë: “Dua të largohem!”. Pritja zgjati 6 muaj. Jashtë kufijve dokumentari rrëfen betejën e shkrimtarit edhe për Kosovën. Letrat dërguar personaliteteve si Xhorxh Bush, shkrimtarit Vaclav Havel, i cili është edhe pjesë e këtij filmi. Një film, që Milkani e cilëson si ndër më të mirët e tij dhe që ka mundur të çojë Kadarenë pas gati gjysmë shekulli në Moskë, ku ai studioi dhe përjetoi dashuritë e para. Shkrimtari e pohon: “Vajzat ruse ishin të bukura dhe të ëmbla”. Filmimet e bëra nga vetë ai, ku objektivi synonte të nxirrte në dukje hijeshinë e tyre, si dhe afria me to, shpesh duke i përkëdhelur, konfirmon këtë, si dhe një ëndërr të pazbuluar të shkrimtarit për kinemanë. Atë kinema, që nëpërmjet Milkanit e solli “Kadarenë” në një dokumentar që ka si një nga pikat kulminante takimin historik me Dritëro Agollin. Sigurisht që regjisori nuk mund të mos i prezantonte publikut krahas shkrimtarit të “Kafe Rostand”, ku shkruan prej më shumë se dy dekadash edhe familjen e tij. Cili është pra realisht Kadare, “Princi i Asturias” që gati një dekad më parë në Ovedja foli shqip dhe për Shqipërinë që ishte…, para mijëra njerëzve, mes të cilëve ndoshta shumë për herë të parë për Shqipërinë kishin dëgjuar prej tij?! “Më duket sikur ka dy botë në mendjen e tij, një që është mbushur plot fantazi dhe imagjinatë dhe një tjetër që është vetë ai”, rrëfen një nga mbesat e tij, asokohe fëmijë.

Dokumentari “Kadare”, amanet i Dritan Hoxhës

Një amanet i lënë në tryezë nga njeriu i Top Medias Dritan Hoxha: “Të bëhet një film për Kadarenë”. Regjisori Pirro Milkani rrëfeu pas prezantimit të dokumentarit, se si bashkëpunëtorët e Hoxhës zbuluan dëshirën e tij të hedhur në letër dhe vendosën t’i jepnin jetë. “Më propozuan mua që të isha pjesë e këtij realizimi. Natyrisht që diçka e tillë përpos kënaqësisë më vendoste edhe para përgjegjësisë ndaj mora tre ditë kohë për t’u menduar. Më pas u thashë se pranoja, por kisha disa kushte”. Regjisori rrëfeu se nisur nga përvoja e fundit që kishte pasur me  “Trishtimi i zonjës Shnajder” kishte dëshirë që ta realizonte këtë bashkëpunim me djalin e tij Eno Milkanin. Ndërsa, kërkesa e dytë ishte, që përveç xhirimeve që do të bëheshin në Shqipëri, dokumentari të realizohej edhe në Paris, pasi siç ai pohon, është ai qyteti ku Kadare kalon gjysmën e jetës së tij. “Ai jeton gjashtë muaj në Paris dhe gjashtë në Tiranë!”, kishte theksuar Milkani që më vonë do të entuziazmohej nga përgjigja e stafit. “Duket se na ke keqkuptuar mund të xhirosh ku të dëshirosh, vetëm me një kusht, të realizosh një film të mirë”. Dhe ishte kështu që kjo punë zuri fill, mes xhirimeve, që siç regjisori pohon, do të shkonin shumë gjatë.

Milkani: Kadare i qëndroi filmit mbi kokë

“Kadare” i shfaqur në qendrën kulturore “Musine Kokalari” në Gjirokastër dhe mandej në Pallatin e Kongreseve i ka krijuar regjisorit Pirro Milkani sodisfaksion. “Kam arritur në konkluzionin se filmat e mirë, dokumentarë, artistikë, kronikalë janë si puna e verës së mirë, sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepë vlera ka. Ky film nuk plaket kurrë!”. Milkani rrëfen se para shtatë viteve kur ky dokumentar u realizua, ata synonin që të bënin një premierë televizive në 75-vjetorin e Kadaresë. Mirëpo shkrimtari, që sipas regjisorit nuk i ka qejf datëlindjet këtë ide nuk e priti mirë asokohe, duke u përgjigjur: “Çfarë është kjo?! Se mos po bëhem 30 vjeç, 75 po bëhem”. Ai rrëfen se fakti që ky dokumentar është xhiruar dalë-ngadalë, duke i dhënë mundësinë që të bëjnë filmime në Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Paris, Moskë, Ovjedo etj., i  jep larmi veprës. “Natyrisht unë i përkas asaj gjenerate të Kadaresë që kemi jetuar me veprën e tij nga fillimi gjer në fund. Nuk e ekzagjeroj kur them se librin e tij “Dimri i madh” mund ta kemi lexuar për dy ditë, dhe pastaj ta kemi rilexuar, çka jepte material për të na frymëzuar dhe për të krijuar një botë imagjinare më të emancipuar. Dhe padyshim më besoni që shpesh në familjen time kur e lexonim diskutonim: “Po si do kalojë kjo, se ka shumë metaforë?!” Milkani rrëfen se edhe vetë Kadare e pranon se nuk ka qenë disident, mirëpo thekson, se ai ishte një artist madh, që nëpërmjet asaj që shkruante dhe me fantazinë e tij arrinte të përçonte shumë. “Prandaj them që për të realizuar një film ishte pak e vështirë, por të bashkëpunosh me Kadarenë është kënaqësi dhe është i çuditshëm fakti se ai është shumë komod në përgjigjet dhe shpjegimet që jep duke e pasuruar gjuhën e filmit. Teksti i skenarit, fjalët e tij krijojnë një tablo. Ai kishte shumë të drejtë që i qëndroi mbi kokë këtij filmi”.

Dëshira kineaste e Kadaresë për kinemanë…

Gjatë dokumentarit, Kadare rrëfen se pas një shpërblimi të madh që pati nga botimet e lirikave kur ishte student në Moskë, ai vendosi të blejë një kamerë për atë kohë moderne. “Kadare” zbulon disa nga filmimet e bëra nga vetë shkrimtari në Rusi dhe Shqipëri. Pas këtij gjesti avangardë për kohën, fshihej ndoshta një dëshirë kineaste.Çdo fëmijë, çdo i ri e ka ëndërr të realizojë një film, siç e pati ai pati shansin, që pas botimit të lirikave të tij në vitin ’61, kur ishte vetëm 24 vjeç të merrte një shumë të madhe parash për kohën. Dhe të gjitha këto i investoi në tavolinë montazhi dhe kamerë. Atë pjesë të paktë të filmit që i kishte ngelë e xhiroi në Shqipëri, bëhet fjalë për filma 60 mm dhe për një kohë prej rreth 20 minutash”. Sipas Milkanit, filmi i xhiruar nga vetë shkrimtari është objekt studimi për kritikët, për historianët dhe letrarët. “Gjatë dokumentarit, mund të vërehet se vëmendja e Kadaresë gjatë filmimit përqendrohet tek sytë, tek buzët e vajzave, tek këmbët e tyre… Kamera lëviz e shqetësuar, por janë materiale me vlerë. Janë materiale që e pasuruan këtë film dhe i dhanë jetë, sepse vërejmë sesi e shikonte Kadare botën në moshën 25-vjeçare, kur ishte në Moskë”.

E vërteta e takimit historik Kadare – Agolli

Me siguri që dokumentari “Kadare” pa praninë e Dritëro Agollit nuk do të kishte qenë i njëjtë. Ishte ky mendimi që i sillej në kokë regjisorit Pirro Milkani gjatë xhirimeve dhe që në një moment e ndau me shkrimtarin duke i thënë: “Ismail, unë këtë film nuk e imagjinoj dot, sikur të mos jetë në të edhe figura e Dritëroit”. Regjisori shprehet se e shikonte të nevojshëm një takim mes të dyve, pavarësisht se kishin material arkival, që përfshinte edhe konsideratat e Dritëroit. “Janë të dy kolosë të letërsisë shqipe, janë të dy bashkudhëtarë, që kanë studiuar bashkë në Gjirokastër kanë qenë miq dhe po të lexoni ‘Një dosje për Kadarenë’, apo çfarëdolloj materiali të rrëmoni, nuk gjeni asgjëkund ndonjë fjalë të mbrapshtë, negative, por kohët erdhën të tilla që pas vitit ’92 Kadareja dhe Dritëroi nuk takoheshin. Ndoshta telefonoheshin, por në publik nuk ishin dukur”. Milkani rrëfen se në një situatë të tillë shkrimtari mendohet pak dhe më pas përgjigjet: “Po ndoshta nuk do Dritëroi!”. Regjisori tregon se u shpreh i gatshëm ta bisedonte vetë me Agollin dhe ashtu bëri, madje duke futur në lojë edhe një gënjeshtër të bardhë, që ndoshta do të nxiste takimin. “I thashë Agollit se Kadareja për katër ditë nisej në Paris, mirëpo në fakt ai do të kthehej pas 10 ditësh, duke i kërkuar që të më jepte sa më shpejt një përgjigje”. Regjisori kujton se Agolli pranoi pa hezitim, duke pyetur se kur do të realizohej takimi. “Pasnesër në mëngjes, i thashë. Dhe kështu u bë!”. Ditën e caktuar Milkani rrëfen se ai shkoi të marrë Agollin, ndërsa Eno (i biri) u drejtua për tek Ismaili. “Dritëroi kishte shumë emocione, shumë. E kishte pirë një gotë raki dhe më tha: Pije dhe ti një gotë. E piva dhe unë, ishte pak ditë e ftohtë, binte pak shi. Ndërkohë e kisha porositur Enon dhe kameramanin të mos e ndërprisnin xhirimin për asnjë moment”. Ai tregon se takimi ishte i gjatë, mirëpo për të si regjisor dhe natyrisht edhe për publikun, ky moment do të bëhej shkas për një tjetër lajm të mirë. “Pikërisht në ato momente, kur çdo gjë po shkonte për mrekulli dhe ata po takoheshin me shumë dashuri si dy ish liceist të Gjirokastrës bie zilja e telefonit. Unë largohem dhe ishte drejtori i Top Channel Keli Hoti, i cili më pyeti se çfarë isha duke bërë. Unë largohem dhe i them: të lutem mos më pengo jemi duke xhiruar Dritëroin me Ismailin”. I befasuar për lajmin e bashkimit të dy shkrimtarëve, ish drejtori i Top Channel lë që puna të vazhdojë pa ndërprerje, ose më saktë vetëm për pak. “Sapo filluam të xhironim i bie sërish telefonit duke më pyetur nëse kishte kamera të tjera, apo ishte ekskluziv dhe unë i them: Është vetëm për Top Channel. Atëherë mbaj shënim më tha: Mbaro Kadarenë dhe fillo Dritëro Agollin! Më dha një porosi, e cila më shërbeu që në këtë film të përdor një të tretën e takimit të Kadaresë me Dritëroin, kurse dy të tretat vendosa t’i shfaq në një film të bërë me të njëjtin ekip. “Dritëro Agolli” quhet dhe u realizua.  Milkani lidhur me dokumentarin “Kadare” rrëfeu se nuk do të kishte ndryshuar asgjë nëse do të ishte kthyer pas në kohë. “Nuk mungon asgjë!”, pohoi ai.

 “Kadare” në Gjirokastër

Milkani rrëfeu se shfaqja e dokumentarit “Kadare” në Gjirokastër erdhi si pasojë e veprimtarisë kulturore të organizuar nga “House of Europe” për të afruar shqiptarët me Evropën.Propozimi i tyre i parë ka qenë ‘Trishtimi i zonjës Shnajder”, rrëfen regjisori, mirëpo me dëshirën e mirë të tij ndodhi që në qendrën kulturore “Musine Kokalari” në qytetin e gurtë të shfaqej ky film dokumentar për Kadarenë. “Në Gjirokastër ishte një emocion i jashtëzakonshëm, sepse ishin atje bashkëmoshatarët e tij dhe bashkëqytetarët e tij”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet