Ka ardhur koha për një frymë të re, për partinë ‘Zgjidhja’

Pandora Kumanaku

Rrugetimi im si pjesë e partisë ‘Zgjidhja’ nisi që në nentor të vitit 2016 kur ‘Zgjidhja’ ishte një lëvizje politike brenda PS-së dhe më pas u shndërrua në një parti politike. Për mua është përfshirja e parë në politikë, sepse nuk kam qenë e angazhuar më parë në ndonjë parti. Aktualisht jam në përfundim të studimeve për drejtësi dhe politika ka qenë një pasion i fshehur, por asnjëherë nuk e kam parë veten si pjesë e ndonjë prej partive të vjetra. U bëra pjesë e partisë ‘Zgjidhja’ sepse atje pashë një vizion për të ardhmen, një dritë shprese dhe një mundësi se Shqipëria do të ndryshojë dhe nuk do të jetë kjo që është sot.

Fatkeqësisht realiteti shqiptar nuk ka qenë dhe nuk është shumë premtues dhe unë si shumë të rinj të tjerë kam qenë skeptike se ky vend do mund të bëhej një ditë dhe e shikoja të ardhmen time diku larg. Por sot mendoj ndryshe sepse jemi ne, njerëzit e këtij vendi, të cilët akoma besojmë se detyrimet tona si shqiptarë nuk janë vetëm ndaj vetes sonë, por ndaj gjithë pasardhësve tanë. Sot jemi në vazhdimësinë e një udhëtimi, i cili ka një punë të gjatë dhe të suksesshme përpara. Të gjithë që jemi këtu, jemi bashkëudhetarë të këtij rrugëtimi sepse kemi kuptuar se programet e konsumuara janë të pamjaftueshme për nevojat tona dhe ka ardhur koha të mbështesim ide të reja për ta ribërë këtë vend. Ka ardhur koha për një frymë të re, ka ardhur koha për një zgjidhje dhe të gjithë së bashku kemi fuqinë të vendosim për të ardhmen tonë.

Ju e dini se çfarë stuhie politike shkaktoi protesta e studentëve në dhjetor 2018. Me mijëra studentë u ngritën për të kërkuar të drejtat e tyre. Ata ishin të vendosur për të plotësuar kërkesat e tyre dhe kishin një kërkesë të artikuluar që në fillim: larg partitë politike nga protesta jonë. Por partitë e vjetra e mbytën atë në pak javë. Qeveria premtoi shumë më tepër se 8 pikat që kërkuan studentët për të mos bërë asgjë. Partitë që flisnin në emër të opozitës hynë mes studentëve protestues, e fëlliqën atë, e politizuan dhe e degjeneruan derisa qeveria dhe partitë e vjetra ia morën frymën dalëngadalë. Kështu ndodhi edhe te Fakulteti Juridik ku unë studioj që ishte pjesa më vitale e kësaj proteste, por partitë e vjetra përdorën çdo instrument legal dhe jolegal për ta mbytur.

Kështu kanë arritur të mbysin çdo protestë, çdo lëvizje që cenon pushtetin e tyre. Por ato nuk do të arrijnë të mbysin partinë ‘Zgjidhja’. Ajo do t’i mbysë ato, sepse të tilla janë tezat e saj, projekti për shpëtimin e Shqipërisë. Ndaj i tremben si djalli temjanit. ‘Zgjidhja’ është zgjidhja, ndaj ju ftoj që të jemi të bashkuar, të afrojmë njerëzit më të mençur, më kurajozë dhe që e duan këtë vend, si gjithë Europa, ashtu siç ishte thirrja e studentëve 29 vite më parë.

*Anëtare e kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’. Fjala në Kongresin e I-rë të ‘Zgjidhja’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet