Juncker: BE do të dërgojë 10 000 roje në kufijtë e Ballkanit

Në fjalimin e fundit si President i Komisionit Evropian, Jean Clode Juncker, theksoi se BE-ja ka në plan të dërgojë 10 000 roje kufitare, për të luftuar imigracionin e paligjshëm deri në vitin 2020 në Ballkan, ai kërkoi unitet dhe një qasje konstruktive ndaj rajonit

Erjon Dervishi

Në fjalimin e fundit si President i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, bëri thirrje për më shumë solidaritet, sesa për “zgjidhje ad-hoc” për emigrantët, apo për krizën ekonomike. Fjalimi i tij gjithashtu trajtoi çështjet e tjera si, populizmin, terrorizmin dhe Brexit-in. Këto janë 12 muajt e fundit të Jean Cloude Juncker në rolin e tij, si President i Komisionit Evropian. Juncker propozoi një aleancë të re Afrikë-Evropë, bazuar në bashkëpunimin dhe jo në bamirësinë, duke çuar në një marrëveshje të tregtisë së lirë mes tyre. Juncker rekomandoi që euro të përdoret më strategjikisht, si monedha më e madhe pas dollarit. Dhe ai bëri thirrje për udhëheqje të fortë pas Brexit. “Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë kurrë një vend i tretë i zakonshëm për ne”, tha ai. Zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian pritet të mbahen në fund të majit të vitit të ardhshëm. Mesazhi i tij kryesor ishte: Evropa po shkon në drejtimin e duhur, edhe pse nuk mund të jemi të vetëkënaqur. Sondazhet e opinionit publik në Evropë tregojnë më shumë njerëz në favor të BE-së, sesa në vitet e fundit, por – dhe kjo është shumë e rëndësishme, por – ata janë gjithashtu të afërt me partitë populiste, të cilat shpesh janë nacionaliste dhe euroskeptike si natyrë. Këto parti kanë tendencë të fitojnë favor në mesin e votuesve, sepse ato – ndryshe nga partitë tradicionale dhe ndryshe nga ato që ata i quajnë teknokratë të Brukselit – po dëgjojnë shqetësimet e njerëzve dhe kujdesen thellë për çështjet sociale. Partitë populiste pritet të fitojnë shumë mirë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Evropian. Juncker tha se, për ta ndryshuar këtë duhet bindur votuesi i zhgënjyer.  Ajo që tha Juncker:

Për sigurinë

Juncker tha se, BE-ja duhej të jetë e sigurt nga kërcënimet e shumta që u ballafaqohen me të. “Ne nuk do të militarizojmë Bashkimin Evropian. Ajo që duam është që të bëhemi më autonomë dhe të jetojmë me përgjegjësitë tona globale”, tha ai. “Vetëm një Evropë e fortë dhe e bashkuar mund të mbrojë qytetarët tanë nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme – nga terrorizmi dhe ndryshimet klimatike”.

Për migracionin

Frontex, Agjencia e Gardës Kufitare dhe Rojet Bregdetare aktualisht ka 1.600 roje kufitare në të gjithë BE-në, kështu që shifra e re është në rritje të konsiderueshme. Juncker angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të Agjencisë Evropiane të Azilit për të ofruar më shumë mbështetje për shtetet anëtare që merren me azilkërkuesit. Ai theksoi nevojën për rrugën ligjore për migrim në Evropë. “Ne kemi nevojë për emigrantë të kualifikuar”, tha ai. Që nga fillimi i mandatit të Juncker në vitin 2014, emigrimi ka qenë një krizë e madhe. Ajo ka ngjallur një rritje të populizmit, e cila ka parë ndërrime pushteti në Itali, Austri, Hungari, Poloni, dhe Suedi, vendi i fundit ku është regjistruar një rritje e votave kundër emigracionit. Të mërkurën, në mëngjes, kancelarja gjermane Angela Merkel u tha ligjvënësve në Berlin se, emigrimi i paligjshëm përbën një kërcënim më të madh për kohezionin e Bashkimit Evropian sesa kriza e eurozonës. Parlamenti gjerman po debaton përgjigjen e qeverisë ndaj demonstratave të ekstremit të djathtë në javët e fundit.

Për terrorizmin

Do të ketë “rregulla të reja për të luftuar përmbajtjet terroriste në internet brenda një ore”. Platformave të internetit do tu kërkohet të zhvillojnë metoda të reja për ndërhyrjen e policisë, por është e paqartë se çfarë forme ato do të merrnin. Propozimi thekson se kompanitë që nuk arrijnë të përmbushin detyrimet e tyre, do të përballen me gjoba deri në 4% të xhiros vjetore globale.

Për Ballkanin

Bashkimi Evropian duhet të jetë unik sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në të kundërtën të tjerët do ta afrojnë duke krijuar mjedisin e përshtatshëm për ndërhyrjet, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Ballkanin Perëndimor nuk duhet ta lëmë pas dore, nuk duhet ta neglizhojmë këtë rajon pasi të tjerët do të rrisin ndikimin e tyre, ka deklaruar Junker në fjalimin e tij për gjendjen në BE para Parlamentit Evropian. “Njëherë e përgjithmonë duhet të gjejmë unitetin kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor” iu tha eurodeputetëve, presidenti i Komisionit Evropian. Junker ka theksuar se BE-ja nuk duhet të ndalë përpjekjet për ndërtimin e një Evrope të bashkuar, duke vënë theksin te fakti se Evropa mund të sjellë stabilitet siç ka bërë deri tash me procesin e zgjerimit të saj.

Slloveni

Borut Pahor: Të ndalet integrimi i Ballkanit, BE është e dobët

Bashkimi Evropian është dobësuar nga Brexit dhe mund të ketë nevojë të shtyjë planet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi Presidenti i Sllovenisë. Borut Pahor tha se, Unioni nuk mund të shpresonte të merrte Serbinë, Malin i Zi dhe Shqipërinë si anëtarë të rinj në gjendjen e tanishme. Duke folur në praninë e kryenegociatorit të Komisionit Evropian për “Brexit” Michel Barnier, Pahor tha: “Një BE e dobët nuk do të jetë në gjendje të zgjerohet me Ballkanin Perëndimor”. Kreu slloven shtoi se gjithçka është e lidhur dhe ne po kalojmë një periudhë që duhet të merren vendime të vështira”, njofton agjencia e lajmeve sllovake “STA”. Bashkimi Evropian po shqyrton gjashtë vende në Ballkanin Perëndimor, si dhe Turqinë, si anëtarët e saj të ardhshëm. Negociatat tashmë kanë filluar me Serbinë dhe Malin e Zi dhe të dy vendet mund të bëhen anëtarë të plotë të BE-së deri më 2025. Unioni gjithashtu shpreson se Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova do të jenë në rrugën e tyre në vitet në vazhdim. Vendet e Ballkanit juglindor janë më të varfrat në Evropë, por BE-ja ka përdorur politikën e saj të kohezionit – e cila siguron fonde për zhvillimin në rajonet dhe kombet e goditura nga varfëria – për përshpejtimin e rritjes ekonomike tek shtetet e reja anëtare në të kaluarën. Z. Pahor gjithashtu përdori Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, për të kritikuar Komisionin Evropian për mosveprimin e tij në mosmarrëveshjen e kufirit ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë. Ai paralajmëroi se BE-ja ka humbur besueshmërinë duke refuzuar të marrë një qëndrim të fortë mbi këtë çështje. Si Sllovenia, e cila u bashkua me BE-në në vitin 2004, dhe Kroacia kanë pretendime për të drejtat e peshkimit në Gjirin e Piranit në Detin Adriatik. Një gjykatë ndërkombëtare ka vendosur në favor të Sllovenisë, por Kroacia ka refuzuar të pranojë vendimin. Pahor akuzoi BE-në për dështimin për të mbështetur Slloveninë dhe për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, duke shtuar: “Përse vendet e Ballkanit do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje nëse, sipas mendimit të Komisionit, marrëveshjet e tilla nuk duhet të respektohen? Miro Cerar, politikani slloven, përdori forumin në Bled, për të paralajmëruar të ardhmen e aleancave shumëpalëshe si BE-ja. Ai tha: “Bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe multilateralizmi është duke u sfiduar rëndë. Është koha për të na kujtuar se paqja dhe pasuria nuk janë dhurata, ne duhet të vazhdojmë në përpjekjet tona për të kapërcyer ndarjet”. Vërejtjet e ish-udhëheqësit erdhën pasi Michel Barnier zbuloi se marrëveshja e “Brexit” është e mundur brenda “gjashtë deri tetë javëve”.

KE

Forcohet lufta kundër pastrimit të parave

Komisioni Evropian propozoi dje një forcim të mbikëqyrjes së institucioneve financiare të BE-së, për të trajtuar më mirë kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. BE-ja ka rregulla të forta kundër pastrimit të parave, por rastet e fundit që përfshijnë pastrimin e parave në disa banka të BE-së, kanë ngritur shqetësime se këto rregulla nuk mbikëqyren dhe zbatohen në mënyrë efektive në të gjithë Bashkimin Evropian. Në njoftimin e saj, Komisioni Evropian thekson se: “Fenomeni i pastrimit të parave krijon rreziqe për integritetin dhe reputacionin e sektorit financiar evropian, por gjithashtu mund të ketë implikime të stabilitetit financiar për bankat specifike. Si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të përfunduar Bashkimin Bankar nga reduktimi i rrezikut dhe zhvillimin e Unionit të Tregjeve të Kapitalit, duhet të ndërmerren veprime vendimtare për të siguruar që rregullat kundër pastrimit të parave, mbikëqyren në mënyrë efektive në të gjithë BE-në dhe autoritetet e ndryshme bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën. Prandaj, Komisioni Evropian ka propozuar dje ndryshimin e Rregullores mbi Autoritetin Evropian Bankar (EBA), me qëllim të përforcimit të rolit të EBA-s dhe dhënien e mjeteve dhe burimeve të nevojshme, për të siguruar bashkëpunim efektiv dhe konvergjencën e standardeve mbikëqyrëse. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë për të forcuar kuadrin e BE-së, për mbikëqyrjen e kujdesshme dhe pastrimit të parave për institucionet financiare, të cilat Komisioni i ka  përcaktuar në një komunikim për mediat. Ai përbëhet nga masa legjislative dhe jo-legjislative për të bërë më efektivë mbikëqyrjen e pastrimit të parave dhe për të përmirësuar bashkëpunimin midis mbikëqyrësve të kujdesshëm, si dhe kundër pastrimit të parave. Këto masa do të kontribuojnë në promovimin e integritetit të sistemit financiar të BE-së, duke siguruar stabilitet financiar dhe mbrojtje nga krimi financiar. Institucionet financiare si dhe subjekteve të tjera, u kërkohet të vendosin sisteme të brendshme për të identifikuar, vlerësuar dhe menaxhuar rreziqet e pastrimit të parave që lidhen me biznesin e tyre. Kuadri mbikëqyrës për luftimin e pastrimit të parave bazohet në Direktivën kundër pastrimit të parave, e cila gjithashtu zbatohet për një numër aktorësh jashtë sektorit të shërbimeve financiare. Përderisa rregullat janë vendosur në nivel evropian, zbatimi i tyre bëhet nga autoritetet kombëtare. Pika e pestë e Direktivës kundër pastrimit të parave, është një hap i rëndësishëm drejt një mbikëqyrje më të fortë të çështjeve të pastrimit të parave në Bashkimin Evropian. Direktiva krijon një sistem për bashkëpunim më të mirë dhe shkëmbim të informacionit ndërmjet mbikëqyrësve të kujdesshëm. Gjithashtu, parashikohet përfundimi i një Memorandumi Mirëkuptimi, midis mbikëqyrësve të pastrimit të parave dhe Bankës Qendrore Evropiane për shkëmbimin e informacionit”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet