Josif Papagjoni/ “Tuneli”, një film për politikën dhe korrupsionin

Publikuar më 20. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Josif Papagjoni

Ka njerëz që e kërkojnë vetveten në të tjera lami, fusha, kontribute, hapësira dhe ja ku vjen një kohë, a një çast fatlum, a një situatë, ndonjëherë dhe diç paradoksale, një shtysë prej miqsh, dhe ata shohin se udha e tyre e lakmuar paska qenë tjetërku e tjetërçka. Historia përsëritet në mijëra shembuj. Kjo ka ngjarë dhe me kinoregjisorin Ilir Harxhi, i cili pak nga pak, gjithnjë e më mbushamendës, erdhi në banketin e kinematografisë shqiptare me disa filma artistikë. Trokiti lehtë dhe e pranuan me dashamirësi, fillimisht si një rishtar e më pas me të drejtën e kalorësit në “Tavolinën e Rrumbullakët”. Kaq i madh e i patejkalueshëm është pasioni për filmin tek Iliri sa ai shpenzon shumëçka vetë për xhirimin e tyre. Dhe teksa e mendoj një hop këtë gjë, më rritet simpatia dhe vlerësimi për të. E ku gjen sot njerëz të artit që të sakrifikojnë nga paret e xhepit të tyre. Janë të rrallë, specie e zhdukur me kohë. Por realiteti i ri, ai i tregut, çfarë s’bën?! Afërmendsh se Iliri ka ngritur vetë një biznes ndërtimi e hotelerie, çka i ka krijuar atij kushtet që për pasion e dashuri ndaj artit, të krijojë edhe filma artistikë duke rrezikuar jo pak. S’është “aritmetikë” e lehtë kjo!

Në një festival teatri, në Strugë në mos gaboj, Enver Petrovci na ftoi gjithë komunitetin e artistëve që të shihnim kinokomedinë e re të Ilir Harxhit “Daja”. Qeshëm dhe u kënaqëm të gjithë. I lamë “teoritë” dhe u argëtuam nga gjetja komike. Daja që luante Enver Petrovci dhe aktorë të tjerë shoqërues në strukturën rrëfimore, sillnin një histori gazmore e të hareshme, aventurën e këtij njeriu të moshuar që kishte pirë për sedër një grusht me viagra në pritje të një seance të “stuhishme” erotike me prostituta shqiptare në Greqi,  por kishte rënë në koma pa e “ngjyer” ende gishtin por, ama, me “tregues” të qartë të qejfit si merak i mbetur në mes. Dhe halli qe se si do ta kalonin trupin e tij në Shqipëri. Ja si këtu lëvizte dhe një nga segmentet më burleske të kinokomedisë nën traun e një dogane krejt të korruptuar. Gjithë sa qemë në sallën ku u projektua filmi i Ilir Harxhit, qeshëm lirisht dhe me të madhe madje, paçka se elementi argëtues ndonjëherë edhe teprohej.

 

Me këtë mbresë pashë filmin e dytë të Ilir Harxhit “Tuneli”, i promovuar pak kohë më parë. Por ky ishte tjetërlloj. Graviteti i dukurisë dhe problemit ishte rritur në mënyrë të ndjeshme. Qeshje me peripecinë, por dhe hidhësira e satirës politike të mbetej në grykë. Regjisori vinte tashmë me një dimension më të gjerë dhe më serioz estetik e shoqëror, një stekë tjetër edhe profesionalisht.

Filmi e ka marrë shtysën nga një tregim humoristik i Pëllumb Kullës, por është plotësuar me lëndë e ligjërim të ri, me personazhe, mjedise, episode, duke e bërë idenë më ngacmuese. Dukuria e korrupsionit në institucionet e shtetit dhe ato të rretheve politike ndjek një hulli sa dramatike, serioze dhe me praninë e satirës fshikulluese, aq dhe komike, të hareshme, argëtuese. Për interesa vetjake dhe fitime në rrugë të paligjshme, të “mëdhenjtë” e një komune, kryetari dhe deputeti i zonës, kërkojnë të bëhet një rrugë e re, ku të përfshihet posaçërisht hapja e një tuneli, gjoja për ta bërë zonën një “atraksion turistik” duke dalë në bregdet vetëm për 12 kilometra (?!). Ata krijojnë rrethanat, që çojnë ujë në mullirin e tyre. Për këtë shfrytëzojnë si karrem shoferin e të Madhit të vendit, luajtur nga Arben Derhemi, i cili është me origjinë nga fshati ku kjo rrugë e ky tunel duhet të kalojnë?!… Nuk ka ndonjë “fshehtësi” në aferën korruptive të politikanëve të “vegjël” të periferisë; ajo bëhet thuajse haptazi, sy ndër sy, thënë më saktë, shpërfaqet pa shumë skena e episode me “intriga e kulisa”, me ujdi, nënkuptime e qitje larg e larg.

Kryeministri a kryetari i shtetit (Enver Perovci), i cili vuan nga deliri i madhështisë dhe llogarit votat, duke nënkuptuar doemos dhe fitimin e vet, e jep miratimin dhe ja ku projekti i hapjes së tunelit nis. Siç është iluzive dhe butaforike gjithë politika spekulative e shtetit dhe e vetë liderit politik, ashtu rezulton të jetë edhe rruga e tuneli i ri i financuar nga buxheti i shtetit, pra diçka inekzistente që ndërtohet si dukje dhe për sy të botës, ndërsa në fakt ai nuk hapet fare. E gjitha është një gënjeshtër, një mashtrim, duke vjedhur fondin e akorduar, shpërndarë në “porcione” të ndryshme sahanlëpirësve të vegjël të pushtetit, sipas rëndësisë dhe pozicionit që kanë.

Filmi ka sjellë edhe linja të tjera, që realisht janë të këndshme dhe kanë humor, por që nuk janë deri në fund funksionale, si p.sh “tundimet” seksuale prej plaku sevdalli të babait të shoferit (Robert Ndrenika) dhe flirti i tij me një vajzë fshati që shërben në shtëpinë e tyre, e cila, sikurse na del më pas, është e vënë nga pushtetarët e provincës për ngritjen e grackës ndaj shoferit të të Madhit dhe korruptimin e tij, me qëllim që të jenë të “sigurt” dhe, në rast refuzimi, ta shantazhojnë atë. Gjithsesi, harxhohet shumë kohë filmike, pavarësisht lojës plot humor të aktorit të shquar R. Ndrenika, kur në fakt, nga pikëpamja e një strukturimi më të drejtë, ky personazh, pra babai i shoferit, dhe flirti i tij me vajzën e re duhej të ishin më anësorë, në dobi të rrengut që i punohet të birit për interesa korruptive, se sa si linjë gati më vete. Duke shfrytëzuar tuhafllëkun e këtij plaku sevdalli, gjithçka lipsej të vihej edhe më mirë në voli të shantazhit të “pushtetarëve të vegjël” ndaj të birit për çdo denoncim të mundshëm, pa u hapur shumë në skena xhelozish të gruas së tij, që të kujtojnë recidive episodesh nga filma të tjerë, por që nuk motivohen dot deri në fund për një varg arsyesh, rrjedhimisht përbëjnë lëndë të tepërt dhe e ulin peshën që ideja ka në zanafillë të saj.

Në vallen korruptive për të siguruar mbështetje dhe kredenciale nga i “Madhi” i vendit, pushtetarët e vegjël të periferisë arrijnë ta futin më në fund në kurth shoferin e përmes tij vetë të “Madhin”. Ndarja e “plaçkës”, e fitimeve midis deputetit të zonës (Sokol Angjeli), kryetarit të komunës (Naun Shundi) dhe shoferit (Arben Derhemi) është nga skenat ku dialogu dhe pesha dramatike e episodit shpërfaqen me seriozitet. Hyrja në vallen korruptive dhe trysnia e ushtruar bashkëshoqërohet me rrengun e një filmimi që i kanë bërë shoferit të të “Madhit” gjatë një flirti seksual me vajzën e “instruktuar”, e cila është pjesë e lojës, e ndyrësisë dhe e fitimit. Metafora e filmit, kur të tre, deputeti, kryetari i komunës dhe shoferi, si zëdhënësi i shefit të qeverisë, bëjnë që të hyjnë me makinë në tunelin butaforik të fshehur dhe përplasen aty, vjen bukur e në mënyrë të beftë. Është ndëshkimi i merituar, “hakmarrja” e tunelit të pahapur, i konotuar si hakmarrja e parave të vjedhura nga taksapaguesit. Ndërkaq një copë polisteroli që shkërmoqet në inat e sipër nga “i Madhi” i qeverisë mbi tavolinën e punës teksa merr vesh lajmin dhe skandalin e ndodhur, të çon vetiu tek ideja e shkërmoqjes së vetë shtetit, të moralit dhe të së drejtës, të të gjithë hierarkisë: një shtet butaforik, i gënjeshtërt, spekulativ, “prej polisteroli”, i zhytur në korrupsion dhe kalbje. Një shtet-maskë, një kinse shtet.

Filmi bën gërshetime të elementit dhe vështrimeve dramatike me ato komike, madje diku edhe anekdotike. Herë-herë në ecurinë e idesë qendrore të tij futen sekuenca, që krijojnë përsëritje: forma tubimesh, pritjesh e mitingjesh, të cilat nuk shtojnë diçka të re, aq më fort të lidhura thellësisht me domethënien e tij. Edhe episodi i një festivali folklorik e me këngë popullore, ku paraqitet korruptimi i jurisë nën ndikimin e njerëzve të pushtetit, është i tepërt dhe madje anekdotik. Kjo frymë anekdotike me elementet e groteskut, i cili nuk merr gjithë fuqinë e ironisë dhe sarkazmës politike, e ulë besueshmërinë. Një sens mase dhe nuhatja për të gjetur pikën e ekuilibrit mes seriozes dhe komikes në funksion të mesazhit filmik, besoj se do t’i jepte atij edhe më shumë fuqi e vërtetësi.

Gjithsesi, “Tuneli” është një film që apelon fort dhe seriozisht ndaj kalbjes së pushtetit dhe njeriut, kalbjes së moralit, kalbjes së shumëçkaje në këtë vend, ku kaq shumë shpërdorohet dhe vidhet sa të zë ulërima dhe klith me gjithë shpirt: Thefshin kokat siç i thyen hajdutët e vegjël në “Tunelin” e Ilir Harxhit. Por nga ata të “vegjlit” hakmarrja jonë shkon te hajdutët e mëdhenj. Thefshin kokat që të gjithë ata, nga rrethet politike, të biznesit apo të trafiqeve qofshin! Unë e di se filmi s’është një protestë a tubim njerëzish që kanë energjinë të bëjnë ndryshimin dhe të përmbysin kastat, të çdo lloji e kahu qofshin ato. Filmi është art dhe ai operon me të mundshmen, me metaforën. Nëse ia vënë veshin kësaj metafore filmike, s’është keq për hajdutët. Por edhe në s’ua vënë veshin ata, është populli që ka vesh dhe dëgjon, është populli që ka sy dhe shikon. Ky film, besoj, jua hapë veshë e sy njerëzve për të parë e dëgjuar më mirë…