Emri i Maqedonisë, mijëra grekë protestojnë sot në Selanik, nesër tubim i madh në Athinë

Publikuar më 03. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Mijëra protestues grekë u derdhën sot në rrugët e Selanikut për të kundërshtuar përdorimin e emrit “Maqedoni” nga fqinji i tyre FYROM. Protesta e sotme në Selanik paraprin atë që pritet të mbahet nesër në Athinë, e cila pritet të jetë shumë më masive.

Protestuesit bllokuan për 2 orë rrugët e qytetit duke kërkuar që propozimi për zgjidhjen e kontestit me emrin të mos përmbajë termin “Maqedonia”.

Mbi 2500 autobusë janë rezervuar për të sjellë protestues nga provinca të ndryshme për protestën që do të mbahet nesër në sheshin “Sintagma”. Protesta do të mbështetet edhe nga partitë opozitare, si dhe krerët e Kishës.

Ndërkohë grupi anarkist Ruvikonas ka paralajmëruar se “të dielën në shesh do të derdhet gjak”. Policia greke është vënë në gatishmëri për të parandaluar shqetësimet e mundshme, pasi një kundër-demonstratë është planifikuar të zhvillohet më herët në Propylaia, më pak se një milje larg nga sheshi Syntagma.

Policia ka vendosur të mbyllë stacionet e metrosë të Athinës, të tilla si “Syntagma”, “Panepistimio” dhe “Omonia”, nga ora 10:00 e mëngjesit.