Jo “aksham pazareve” të Hashim Thaçit

Nga Veton Surroi

Portreti i paautorizuar: jokompetenca, jotrasnparenca dhe abuzimi.

1.

Alban Hashani , drejtor i “Riinvestit” rrëfeu dje në “Forumin 2015” se Kosova ballafaqohet me dikund mes 65 dhe 170 milionë euro dënimesh për kontratat e bëra në dëm të vendit, që nga autostrada e Shkupit e deri te tenderi i pasaportave, përfshirë natyrisht edhe kontratën e PTK-së. Shifra ka gjasa të ndalet dikund te 90 milionë euro (përfshirë paratë që do t’i marrë “Z-Mobile” nga PTK). Hulumtimi i bërë nga instituti “Riinvest” ka treguar pak a shumë tri arsye: jokompetencë, jotransparencë dhe abuzim.

Në hulumtim mungonte vetëm edhe një element, emri i Hashim Thaçit. Të gjitha këto kontrata janë në fund të lidhura me të. Autostrada e Shkupit u nënshkrua si kontratë, ndërsa ai ishte kryeministër në ikje (gjë që nuk bëhet në demokraci parlamentare), Brezovica u nënshkrua si projekt i tij madhor dhe vartësit e tij nënshkruan kontratën me të cilën PTK jepte edhe atë pjesë të kapur prej partisë së Thaçit një kompanie të afërt me të.

Kontratat u bënë nga stafi vendor pa e mbrojtur interesin e Kosovës (jokompetencë) u bënë me klauzola fshehtësie prej publikut (jotransparencë) dhe në fund rezultuan në shpenzim të kotë parash nga buxheti për të mbuluar gjoja gabimet e jokompetencës dhe jotransparencës; nuk do të ishte befasi e madhe, vlerësuar prej precedentëve të shteteve të Afrikës dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, që “dënimet” nga këto kontrata të kenë përfunduar në xhepa të pushtetarëve, të atij Klani të njohur.

2.

Por përshkrimi që u bë për kontratat duket se mund të jetë model për portretin e Hashim Thaçit në procesin e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës , në atë që quhet dialog. Në atë proces,në analogji me kontratat, Thaçi ka treguar mungesë kompetence, ka treguar mungesë trasparence dhe ka treguar abuzim. Gjatë shtatë vjetësh ka marrë pjesë në një proces negociator, në të cilin ka nënshkruar marrëveshje në dëm të Kosovës (jokompetencë) , duke mos krijuar konsensus (jotransparencë) dhe duke mos marrë autorozimin e as përgjegjësinë politike për to (abuzim).

Ashtu sikurse me kontratat (Brezovica, Bechtel Enka, PTK) pasojat e dëmeve të bëra kanë ardhur më vonë. Në vend të penalltive milionëshe për këtë apo atë vonesë a mospërmbushje, vijnë penalltitë e presionit për të krijuar një autonomi serbe në Kosovë dhe izolimi i tërësishëm i vendit , duke e lidhur çdo proces politik me negociatat.

Dhe ashtu sikurse kaloi prej një kontrate të dëmshme për vendin në kontratën e ardhshme, Hashim Thaçi mendon të kalojë prej një marrëveshjeje të dëmshme me Serbinë në tjetrën.

3.

Modeli që Hashim Thaçi ofron për negociatat e ardhme është po i njëjti si deri më sot : jokompetencë, jotransparencë dhe abuzim.

Që në takimin e parë të “fazës së re”me presidentin e Serbisë shkoi pa ndërtuar koncept, që do të tregonte interesin e Kosovës, shkoi pa e ndërtuar atë koncept me spektrin politik të Kosovës dhe shkoi pa përkrahjen e Kuvendit të Kosovës.

Jokompetencën e tij e treguar menjëherë me t’u kthyer. U tha qytetarëve të Kosovës se ose arrihej marrëveshja me Serbinë ,ose Kosova mbetej si Palestina dhe Qiproja e Veriut. Vështirë do të ishte të gjendej një budallallëk më i madh për t’u thënë në atë apo në cilindo kontekst tjetër. Palestina është një territor i okupuar që nuk ka as sovranitet , as tërësi tokësore e sigurinë bazike të qytetarëve të saj për të funksionuar si shtet. Qiproja e Veriut, për dallim prej Kosovës që ka mbi 100 shtete që e njohin, njihet si shtet vetëm prej Turqisë. Kosova e ka tejkaluar rrezikun palestinez e qipriot duke nënshkruar Marrëveshjen e Rambouillet-së, atë të njëjtën që Thaçi nuk donte ta nënshkruante duke iu besuar më shumë njohurive të veta.

Jotransparencën e tij ai vazhdon ta ndërtojë me arsyetimin se për çfarëdo marrëveshjeje që të arrijë me Serbinë, fjalën e fundit do ta ketë Kuvendi i Kosovës. Në proceset negociatore të kësaj natyre , kjo nuk është garancë e mjaftueshme, sepse , sikur me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar më parë, njëherë e nënshkruar çfarëdo marrëveshje ka jetën e vet të presionit politik. Kjo e Brukselit ka pesë vjet që e ka paralizuar jetën politike dhe vazhdon të ndikojë me insistimin për Bashkësi të komunave serbe.

Dhe abuzimin e tij vazhdon ta dëshmojë më tutje. Me gjithë dëmin e madh të bërë tashmë në “dialog”, Thaçi është i vendosur që si “kryenegociator” ta mbrojë veten nga andrallat e Gjykatave Speciale deri te qytetari i fundit i vendit dhe centi i fundit i pashpërdorur të parasë publike.

4.

Frika personale e Thaçit nuk ka nevojë të jetë ajo e Kosovës.

Jo, Kosova nuk rrezikon të bëhet as Palestinë e as Qipro. Jo, Kosova nuk ka nevojë të marrë pjesë në një proces negociator pa e ndërtuar konsensusin politik , në mbrojtje të interesit të vet shtetëror. Dhe ndonëse nuk duhet ta zvarrisë këtë ndërtim të një veprimi të përbashkët politik, nuk ekzistojnë afatet as për këtë muaj e vit, as për ndonjë muaj a vit tjetër; marrëveshja me Serbinë varet prej cilësisë së saj, jo prej shpejtësisë në të arritur. Nuk bëhet garë për marrëveshje të shpejtë, por për marrëveshje të mirë.

Dhe, jo , kjo marrëveshje , nëse do të jetë e mirë, nuk mund të jetë “aksham pazari” i Hashim Thaçit, të cilin duhet ta paguajnë gjeneratat e ardhshme me para , mund e gjak.

Marrë nga Koha Ditore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet