Jetojnë me dritën e qiririt, qeveria nuk u rimburson energjinë

Dhjetëra qytetarë të shtresave në nevojë nuk përfitojnë  kilovatët falas, sipas vendimit të 2015-s. Protestojnë para Kryeministrisë për të drejtën e mohuar që i ka privuar nga jetesa normale. Kërkojnë rikthimin e energjisë

Enida Vërça

Nën sloganin “Kthema dritën”, pakicat e komunitet Egjiptian dhe atij Romë kanë protestuar para kryeministrisë ditën e djeshme, për më shumë se dy orë. Më qindra qytetar të ardhur nga rrethet e Fierit, Beratit, Elbasanit, e po ashtu kryeqytetit kërkuan para godinës së kryeministrisë miratimin e VKM-së për “klientin në nevojë”, nga i cili do të përfitojnë ndihmë financiare për energjinë elektrike të gjitha familjet në nevojë, në bazë të Ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, të miratuar në vitin 2015. Qytetarët u shprehën për “Shekulli”-n se nuk mund të vazhdojnë më jetesën në kushtet të cilat ndodhen, duke kërkuar një të drejtë jetike, siç është edhe energjia elektrike. Në fjalën e tyre ata thanë se kërkojnë vetëm 210 kW falas energjie në muaj, të cilat shteti i ka për detyrë t’i mbulojë për familjet në nevojë. “Buka, uji, energjia elektrike, strehimi edhe pse janë nevoja bazike, neve sot na mohohen. Të nxjerrësh bukën e gojës, duke shitur misra, vjen bashkia dhe të gjobit. Ti punon 20 vite për të ndërtuar një shtëpi dhe vjen shteti e shkatërron në mes të ditës dhe të flak në mes të katër rrugëve. Sot kemi me dhjetëra të vetëvrarë dhe me dhjetëra të plagosur sepse nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike. E pse ndodh kjo? Sepse ky nuk është shtet i së drejtës, ky është shtet i të pasurve në kurriz të të varfërve, ndaj neve nuk na ka mbetur gjë tjetër përveçse të mbështesim njëri-tjetrin. Ne duhet të bëhemi bashkë, jo vetëm komuniteti egjiptian, apo rom. Ne duhet të bëhemi bashkë të gjithë të shtypurit, të nëpërkëmburit, për një shoqëri më të drejtë, sepse drita është e drejtë dhe nuk është luks”, u shpreh Viki Çipi për “Shekulli”-n.

10 vite pa energji

Raimonda Toska, e ardhur nga qyteti i Elbasanit tha se prej 10 vitesh jeton pa energji elektrike në banesën e saj. “Kam 10 vite pa energji elektrike. Jemi pa punë. Jetojmë vetëm në dritën e qirinjve. Ne po protestojmë për një të drejtë, siç është e drejta për të pasur energji në banesë. Në vitin 2015 është miratuar ligji për sektorin e energjisë elektrike. Në këtë ligj, në nenin 95 të tij specifikon klientin në nevojë, që janë familjet e varfra të cilave duhet t’u sigurohet falas nga buxheti i shtetit”, thotë ajo. Ibrahimi është një tjetër banor i komunitetit rom, i cili prej vitesh jeton pa energji elektrikë. Ai thotë se më një ndihmë ekonomike prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj nuk mund të mbulojë shpenzimet më jetike. “Ne nuk kemi mundësi të paguajmë energjinë elektrike 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Ne vuajmë për shumë gjëra, po më kryesorja është energjia. Ky ligj duhet të ishte kaluar me VKM që në 2016 dhe qeveria ka bërë gjithmonë sytë qorrë dhe veshët shurdhë. Ne po kërkojmë thjeshtë ligjin që është miratuar nga parlamenti. Shteti nuk po e zbaton këtë ligj. Unë trajtohem me ndihmë ekonomike dhe marr në ditë vetëm 50 lekë të reja. Çfarë mund të bëj unë me kaq lekë në ditë? Të paguaj dritat, të blej ushqimet, ilaçet? Ne jemi debitorë, kemi lidhur kontratë me OSHEE-në, por nuk e përballojmë dot kontratën. Për familjet në nevojë, kontrata për të paguar faturat e prapambetura, duhet të jetë vetëm 3 mijë lekë të vjetra, jo 10 apo 12 mijë, siç është aktualisht. Nuk mundemi më! “, përfundoi ai.

Pankarta

Në këtë protestë e cila zgjati më shumë se 2 orë, duke bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nën temperaturat mbi 30 gradë celsius, qytetar mbanin në duar pankarta të shumta ironizuese ndaj qeverisë. Të pranishëm ishin edhe fëmijë të këtij komuniteti dhe aktivist të shoqërisë civile të cilët u sensibilizuan me protestën duke mbështetur kërkesën e tyre. “Zoti na dha dritën natyrale, ndërsa qeveria na hoqi dritën e krijuar nga njerëzimi”; “210 kW falas për një familje në nevojë”; “Edhe sa kohë do të protestoj për dritat?”; “Energjia elektrike është një e drejtë jetike”; “Ndriçimi nuk është mall, por një e drejtë për të parë pjesëtarët e familjes në mbrëmje, kthema dritën!”; “Për VKM 3 vite prita, por tani u mbush kupa”; “Thjesht zbatoni ligjin, as mëshirë, as dhuratë!”;”Më shpëtoni nga mesjeta”; “Fëmija ime e kaloi semestrin në errësirë”; “Unë protestoj sepse statusi në ‘Facebook’ nuk e ndryshon botën!”, ishin disa nga pankartat me të cilat protestuan qytetarët.

Simbolika

Të organizuar dhe me thirrje të herë pas hershme ndaj kryeministrit Rama për miratimin e ligjit, nuk munguan as simbolikat në këtë protestë. Në këtë mënyrë ata ishin pajisur me qirinj, të cilët i ndiznin herë pas here. Po ashtu improvizuan edhe një kuti votimi, ku brenda saj hodhën faturat e energjisë elektrike. Pas më shumë se një orë e 30 minuta qëndrim para kryeministrisë, ata marshuan rreth e qark saj, duke shpresuar se zëri i tyre do të dëgjohej nga ky institucion në të gjitha drejtimet.

Shoqëria civile peticion për “klientët në nevojë”

Një javë më parë aktivistët e shoqërisë civile i kanë dorëzuar qeverisë për miratimin e VKM-së për “klientin në nevojë”, një peticion me 3200 firma. Peticioni u dorëzua pranë katër institucioneve: në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës dhe pranë Kryeministrisë, ku kërkohet miratimi i VKM-së, në zbatim të nenit 95 të ligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike. Familje në nevojë, individët dhe qytetarët e ndryshëm, nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri dhe Berati, u solidarizuan me bashkëqytetarët e tyre, duke firmosur peticionin për të nxitur reagimin e institucioneve për të zbatuar nenin 95 të ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i cili parashikon trajtimin e veçantë të familjeve në nevojë për aksesin e energjisë elektrike. Këshilli i Ministrave propozoi një ligj “Për sektorin e energjisë elektrike” në vitin 2015, që për herë të parë parashikonte rregullimin e kësaj situate me një term që quhet “klienti në nevojë”, që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë. Me këtë term kuptohet që familjet në nevojë, si ato që trajtohen me ndihmë ekonomike, me pension invaliditeti ose pensionistë, mund të sigurojnë një kompensim të energjisë elektrike nëpërmjet buxhetit të shtetit. Ligji gjithashtu parashikon që për ta bërë më të prekshme këtë zbatim të ligjit, duhet një VKM për mënyrat, kriteret dhe procedurat sesi këto familje do të marrin këtë përfitim. Ligji parashikonte që VKM përkatëse duhej të dilte në vitin 2016. Por, miratimi i VKM-së nuk është kryer megjithëse kanë kaluar 4 vite nga miratimi i këtij Ligji, dhe tre vite nga afati i përcaktuar në Ligj për VKM në fjalë. Mungesa e kësaj VKM-je, që ka mbajtur peng kompensimin për energjinë elektrike për “klientin në nevojë” ka vënë në lëvizje aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë përgatitur peticionin. “Bashkë me disa aktivistë në 5 qytetet kryesore të Shqipërisë; Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat, shkuam dhe informuam qytetarët që janë trajtuar me ndihmë ekonomike ose që janë pensionistë, rreth mundësisë për kompensim që ligji për sektorin e energjisë elektrikë i miratuar në vitin 2015 u jep atyre. Realisht ata nuk kishin dijeni dhe u habitën nga kjo mundësi që ligji i mundësonte, teksa nga ana tjetër u zhgënjyen se si në këto vite nuk është miratuar VKM-ja. Mbi 100 ankesa u adresuan në portalin “Shqipëria që duam”, në lidhje me këtë problematikë, por nuk u mor një përgjigje konkrete mbi këtë çështje, teksa qytetarët tanimë janë më të vetëdijshëm për mundësitë që ofron ligji dhe janë të gatshëm ta përshkallëzojnë protestën e tyre”, tha Ervis Cota, drejtues i LRER.

Kush përfiton nga VKM-ja e vitit 2015

Sipas nenit 95 të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, sigurohet e drejta themelore e familjeve për ndriçim, informim, standard minimal të jetesës dhe lehtësira të tjera në kuadër të aksesimit të energjisë elektrike, veçanërisht për grupet vulnerabël, përfshirë dhe pakicat Rome dhe Egjiptiane. Por mungesa e miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij neni ka shkaktuar pasoja negative për mijëra familje të varfra. “Pas ndërmarrjes së reformës së qeverisë në vitin 2015 për sektorin e energjisë elektrik lidhur me debinë dhe borxhet që qytetarët kishin akumuluar ndër vite, u menduan disa skema lehtësuese të cilat nuk arritën që të përballoheshin nga të gjithë qytetarët për shkak të mungesa të të ardhurave dhe varfërisë. Familjeve të varfra ligji i vitit 2015 i njeh të drejtën ligjore që të kompensohen nga buxheti i shtetit deri në një sasi të caktuar KW, mirëpo kjo lehtësi nuk është aprovuar akoma nga qeveria shqiptare. Përgjatë viteve të fundit, kanë qenë të shumtë rastet kur familje në nevojë, të detyruara nga situata e vështirë ekonomike, kanë kryer rilidhje të paligjshme dhe për rrjedhojë është ndaluar arrestuar dhe ndjekur penalisht kryefamiljari. Të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë tregojnë se: Vetëm gjatë periudhës 2016-2017, janë evidentuar mbi 2000 vepra penale në shkallë vendi të lidhura me energjinë elektrike, 500 të arrestuar, 650 të ndjekur në gjendje të lirë dhe 385 të shpallur në kërkim. Detyrimet ligjore të cilat rrjedhin si pasojë e ligjit të viti 2015, siç janë subvencionimi i disa KË me energji elektrike për familjet të cilat e përfitojnë statusin e Klientit në Nevojë dhe shlyerja e debisë për shpenzimet e prapambetura e shtirë në kohë, do të ishit mbështetje konkrete për familjet e varfëra të cilat në pamundësi për të gjetur një punë, apo që e kanë humbur këtë të fundit të mund të siguronin energjinë elektrike, për nevojat më bazike që kanë familjet e tyre. Nëse, Vendimi i Këshillit të Ministrave në funksion të Nenit 95, do të ishte miratuar dhe zbatuar, familjet e varfra përmendim këtu ata që përfitojnë ndihmë ekonomike, pension social dhe pagesat e aftësisë së kufizuar, do të përfitonin nga buxheti i shtetit subvencion deri në 2000 leke të reja në muaj të cilat konvertohen në 210 KW/H energji elektrike falas në muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet