Jeta parlamentare po degradon, vetëm zgjidhje nuk ka

Publikuar më 13. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Sulejman Abazi

Ku e ka hallin politika që përplas brirët në Parlament?! Mbi të vërtetën nuk vlen asnjë opsion i shtruar, që tenton të krijojë, me ose pa dashje, lëkundje të besimit ndaj saj. Sigurisht, për të vajtur tek e vërteta është angazhim i mundimshëm, aq më tepër për opinionin shqiptar, i cili për dy dekada e gjysëm, iu nënshtrua një shtrëngimi psikologjik dhe morsës së varfërisë, duke mallkuar dhe braktisur vendin e tij. Kjo e keqe e madhe që po kthehet në mënyrë veprimi, po ndikon fuqishëm në shtresëzimet sociale dhe politike, duke rritur shkallën e tymnajave, paragjykimeve, si një goditje e fuqishme negative kundër opinionin shoqëror, që po vazhdon të ndot ambjentin tonë.

Me dhe pa fakte, pa argument, vetëm mbi bazën e paragjykimeve, mërive, qejfmbetjeve, konflikteve të interesit, mbi shpifje të servirura nga qarqe të pakontrolluara dhe të papërgjegjëshme, pritshmëritë mbeten negative. Vetëm zgjidhje nuk ka. Fatkeqësisht kjo situatë po dominon dhe gllabëron të gjithë nivelet, duke shtuar “kompetentët”, pa qenë pjestar të ngjarjevedhe asaj që ndodh rëndom në hullitë e korrupsionit dhe të mashtrimit kolektiv. Shembullin për këtë e shohim çdo të enjte në Parlamentin e Shqipërisë. Po përballemi kaq shumë në këtë kohë të vështirë me këtë situatë denigruese, sa që opinion shqiptar po e humbet orientimin e interest qytetar dhe po i dorëzohet pa kushte djallëzisë politike.

Por ekspozohemi çdo ditë e më shumë ndaj rrezikut të goditjes nga jashtë dhe brenda njëkohësisht. Raporti i BE-së për çështjen e negociatave me Shqipërinë, është një shuplakë e fortë për klasën politike. Shqipëria po mbahet peng i një konfliktualiteti të ashpër, që po tregon mungësn e dëshirës për ta dorëzuar imunitetin e kriminalizuar në institucionet europiane dhe për t’i dhënë frymëmarrje jetës shqiptare.  Shtrëngimi i morsës së drejtësisë, po jëp sinjale alarmi majtas e djathtas. Po mësohemi gati çdo ditë me skena të tilla, dhe këto janë bërë aq shumë, sa shqiptarët po vënë në dyshim ekzistencën e tyre dhe shpresën për të ardhmen.

Sot për opinionin është i rëndësishëm ballancimi i veprimtarisë institucionale për t’i hapur rrugën drejtësisë. Shpërqëndrimi që po ndodh brenda klasës politike, duke e shtrirë diversionin deri poshtë, po nxit fenomenin e vetësakrifikimit shoqëror. Kjo mënyrë veprimit që shfaq mungësën e strategjisë së zhvillimit kombëtar, ka dëshmuar se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të humbasë kohë, nuk mund të zhytet më thellë në vëtëshkatërrimin e saj, për shkak të politikanëve zëmërak, të papërgjegjshëm, të kriminalizuar, që më shumë se sa plotësimi i detyrimeve që burojnë nga pushtetit, po i kushtojnë rëndësi “plencave, fasuleve, rakisë, kafshëve të pyllit, dordolecëve, të droguarve, potureve e tumaneve”, se sa zgjidhjes së problemeve që ka ekonomia shqiptare.

Në këtë çështje të rëndomtë të një komunikimi jashtë normave etike të sjelljes politike dhe shoqërore, nuk më kanë interesuar emrat e veçantë, pasi nuk është vështirë të kuptosh, se me kë kë të bësh dhe çfarë përfaqësojnë niveli i ulët i njerëzve që kanë pushtuar dhe po mbajnë peng foltoren e popullit. Në këto përplasje të panderëshme, pa formim edukativ të aktorëve të degraduar në jetën parlamentare shqiptare dhe ekranet e mediave, opinion ka kuptuar se çfarë u solli “lista e kryetarëve” demokracisë dhe ëndërrës për shtetin ligjor.

Problemi mbetet ende thelbësor, për çështjet themelore që duhet të zgjidh politika dhe që duhet të zgjidhim të gjithë sëbashku. Në këtë pikë të alternativave më të mira dhe të kompromiseve politike për të mirën e vendit, po përballemi me një kontradiktë shumë therëse, kur shikojmë që niveli i klasës politike, formimi dhe tradita e përfaqësuesve më tipikë të saj, sot pasqyrojnë një nivel shumë të ulët të përfaqësimit intelektual dhe profesional, duke vërtetuar edhe një herë, negativitetin e ligjit zgjedhor të vitit 2008, të miratuar në unitet mendimi, nga të dy partitë e mëdha shqiptare.

Me dinakëri kjo klasë politike, brenda justifikimit mbi “diversitetin e mendimeve” për shkak të opozitës politike, qëndrimeve aspak dinjitoze dhe serioze, po shpenzojnë kohën dhe energjitë në drejtimet e gabuara. Sinjalet mbi “konfliktin dhe mosbindjen civile”, thirrjet për fermerët që ata t’i vërsulen Tiranës, pa asnjë alternativë zgjidhjeje, po i shëmbëllejnë teorisë së Mao Ce Dunit; “Të ngrihet fshati dhe të rrethojë qytetin”. Populli nuk mund të ngrihet në këtë mënyrë me urdhëra dava Lulësh, as më thirrje patetike, as me përgjërime, por opinionit i duhet kauza për të cilën mund të jap dhe të bëjë gjithçka. Si mund të pretendosh për kauzën e shqiptarëve, kur opozita vet nuk e ka një të tillë? Nuk po e kuptojmë akoma, për çfarë lufton opozita shqiptare në Parlament dhe si mund ta orientojë ajo vullnetin e shqiptarëve për ta përmbysur këtë qeveri të paaftë dhe të çorientuar?

Në mes të tepsisë që i përfshin të gjithë, është çështja e drejtësisë. Në këtë përplasje brirësh, përgjegjësia kryesore i mbetet pushtetit politik të PS-së, e cila më shumë se sa për “ploncin dhe rakinë e Dash Shehit”, apo justifikimit të potureve të kryeministrit, më shumë se sa fitores së Ermal Metës në Sanremo, apo ngjyrave të rrugëve dhe kryqëzimeve të semaforëve të Tiranës, nuk është në gjendje të shikojë vetëshkatërrimin që po i bëjnë Shqipërisë, të cilën e kanë zhytur më thellë në varfëri dhe nëpërkëmbje, ku krimi, korrupsioni dhe grabitja e pasurisë kombëtare, betonimi, dhuna mbi gjithçka që tenton të përfaqësojë një vlerë, nuk kanë të mbaruar. Shteti i kapur nga mafia dhe nën presionin e krimit të organizuar, po synon të kap dhe të kontrollojë gjithçka.

Opinioni i shëndosh shqiptar, shoqëria civile, njerëzit që punojnë çdo ditë për ta rimëkëmbur këtë vend, duhet të distancohen nga kjo politikë përverse, që nuk po sjell asgjë të re në jetën tonë. Përvoja e punës në strukturat e partisë “Zgjidhja”, po reflekton gradualisht një frymë mirëkuptimi brenda standardeve të demokracisë, duke u mbështetur në vlerat intelektuale e profesionale, po përpunon dhe prodhon gradualisht politika zhvillimi, me projekte dhe detyra për të rimëkëmbur në perspektivë sektorët strategjik të zhvillimit të vendit dhe të Sigurisë Kombëtare.

Kritika historike që po gjeneron brenda “Zgjidhjes”, kundër shtrëmbërimeve dhe abuzimeve me pushtetin politik dhe nëpërkëmbjen e shtetit, si një përgjegjësi e lartë kombëtare e dy partive të mëdha shqiptare, që kanë drejtur vendin në këto 27 vite, jep të drejtën morale dhe shoqërore “Zgjidhjes”, që të kërkojë përmbysjen e praktikave bizantine, që po dhunojnë përditë interesat e popullit dhe interesat tona kombëtare.

Demokracia shqiptare po kërkon frymëmarrje, shoqëria civile në kushte bëlbëzimi po tenton ringritjen, sindikalizmit shqiptar i duhet të ringjallet, por më shumë klasës politike i duhet vetëpastrimi, për të mos përfunduar në kazanët e plehërave apo ujërat e qelbura të Lanës. Të mos harrojmë, në çdo rast dhe në çdo qëndrim, duke pranuar apo nxitur indiferentizmin ndaj kësaj klime të zymtë dhe aspak shprësëdhënëse, të humburit në çdo rast, do të jemi ne dhe vetem ne shqiptarët.