Jeta në burg e Gentian Dodës, mes purove kubaneze e kanavacave

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Më 28 gusht të vitit 2015, gjatë një reportazhi që do përgatisnim për “Gazeta Shqiptare”, në burgun e Fushë-Krujës, takuam në bibliotekën e burgut Gentian Dodën, emër i cili është lakuar bujshëm së fundmi pas përgjimeve që çuan në arrestimin e gjykatësit Shkëlqim Miri. Këtij të fundit iu gjetën në shtëpi 300 milionë lekë, që sipas përgjimeve të policisë, janë ryshfete të marra nga puna e tij. Sipas akuzës, më 23 maj 2017 gjyqtari Miri ka marrë një zarf me 30 mijë euro, ndërkohë që kjo përkon me kohën kur kushëriri i tij, Kujtim Miri ishte në lokal me personat e dërguar nga Gentian Doda.

Gazetarë dhe shkrimtarë brenda në qeli me Lul Berishën , Indrit Doklen e Marjan Rrokun (reportazh i GSH, maj 2015)

Rrezet e diellit janë përvëluese. Kërcitja e derës së hekurt, që të shpie në ambientet e brendshme të burgut të sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, është cimbëritëse. Atje tej mureve, është një tjetër botë. Një realitet ndryshe, që mbart qindra histori. Përballja e parë me qelitë, të krijon një ndjesi ftohtësie, që vjen krejt natyrshëm për të pamësuarit me izolimin.
Por, “pengesat” e para thyhen. Në fakt, sapo kapërcen pragun e burgut të stërmadh, përpara të shfaqet si kopsht shumëngjyrësh. Gjithandej ka lule. Të verdha, të kuqe, të bardha. Ajo pak hapësirë e gjelbër, duket si një “mushkëri” e vogël, në ato blloqe të mëdha betoni, të rrethuara me tela. Prej larg dëgjohen vetëm zërat e lartë të të dënuarve që luajnë futboll. Këtë herë, mysafirët që kanë zgjedhur të kalojnë pak orë me të dënuarit janë të veçantë. Ema Andrea, aktorja sharmante, është vënë në krye të grupit. Ajo shoqërohet nga shkrimtarja Flutura Açka, pena e së cilës ka goditur fort. Açka di të jetë një vëzhguese e detajeve, por ndryshe nga kolegu i saj, Ylljet Aliçkaj, ajo ka hyrë edhe më parë në ambientet e burgut. “Ky është i pari takim i imi me të dënuar në Shqipëri”, – thotë Aliçkaj. Më parë, ai ka pasur rastin të takohet me disa të dënuar shqiptarë që ndodheshin në burg në Francë, asokohe kur Ylljet Aliçka ishte ambasador.

Në regjimin e brendshëm

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, zgjedh të hyjë në regjimin e brendshëm të burgut për të pasur biseda kokë më kokë me të dënuarit, shumica dërrmuese të dënuar përjetësisht. Për të, ky “udhëtim” është emocionues. Me sa duket sjell frymëzim për një shkrimtar. “Dua të më sjellësh një libër tëndin. E dua me autograf. Emrin e kam Nikolin”, i thotë një prej të dënuarve shkrimtarit Mustafaj, i cili ndalet e takon një e nga një të dënuarit. “Meqë emrin e kam dhe unë Nikolin, du edhe unë nji libër prej teje”, hidhet një tjetër i dënuar, a thua se janë në garë me adashin e tij në të njëjtin sektor, atë numër 3 në katin e dytë. “Do ta sjell librin”, i garanton Mustafaj.
Mandej, shkrimtari u sqaron të dënuarve se, kur të vijë libri, “do shkruhet ‘Për Nikolinin’, që ta lexojnë gjithë Nikolinët e burgut”. “Ma nis me mbiemër, se e kam ‘Topalli’, besoj s’e harron kollaj këtë mbiemër”, i thotë tërë humor Nikolini i parë. “Nuk dua të lexoj. Se mos leximi do ma heqë dënimin e përjetshëm!” thotë një tjetër i dënuar. Përgjigjja vjen këtë herë jo nga shkrimtari, por nga stafi i edukimit. “Dënimin e vendos gjykata”, i thotë njëri nga specialistët e edukimit, i cili e këshillon gjithsesi të lexojë. Dyert në këtë sektor janë të hapura, me një urdhër të firmosur nga drejtori, me qëllim që të kenë më shumë frymëmarrje.

Nuk qëndrojmë shumë në atë që duket se ka marrë emrin “sektori i shkodranëve”. Zbresim në sektorin 1 të katit të parë. Pa frikë mund ta quajmë sektori “VIP”. I pari që takojmë është Gentian Doda, pasi qelia e tij është e para nga e djathta në hyrje. Poshtë dritares së tij vërej që janë mbjellë luleshtrydhe, një detaj që kapet nga një sy i kujdesshëm, por jo se ka në vetvete ndonjë kuptim. Genti pikturon. Fort bukur madje! Pikturat e tij do të jenë pjesë e një ekspozite, që do hapet në kuadër të projektit “PRAG” të qendrës kulturore M.A.M. Indrit Dokle, adhurues i Kipling, është fort i interesuar të flasë me Mustafajn për librin. Biseda zgjat pak, por me tone të forta humori.
“Dhjetë vite m’u deshën, por ja që ia dola”, thotë Lulzim Berisha, duke nënkuptuar se e bindi drejtësinë t’i heqë dënimin e përjetshëm. “Por, s’ka përfunduar këtu. Beteja ime do të vazhdojë. Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Nuk ndalem, derisa të marr pafajësinë”, thotë ai. E këtu, nuk ka sesi të mungojnë dhe batutat. “Ç’ka heq Sali Berisha, se të trajtonin si kushëri i tij. Sa herë më është dashur të sqaroj të huaj se nuk kishte lidhje me ju”, i tha ish-ministri i Jashtëm i qeverisë “Berisha”, Lulzim Berishës, njeriut që prokuroria e cilësoi si kreu i “Bandës së Durrësit” dhe që përfundimisht po vuan një dënim me 25 vite burg. “Unë e kam dasht, – u përgjigj me të qeshur Berisha, – po dhe kam vuajtur shumë nga ky mbiemër.”

Marjan Rroku, një tjetër i dënuar shfaqet me një qetësi olimpike. Ka jetuar në arrati për afro nëntë vite e fill pas ekstradimit nga Amerika, ka hapur një front të ri përballjeje me drejtësinë, ndonëse besimi i tij është i lëkundur. Përballja me Ema Andrean pas shumë vitesh “emigrant” në vendin e tij e gjen paksa të papërgatitur. “Mos keni luajtur gjë filma?” i thotë me shumë mirësjellje Marjani aktores. Po-ja e Emës vjen me mirësjellje. Ish-punonjës i SHIK-ut, dikur student ekselence në Fizikë, sot shpreson fort, që Gjykata e Lartë ta rihapë çështjen e tij, të dëgjojë drejtësia çfarë ai ka për të shpjeguar. Por, refuzon qartazi dhe prerazi të flasë për ngjarjen, edhe pse ka shumë për të rrëfyer. Qetësia e Rrokut është aq e thellë dhe thuajse tronditëse, por dëshmon, se ai është krejt i vendosur për ta çuar deri në fund të tijën, e për të dëshmuar

Për librin…

Drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Arben Suloj, është autoritar, por ka edhe humor. Ai është qartazi i prerë, kur vjen fjala te siguria në burg. Por ndonjëherë ‘lëshon’ pe, kur të dënuarit kërkojnë libra. “Kemi pasuruar bibliotekën e burgut me veprat e nobelistëve”, – thotë ai.
Në fakt, interesi për leximin në burg është rritur ndjeshëm. Punonjësi i bibliotekës së burgut, Gramoz Shehu, tregon se ka mjaft kërkesa nga të dënuarit për të marrë libra. “Çdo ditë marr kërkesat nga të dënuarit për libra dhe ua dërgoj në qeli secilit prej tyre. Pasi t’i kenë përfunduar së lexuari, i kthej prapë në bibliotekë. Janë shumë të kujdesshëm me librat, nuk i dëmtojnë”, tregon ai. Por, sikurse evidenton dhe informon mysafirët drejtori Suloj, ka një interes në rritje për libra fetarë.

KUSH ESHTE GENTIAN DODA

Gentian Doda u ekstradua nga SHBA-të për në Shqipëri në vitin 2012, i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Sipas prokurorisë, nga hetimi i çështjes ka rezultuar se nga viti 1997 e në vazhdim shkak i konfliktit me pasoja të rënda ka qenë përplasja e vazhdueshme ndërmjet dy familjeve.

Nga hasmëritë mes dy fiseve në Mat numërohen të vrarë të paktën 16 persona që prej vitit 1997 e në vazhdim. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vrarë aksidentalisht Asllan Gjoka. Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Ndonëse vrau dy persona në ’97-ën, Gentian Doda fitoi lirinë vetëm pas 5 vitesh burg.

Takimi në burg

Gentian Doda ka trup mesatar e aso kohe, në gusht 2015 mbante mjekër pak më të gjatë. Në dukje ishte i qetë si tip e nuk bezdisej aspak nga prania e të huajve. “Me puro në gojë e penela në duar, Gentian Doda, i dënuar 20 vjet për vrasje të dyfishtë kryer në vitin 1997, hedh imazhe të fiksuara në kanavacë. Jemi shkëputur kështu në godinën e bibliotekës, aty ku të burgosurit merren edhe me krijime. I riu u ekstradua nga Amerika disa vite më parë e sot vuan dënimin në Burgun e Fushë-Krujës. Në cohën e bardhë të ngjyer krejtësisht me blu e nuancat, ka vizatuar oqeanin e pafund, duke rikthyer kështu nostalgjinë për të shkuarën, e siç e thotë edhe vetë, jetën në Los Angelos”. Këtë përshtypje la tek ne Gentian Doda, matjani i shumëpërfolur së fundmi, i cili tashmë ka lënë qelinë për të jetuar i lirë.

Përgjimet

Tri ditë para arrestimit të gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe të afërmit të tij, Kujtim Miri, mes të dyve, të akuzuar për korrupsion, ka pasur një takim poshtë shtëpisë së gjyqtarit të Apelit në lagjen “Myslym Shyri” në Tiranë. Në dosjen hetimore rezulton se më datë 7 tetor 2017, Kujtim Miri është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u pyetur si person ndaj të cilit kryen hetime. Kujtim Miri rezulton se nuk ka dhënë shpjegime, dhe sapo ka lënë ambientet e prokurorisë, është ndjekur nga agjentët e fshehtë. Fillimisht sipas vëzhgimit që i është bërë, ai ka lëvizur në drejtim të Rinasit e pasdite në ora 19:40 po më datë 7.11.2017 ulet në një bar kafe në rrugën “Islam Alla” ku është dhe shtëpia e gjyqtarit dhe aty takohet me këtë të fundit. Po sipas dosjes, Kujtim Miri mbajtës i numrit të telefonit 0682088xxx si dhe gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri mbajtës i telefonit 0692069xxx, janë përgjuar mes tyre teksa kanë folur në datat 23, 24, 25 dhe 26 maj 2017 si dhe në datat 4, 5 dhe 8 qershor 2017, që korrespondon me një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel, vendim i cili është shpallur më 7 qershor 2017. Një tjetër provë, sipas të cilës gjyqtari Miri ka qenë i përfshirë në këtë akt korruptiv është edhe fakti se ai është përgjuar teksa komunikon me Kujtim Mirin 6 minuta para se ky i fundit, i njohur si sekseri, do të takonte në lokalin në Fushë-Krujë ku u paguan 30 mijë euro shtetasin Alban Bucin dhe shtetasin me iniciale N.A.. Mes tyre sipas akuzës, më 23 maj 2017 ka pasur tri telefonata në 18:57, minuta e cila ka zgjatur 72 sekonda, në 21:05 telefonatë që ka zgjatur 32 sekonda dhe një telefonatë prej 1 sekonde. Më pas ka qenë gjyqtari Miri që ka telefonuar të afërmin e tij, Kujtim Miri dhe kjo bisedë ka qenë rreth orës 21:36 minuta, ka zgjatur 21 sekonda dhe nga pamjet filmike të lokalit të ndodhur në Fushë-Krujë ku është dorëzuar zarfi i bardhë me 30 mijë euro, përkon me kohën që Kujtim Miri ishte në lokal me personat e dërguar nga Gentian Doda. Më 25 maj 2017 rezulton se është përgjuar dhe Alban Buci, shtetas në kërkim po për të njëjtin hetim dhe mëngjesin e 25 maj 2017 në ora 09:45 minuta Buci njofton të afërmit e Gentian Dodës duke u shprehur “u dhashë atyre një thes me dokumente”. Ndërkohë, vendimi për lënien në fuqi të ndryshimit të akuzës nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen ndaj Gentian Dodës ishte planifikuar të jepej në Gjykatën e Apelit më datë 6 qershor 2017, por kjo seancë është shtyrë për më datë 7 qershor. E pikërisht për këtë shtyrje një person telefonon Gentian Dodën dhe e njofton se: “U shty më datë 7 në ora e 15:00, për dy arsye: mosformim të trupit gjykues dhe mosparaqitje të prokurorit, se ai kryesuesi i seancës është shumë korrekt, ai iku me gjyq tjetër. Këtë të hënë Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi masën e sigurisë ndaj Kujtim Mirit të njohur si ndërmjetësi i parave, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg, e njëjta masë e dhënë edhe për gjyqtarin Miri ditën e diel. Rezulton se për Alban Bucin dhe për Gentian Dodën Krimet e Rënda kanë dhënë masën e sigurisë arrest me burg në mungesë dhe ata janë në kërkim nga policia për llogari të këtij hetimi.