Jemi se jemi… a bëjmë një koalicion!?

Nga Abdurahim Ashiku

Shumë e shumë vite më parë, kur shoqëria ishte më e çiltër e njerëzit më zemërbardhë, kur individi dhe kolektivi kishin një lloj lidhje shpirtërore pa prapaskena, në një ditë vere, në një arë në malësi, ishin mbledhur e kishin bashkuar krahët për të prashitur misrin burrat e mëhallës mbarë. Ujitja e tokave bëhej sipas një radhe që nuk ndryshonte e nuk dhunohej kurrë. Misri i ujitur sot, bëhej për shatë  pasnesër. Askush, me forcat e krahut mashkullor familjar të punës (gratë në atë krahinë nuk futeshin në prashitje) nuk mundte që për një ditë t’ia dilte në krye ngastrës me misër. Ta lije atë për nesër ishte si të lije xhenazen pa varrosur.

Kësisoj njerëzit kishin gjetur një rrugë origjinale, thërrisnin argatë. Fjala vjen ti ke nevojë për të prashitur dy dynymë misër. Për t’i dalë në krye punës në një ditë duhet të thërresësh dhjetë argatë. Puna bëhej pa shpërblim në para, por me shpërblim në natyrë. Secilit person që erdhi e punoi i kishe borxh “një ditë argati”, ditë të cilën do t’ia paguajë kur ai të të thërriste për të prashitë arën me misër apo edhe për punë të tjera të ngutshme në bujqësi apo edhe në ndërtim. Një ditë korriku ishin mbledhur e kishin vënë krahët mbi shatë e po prashisnin misrin e fqinjit dhjetë burra. I ranë arës, krah për krah, nga fundi në krye një herë, i ranë dy here.

Të tretën erdhi vakti i drekës, u ulën nën hijen e manit në kodër nga dukej i gjithë fshati dhe hëngrën petë të ngrohtë, dhallë e gjizë me tëlyen gatuar nga zonja e shtëpisë. Si mbaruan ndezën nga një cigare e nisën të bisedojnë për hallet e ditës. Hija e manit binte mbi një arë të mbjellë me urov, një bimë bishtajore që mbillet herët në pranverë për t’i marrë kokrrat, të cilat janë të pazëvendësueshme në ushqimin e qeve të punës, u japin atyre “forcë“ siç thonë bujqit, në hulli. Urovi për t’i marrë kokrrën shkulet me gjithë rrënjë. Argatët ishin ulë, si të thuash, mbi urov. Secili mjaftonte të zgjaste krahun dhe tërë rrethi i përshkuar bënte goxha punë. I zoti i shtëpisë, ai që kishte futë argatë, i njohur për tamahqarllëk iu drejtua njerëzve:

– Or shokë! Rrimë se rrimë…a  shkulim urov?

Kjo ngjarje, që nuk i mbahet mend koha dhe nuk i dihet  adresa, jo vetëm e fshatit por edhe e krahinës, mu kujtua një ditë  tek lexoja një lajm poshtë një fotografie njerëzish me emër të përveçëm politik që kishin vendosur të krijonin një koalicion partish duke u ndarë nga nëna e madhe Partia Demokratike…

Dhe instinktivisht nëpër dhëmbë më kaluan fjalët…

– Jemi se jemi a bëjmë një koalicion partish?…

Nuk e di se si u ka ardhur argatëve nën hijen e manit dhe mbi arën me urov propozimi i fshatarit.

Di vetëm se ai i pyeti…

Në rastin që u bë shkak i këtij tregimi di se fjala e kryetarit fluturues të partisë katundare shqiptare. Duket fluturuese mbi valë satelitore…

Mselenë e “Urovit” dhe të “partive” e kisha “ngrirë” shumë vite më parë në kujtesë…E “shkriva” sot, një ditë me shi, tek pija kafe në lokalin “Tuneli i qyqeve”. Tre vetë, me gotat e rakisë përpara, debatonin me zë aq të lartë sa disa kishin zënë veshët, në mungesë të pambukut, me copëra pecetash…

Ziheshin me njeri tjetrin se si do t’ia vinin emrin koalicionit të ri? Si? Si ju pëlqen ju? Mua më pëlqen ajo meseleja e shkuljes së urovit. E pakta ajo nxjerr nga bishtajat kokrra të rrumbullakëta në ngjyrë kafe me të cilat “marrin gju” e punojnë tokën qetë nën zgjedhë.

Të tjera

Dinamikat e punësimit

Nga Marsida Simo Punësimi është një çështje shumë e diskutuar prej kohësh, dhe sigurisht që do të ketë gjithmonë rëndësi…

Abissnet