Java Ballkanike në Tiranë

Nga Nasho Bakalli

Në numrin e pardjeshëm … botuam vetëm fjalimin e kryetarit të grupit kombëtar shqiptar zotit Mehmet Konica, dhe përshkruam zhvillimin e darkës madhështore që pala shqiptare shtroi në “Kursal” për nder të delegatëve ballkanik. Ishin ftuar edhe një shumicë zonjash dhe zonjushash prej familjeve më të shquara të kryeqytetit, që formojshin pjesën më të madhe të shkëlqimit të asaj darke. Fryma e përzemërt që mbretëroi darkën, nuk mund të na lerë indiferentë pa i’u dhënë edhe një përshkrim të ngjarjeve të tjera; më poshtë vijonë.

Fjala e delegatit Helen

… Delegati helen zoti Parasqevopulos, në emër të delegatëve ballkanas  që ndodhen në Tiranë, u ngrit dhe mbajti në gjuhën franceze fjalimin që pason. Zoti kryetar; Zonja dhe Zotni. Në qytetin e Athinës u mblodh, këtu e disa kohë më parë, konferenca e parë ballkanike. Në këtë konferencë morën pjesë … . Sot  të gjitha qytetet e gadishullit po mbajnë mbledhje të përgjithshme …, dhe inisitiva u përket ekskluzivisht qytetarëve të Bashkive. Kemi përparuar pra në rrugën e vllaznimit dhe të paqes duke zbritun tek populli, sepse idea e miqësisë përtej kufijve vlen veçse kur ajo shfaq ndjenjën e popullit, dhe jo planet e disa qeveritarëve. Këtë herë popujt e të gjitha viseve të Ballkanit po e shfaqin ndjenjën e miqësisë kundrejt fqinjëve të tyre duke rrënuar – mbas tmereve të Luftës Madhe – muret që ngriheshin prej shumë kohëve gjatë kufijve. Për fat të bardhë tani popujt nuk shofin më armiq, po veçse vllazën. Në Shqipëri na pritën me ëndje, dhe dashuri. Përfaqësuesit e të gjitha qyteteve të gadishullit ballkanik, pasi të shfaqin idetë dhe opinionet e tyre, do vendosin mbi të gjitha çështjet që u përkasin. Më lejoni ndërkaq t’iu përshëndes – edhe nga ana e të gjithë kolegëve të mi të dashur – duke shfaqur kënaqësinë më të madhe për marrjen pjesë në këtë mbledhje të parë të të gjitha komunave bashkiake. Kënaqësia jonë, duke ardhur në vendin tuaj,  u shtua edhe më tepër kur konstatuam se në tre qytetetet ku kemi qëndruar deri tani – Korça e bukur, Elbasani dhe Tirana – kanë bërë përparime vigane duke u ndërtuar, për herë e më tepër, në qytete moderne. I mbushur me kënaqësi po e lartësoj zërin tim me qëllim për ti uruar konferencës tonë punime të frutëshme, dhe, për të shfaqur ndjenjat e miqësisë kundrejt vllezërve tonë ballkanas; veçanërisht kundrejt miqëve tonë shqiptarë që na dhanë mikpritje vllazërore.

Fjalimi i zotit Parasqevopulos u mbulua prej durtrokitjeve të nxehta.

Fjalimi shqip i zotit Parasqevopulos

… Ajo që zgjoi më tepët entuziazëm dhe kënaqësi, sidomos mes shqiptarëve, ishte kur delegati helen u ngrit përsëri dhe mbajti një fjalim të bukur në gjuhën shqipe. Z. Parasqevopulos, në dialektin e tingëllueshëm shqiptar të rrethinave të Athinës, përshkroi  me mallëngjim të dukshëm lidhjet e të dy popujve fqinj dhe fis; kontributin e e shqiptarëve të përmendur aq shumë në luftën e pavarësisë helene, si dhe në mbajtjen e disa pozitave të nalta në Greqinë e sotme prej elementeve shqiptarë si Konduriotis, Kondilis, Merkuris, Pangalos e të tjerë. Me mirënjohje ai përmendi nderimet dhe bujarinë e treguar në pritjet, nga populli, qysh prej hymjes në kufirin shqiptar.  Ai zuri në gojë, me admirim, përparimin dhe qetësinë shembullore të Shqipnisë. Zoti Parasqevopulos e mbaroi fjalimin e tij në guhën shqipe  duke ftuar të pranishmit të ngrenë kupat për shëndetin e mbretit Zog, dhe për lumturinë e popullit arbënuer. Fjalimi prodhoi eksplozion ndjenjash simpatie, dhe duartrokitje të pareshtura.

Shëtitja në Krujë

Delegatët pjesëmarës në javën ballkanike e kaluan ditën e martë në Krujën historike, ku, megjithë motin e keq mujtën të vizitojnë shenja që lidhen me jetën e kreshnikut tonë kombëtar Gjergj Kastrioti. Dreka që babai i Teqesë të Krujës u shtroi miqve, qe shumë e pasur.

Çaj në Legatën amerikane

Mbasdreke, Legata amerikane në Tiranë dha një çaj në nderim të delegatëve ku muarën pjesë përveç trupit diplomatik, edhe shumë përsonalitete të  larta të vendit. Zoti T.Bernstein, ambasador i SHBA në Tiranë,  i ndihmuar edhe prej bijave të veta Dorothy Nash; Charles A.Bay, dhe bashkshortes Violette Bernstein u treguan shumë të pritur dhe me kordialitet të shquar… .

Telegram

Delegatët grekë të “Javës Ballkanike”, duke u larguar nga Shqipëria, i drejtuan nga Gjirokastra zotit Mehmet Konica telegramin, në gjuhën shqipe, që vijon. ” Tue lanë tokën fisnike dhe vllaznore të Shqipnis, Ju lutem me pranue falnderimet tona të përzemerta për shfaqjet e shumta të ndjenjave të paharrueme. Pritjet që na u banë kudo si nga autoritetet dhe populli, treguen dashuninë e sinqertë të shpirtit shqiptar për Greqin. Dashuni të cilën kemi për t’ia  interpretue me gëzimin t’onë ma të gjallë Qeverisë dhe popullit grek i cili, po me atë sinqeritet, dëshiron dhe lumtëninë e Shqipnis së dashun. Këshilltari i Bashkisë të Athinës GJ. Parasqevopulos; Kryetari i Bashkisë së Mesolongjit Hristo Evangjellato”.

Botuar në 30 prill 1931, në gazetën “Vullneti i Popullit”, me pronar dhe drejtor Harilla Bakalli, nga Durrësi. Gazeta shtypej te “Nikaj” Tiranë, dhe kishte pajtimtarë në të gjithë Shqipërinë

Të tjera

Abissnet