“Jam përmbytur 10 herë, do të vetëvritem sepse nuk mundem më”

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Eno Shkëmbi

Isuf Musaj, 65 vjeç, ka plot 10 vite që banesa e tij i preket nga përmbytjet. Dimri për të është një tmerr i vërtetë, sepse nuk ka mundur asnjëherë të përballet me ujin, i cili ka shkatërruar çdo vit orenditë e shtëpisë pa mëshirë. Ndërsa këtë vit shtëpia e tij noton e gjitha në ujë, ai është i dorëzuar në mëshirë të fatit.

Isufi rrëfen dramën e jetës së tij familjare me lot në sy, pasi i ftohti dhe uji nuk janë asgjë për të. Ai nuk arrin të kalojë dot momentin kur gruaja e tij donte të vetëvritej, sesa të shikonte shkatërrimin e shtëpisë dhe të gjësë së gjallë. Isufi thotë se një burrë nuk e ka të lehtë të qajë, por i mbetur pa asgjë, me familjen të shpërndarë, ai shikon të vetmen zgjidhje vetëvrasjen. Shteti nuk i përgjigjet për ndihmë, duke e injoruar gjendjen e tij.

Isuf, sa vite ka që është përmbytur shtëpia juaj?

Shtëpia ime çdo dimër është përmbytur, kam 10 vite që kaloj të njëjtën histori vuajtjesh. Nuk mundem më!

Si është e mundur që shtëpia juaj është kaq e rrezikuar nga përmbytja?

Unë kam 30 vite që banoj këtu. Shtëpia është ndërtuar në kohën e monizmit. Është e lartë, por atëherë nuk ka pasur përmbytje, sepse ishin kanalet dhe hidrovoret e hapur. Filloi duke u populluar zona, pasi kur e kam ndërtuar unë shtëpinë, nuk ka pasur familje të tjera. Më pas filloi gradualisht historia e përmbytjeve në këtë zonë. Para 3 vitesh më hyri uji komplet brenda dhe jam detyruar të futem borxh, sepse ishin shkatërruar të gjitha orenditë, divanet, soba etj. Kam shkuar të bashkia për të kërkuar ndihmë dhe nuk na kanë dhënë asgjë.

Si ndodhi përmbytja këtë vit?

Isha duke ardhur nga puna, sepse, edhe pse në pension, vazhdoj të punoj. Jam 65 vjeç, por duhet të mbaj familjen. Unë jetoj me gruan dhe dy djemtë. Djali ka mbaruar shkollën profesionale dhe është rrugëve të botës, tjetri bën punë të zezë me lopatë. Punojnë sa për të ngrënë bukë. Në momentin kur na erdhi uji, ishte ora 11:20. Isha në shtëpi me një komshi. Sa përcolla atë, u ktheva brenda për të ngrënë bukë. Kur del djali jashtë, kthehet dhe më thotë: Ngrihu, se po mbytemi në ujë, po mbushen kanalet. Unë nuk e besoja, sepse po binte shi IntervIsta “Jam përmbytur 10 herë, do të vetëvritem sepse nuk mundem më” shumë pak. Mundoheshim të shpëtonim gjërat, vendosnim divanet sipër njëri-tjetrit që të shpëtonim nga uji. Në ato momente unë renda te lopa dhe e dërgova te një komshi që ta shpëtoja nga uji. Pastaj shkova për të marrë gruan. Ajo nuk pranonte të dilte nga shtëpia dhe djali i thotë: “Mami do të na koritësh”? Sapo kemi dalë tek dera ka hyrë uji me vrull dhe për 20 minuta ka arritur 2 metra niveli i tij.

Keni pasur gjëra me vlerë brenda?

Stufa e korentit, dy frigoriferë, divanet, të gjitha janë dëmtuar nga pisllëku i Kamzës. Dy dhoma gjumi, e imja dhe e fëmijëve kanë ikur totalisht. Lopa më ngordhi.

Isuf, meqenëse ty të ka ndodhur e njëjta histori përmbytje çdo vit dhe çdo vit keni blerë gjithçka nga fillimi, përse keni qëndruar këtu?

Ku të shkoj? Shteti ynë, parlamentarët thonë se do t’ju blej shtëpi, ndërsa mua nuk më dërgon as në azil me gruan. Ku është gruaja ime sonte? Nuk ka shapka veshur, ashtu e zbathur dhe në depresion ka ikur te shtëpia e vëllait. Ku është djali im sot? Është rrugëve, duke fjetur te shokët. Ku është bashkia? Pse nuk i sjell dy dyshekë apo një krevat? Jo, nuk reagojnë, nuk japin asnjë ndihmë! Unë nuk kam një lugë për të ngrënë. Rrobat që mbaj veshur janë të komshiut dhe këmbët i kam të lagura. Nuk kam bukë brenda, mielli është lagur. Burrit nuk i shpëtojnë kollaj lotët!

Çfarë pret të bësh, si mendon të dalësh kësaj herë nga kjo gjendje?

Do të vras vetën! Xhelal Mziu është fajtor se nuk na ka dhënë një ndihmë. Unë i paguaj të gjitha taksat atij. Erdhi bëri një vizitë qesharake dhe ashtu duarkryq tha: Nuk më ndihmon qeveria, nuk kam çfarë të bëj!

Nuk keni tentuar asnjë vit për të marrë masa paraprake, duke e ditur sa të rrezikuar jeni?

E ka në dorë shteti, pasi nuk kanë hapur kanalet. Edhe sikur të më ofrojnë shtëpinë e re në këtë vend, sërish nuk do kënaqesha. Po të më thonin a do shtëpi të re apo mos të vijë uji më? Unë do zgjidhja opsionin e dytë, pasi në këto kushte është e kotë të ndërtosh apo të investosh.

Isuf, ju jeni 65 vjeç. Ishte vështirë të përballeshit me ujin dhe të ftohtin?

Unë e përballoj të ftohtin, ujin dhe borën se jam rritur në Pukë, por nuk e përballoj momentin kur gruaja ime nuk pranonte të dilte jashtë, sepse donte të vdiste brenda! Kur pa lopën e ngordhur dhe ujin që shkatërronte gjithçka, tentoi të hidhej nga kati i dytë. E kam mbajtur me zor, madje akoma e ruaj, se kam frikë se mos vetëvritet. Ne kemi kaluar një jetë të vështirë.

Si e shpjegoni ju këtë fenomen përmbytjesh?

E gjitha ka ardhur nga kanali, i cili ka gjithë mbeturinat dhe pisllëqet e Kamzës. Ai na ka mbytur ne. Më humbën 40 vite punë. Gjithë djersa e gruas dhe e fëmijëve ka shkuar për 1 minutë. Nuk ka ardhur një qeveritar apo kryetar bashkie? Mirë, po e heq veten time, se po themi se e kam bërë në kanal shtëpinë, por jemi 50 familje të përmbytura në këtë lagje. Dhe 50 familje nuk janë të çmendura, por bashkia dhe shteti janë çmendur. Kanalet janë të pakontrolluar, ujërat e zeza na binin mbi kokë.

Shtëpia nuk mund të rikuperohet më?

Jo! Duhen lekë shumë, pasi gjithçka është nën ujë.

Është interesuar njeri?

Ka ardhur vetëm një polic, pastaj disa spiunë të Xhelal Mziut. I gjeta në klub duke bërë listat dhe thonin: Kush është mbytur dhe kush është gjallë? Gjoja për të ofruar një emergjencë. Janë sjellë gjithë ditën këtej dhe nga uji i shumtë nuk janë afruar te shtëpia ime, pasi ishin me këpucë. Ndërsa Xhelali thoshte: “Nuk ju ndihmoj dot, se e ka shteti në dorë!” Unë ju thashë: “Të paktën më dërgoni në azil së bashku me gruan, pensionin mbajeni ju”. Qeshën dhe thanë: “Nuk je për azil ti”. Unë nuk kam ku të flej, ndërsa ata ashtu të buzëqeshur Isuf Musaj ikën në punë të vet.