Jakova: Verdi shkroi tri orë opera për një prostitutë, ju nuk pranoni tri orë opera për një hero!

Publikuar më 10. 06. 2017 nga Xhensila Demollaj

Nga Valeria Dedaj

Fotografi, partitura dhe sende personale (orë apo vegla të ndryshme muzikore), të kompozitorit Prenk Jakova (1917-1969) u ekspozuan dje në ambientet e Akademisë së Shkencave. Në nderim të 100-vjetorit të lindjes, muzikologët dhe kompozitorët:  Isak Shehu, Fatmir Hysi, Eno Koço, Vasil Tole, Pandi Bello, Spiro Kalemi dhe Mikaela Minga ligjëruan, duke ndalur te jeta dhe ndikimi i veprimtarisë së Jakovës në kulturën muzikore shqiptare. Jakova është themelues i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me operën “Mrika” (1958). Ndërsa, pas këtij suksesi gjithçka do të ndryshonte, kur Jakovës iu ngarkua që të realizonte një opera për 500-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Brenda tetë muajve partitura për zë dhe pianoforte përfundoi. Spiro Kalemi shkruan në monografinë “Prenk Jakova” shkruan se: Ndërsa, Jakova përgatitej ta orkestronte, vepra iu nënshtrua diskutimeve. Nën ndikimin e revolucionit kinez kishte nisur një censurim i rreptë edhe në krijimtarinë letrare e artistike. “Materiali që kompozitori e poeti kishin vjelur nga faktet dhe shkrimet historike kushtuar epopesë së luftërave të Skënderbeut dhe figurës së tij, nuk përkonte me interpretimin e ideoligjizuar të historisë, prandaj opera u kritikua. Megjithatë, Jakova nuk u dorëzua, por arriti që ta përfundojë veprën në afatin e përcaktuar”.

View post on imgur.com

Eno Koçi: Ndikimi i revolucionit kinez dhe opera “Skënderbeu”

E kam njohur personalisht në marrëdhënie pune Prenkën, kur do të vihej në skenë opera “Skënderbeu” (1967), gjatë provave me orkestrën e Operës, kur unë isha violinist i saj. E njoha edhe në kohën e lirë pas provave, por unë nuk hyja në entourag-in e tij të afërt. Gjithsesi nga pulti i katërt i violinave të para të orkestrës së Operës e vëzhgoja me vrenjtje personin e tij, kur përgatitej të vihej në skenë opera “Skënderbeu”. Vëzhgoja gjendjen vazhdimisht të tendosur të Prenkës tek afrohej te gropa e orkestrës për të komunikuar me dirigjentin lidhur me atë që mendonte mbi tempot muzikore dhe veprimet skenike. Kishte marrë përsipër një ndërmarrje të madhe, sa pasionante aq edhe me pretendime, për të glorifikuar muzikalisht heroin tonë kombëtar. Pas shumë peripecish që pati opera “Skënderbeu” (për disa dekada nuk u vu më në skenë) gjithsesi ajo mbetet pjesë e repertorit shqiptar të operave edhe në fund të këtij muaj do të ketë një shfaqje në Shkodër… Sot që shkruaj për 100-vjetorin e lindjes së tij vazhdoj të kem bindjen se muzika e Prenkës ndoqi linjën e muzikës qytetare shkodrane dhe të malësisë së Veriut shqiptar, të kombinuar me traditë evropiane…

Çfarë ndodhi në censurimin e operës “Skënderbeu”?

Revolucioni kulturor kinez ndikoi te censurimi i veprës së operës “Skënderbeu”.  U spostuan kohët, u ndryshua skena, u cenua personazhi muzikor dhe u lëkund seriozisht struktura e veprës. Orkestra ishte nën dirigjimin e Mustafa Krantes, ndërsa në atë gjysmerrësirën e sallës Prenku dukej i shpërfytyruar, dukej sikur po i merrnin dinjitetin. Pësoi edhe një paralizë të pjesshme. E ndjente veten të rrënuar! Ishte 17 janar i vitit 1968 dhe orkestracioni nuk ishte ende gati. Gjithsesi e ndiente veten ligsht për të gjithë ato ndërhyrje në libret dhe në muzikë. Xhanfize Keko te kujtimet e jetës së saj përshkruan atë moment aq të vështirë të jetës së Prenkës: Pas përpjekjeve të mëdha për t’i bindur personalisht zyrtarët, të cilët kishin vendosur që të mos dorëzoheshin, ishte dorëzuar artisti, duke ua hedhur partiturat e operës, gjest të cilin e kishte shoqëruar me fjalët: “Merreni të rikonstruktuar. Verdi shkroi tri orë opera për një prostitutë, ju nuk pranoni tri orë opera për një hero”. Pas këtyre fjalëve Prenk Jakova kishte ikur më shumë se i mërzitur, i fyer. Rikonstruktimi i operës ishte bërë një fakt, projekti u ndryshua dhe të gjithë artistët punuan për të dhënë maksimumin e shfaqjes… Më e rëndësime do të ishte drama muzikore, roli i fjalës, veprimi i personazhit, masiviteti. Megjithatë arie të fuqishme, si ajo e Lekës dhe Donikës do të gjenin hapësirë të plotë, si për të përçuar këtë ngushëllim aq të nevojshëm të tekstit. Gjuha muzikore e kësaj vepre, vë në plan tonet heroike dhe epike, dhe veçanërisht ato korale. Këto të fundit i jepnin rëndësi personazheve, madje me një formë më të plotë, duke e prezantuar popullin, si personazh. Prenk Jakova shënoi dramën historike shqiptare në opera, që edhe me gjithë ndërhyrjet që iu bën, kjo opera mbetet model i fuqishëm. Pas shfaqjes së parë edhe të disa të tjerave, u bë një artikull pas premierës, u bën disa diskutime dhe u tha ajo që pritej: “Opera kishte mangësi të karakterit konceptual”. Një njeri që aq fort iu përkushtua muzikës, në rastin konkret operës së tij, nuk është se e përtypi lehtë atë pozicionim, të ndryshëm, që u mbajt ndaj tij. E vuajti! Pothuajse nuk shkroi më!

Vaso Tole: Prenk Jakova si kompozitor atipik

Prenk Jakova është një nga kompozitorët më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, të cilët krijuan të parët vepra të muzikës sonë kombëtare, përkatësisht operën e parë (Mrika, 1958 nga P.Jakova), baletin e parë (Halili dhe Hajria (1963) nga Tish Daija) dhe simfoninë e parë (1956, Ç.Zadeja). Sot pas 100 vitesh jemi në gjendje të kuptojmë më mirë rëndësinë e muzikës së Prenk Jakovës. Nuk ishte thjesht zgjedhja e tij që të ishte një nga krijuesit më të dashur, por edhe një nga krijuesit më atipik i muzikës shqiptare. Sipas përcaktimeve të gjithëpranuara, tipike është diçka që e pret gjithkush, ndërsa atipike shfaqet si diçka e jashtme, përtej tipikes, së njohurës. Në shumë raste atipikja konsiderohet dhe si sinonim me të jashtëzakonshmen, gjë që ne e kemi pasur parasysh kur e kemi përcaktuar Jakovën, si kompozitor atipik.

Por cilat janë disa nga dukjet atipike të Jakovës?

  1. Ai kompozonte muzikë, si autodidakt dhe nuk ishte kompozitor katedrash edhe pse e njihte kulturën e madhe muzikore.
  2. Ai shkruante dhe interpretonte muzikën për njerëzit, duke ua vjedhur mendimin e tyre edhe pa bërë ende premierën e veprës.
  3. Ai përgjithësisht shkruante muzikë pa porosi dhe nxitej nga nevoja e njerëzve për të, si gjatë mbretërisë, fashizmit dhe gjatë diktaturës.
  4. Ai faktoi shijen e tij muzikore, te shijet e njerëzve, jashtë kornizave ideologjike zyrtare dhe i pandjeshëm për së brendshmi ndaj tyre.
  5. Ai i perceptonte krijimet e tij muzikore, si fjalë e kënduar, gjë që përcaktoi zgjedhjen e tij për të bërë kryesisht muzikë të kënduar.
  6. Ai pëlqente vokalen në raport me instrumentalen dhe me gjithë shtrëngesat e kohës, nuk e ndali procesin artizanal dhe muzikor.
  7. Për të nuk kishte rëndësi dukja, por thelbi. Ka krijuar muzikë shumë të bukur me mjete teknike të thjeshta. Thjeshtësia për këtë dukej sikur ishte një formë sofistikimi, që ai nuk mundi ose nuk donte që t’ia lejonte vetes.
  8. Ai pa te muzika popullore, ashtu si pararendësit e tij modelin që duhej ndjekur. Nuk ishte penda që përcaktonte krijimin e tij të radhës, por njerëzit që e kushtëzonin atë.
  9. Ai çmonte artin si një formë të qytetarisë, e lidhur ngushtë me respektin për familjen, Shkodrën dhe për Shqipërinë, si i tillë ai u bë kompozitor i popullit.
  10. Përtej këtyre, ai ishte atipik, edhe pse: Askush si Prenka nuk vuri në skenë opera kombëtare dhe rivënie me amatorë të muzikës. Askush si Prenka nuk orkestronte, kompozonte dhe kopjonte pjesët muzikore; rregullonte instrumentet, dirigjonte krijimin, bënte po vetë krijimin e tij, këto krahas dhjetërave angazhimeve të tjera jashtëmuzikore. Askush si Prenka nuk i fuste bartësit e folklorit në studion e rikompozimit për t’u ndjerë motivet muzikore. Askush si Prenka nuk ka zgjedhë që të qëndroi jashtë politikave publike, duke respektuar kësisoj realitetin vetjak dhe duke ruajtur parimet bazë të besimit të tij fetar. Askush si ai nuk e filloi dhe nuk e mbylli krijimtarinë mes dy himneve; himnin fetar të shkollës françeskane dhe himnin shtetëror të republikës së Shqipërisë. Askush si ai nuk u brengos prej kompozitorëve shqiptarë, edhe nuk u përballë me kalvarin e vuajtjeve të familjarëve gjatë diktaturës. Dhe së fundmi, askush si ai nuk u largua nga kjo botë i përcjellur nga tingujt e bandës muzikore, që e kishte rikrijuar vet!

Bio

Prenk Jakova u lind në vitin 1917 në familjen e patriotit të njohur shkodran Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës, por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë. Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë. Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë veten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetëvrasjes. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.