Sondazhi, ja si dalin partitë në nivel kombëtar dhe në Tiranë

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Isuf Kurtaj

Dy partitë që kryesojnë sondazhin e publikuar nga Ora News dhe IPR Marketing edhe pse kanë pasur rritje në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare sërish nuk kanë ngelur të kënaqur pasi shifrat qëndrojnë shumë larg me parashikimet e tyre. Edhe pse sondazhi e ka renditur kryesuese Partinë  Socialiste, me një rritje të vogël, shifrat e publikuar nga IPR Marketing janë shumë larg pretendimeve që ka deklaruar kryeministri Edi Rama, i cili thotë se kërkon 71 mandate. Po ashtu edhe Partia Demokratike sipas sondazhi edhe pse del e dyta dhe ka një rritje me gjashtë për qind të votave sërish është shumë larg asaj që demokratët kanë pretenduar.

Shifrat dhe surprizat

Në krahasim me zgjedhjet e 2013-s, PS dhe PD kanë rritje të votave të tyre. PS 43%, PD 36%. Pra PS është rritur me 1%., ndërsa PD është rritur pothuajse me 6 pikë. Por ajo që ka shënuar rritje të madhe dhe mund të cilësohet surprizës është LSI. Pra LSI ka marrë 12%, që do të thotë se ka shënuar rritje të madhe në krahasim me zgjedhjet e 2013. Një tjetër surprizë është LIBRA, e cila konkurron për herë të parë në një proces zgjedhor. Partitë e tjera janë poshtë pragut. Duke komentuar sondazhet, eksperti i sondazheve Antonio Noto tha se interesante sipas tij janë krahasimet me zgjedhjet e 2013, ku PS është rritur me  1.7%, ndërsa PD me 6 pikë. Edhe LSI sipas tij është në rritje ne nivel kombëtar me 1.5 pikë. Për LIBRA-n ai thotë se nuk mund të bëjmë krahasime se nuk ka qenë në zgjedhje. Ndërsa të gjithë partitë e tjera janë poshtë pragut.

Sondazhi për qarkun e Tiranës

Sondazhi është bërë dhe për Qarkun e Tiranës, dhe sipas të dhënave të publikuar nga IPR Marketing, rezulton që PS në qarkun e Tiranës ka një përqindje prej 41%, PD 33%, LSI 14% dhe partia e katërt renditet LIBRA me 6%. Rritje të madhe ka pësuar LSI në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ndërsa LIBRA konsiderohet surpriza e këtyre zgjedhjeve në Tiranë, duke qenë se është një parti e re e krijuar para disa muajsh nga Ben Blushi. Ajo që bie në sy në krahasim me zgjedhjet e 2013, duke pasur parasysh se Tirana konsiderohet si bastion i majtë, Partia Socialiste ka një humbje prej 3%, ndërsa Partia Demokratike ka një rritje të lehtë në krahasim me 2013. Sipas përqindjeve të këtij sondazhi, i bie që PS të marrë 15 mandate apo deputetë, PD 11-12 mandate, LSI 5 mandate deputetësh dhe LIBRA 2 mandate. Po ashtu IPR marketing, ka pyetur 1000 qytetarë lidhur me jetesën në Shqipëri vihet re se që qytetarët në përgjigjet e tyre kanë renditur, papunësinë, korrupsionin dhe pagat e pensionet si problemet më të mëdha të cilat duhen rregulluar në Shqipëri.

Pyetjet që u janë drejtuar të anketuarve: sot në Shqipëri jetohet mirë votuesit e PS-ja i janë përgjigjur 66.7%, të PD-së 23:0% ndërsa LSI-ja 32. 4 %. Ndërsa pyetjes se në Shqipëri jetohet “keq”, votuesit e mundshëm të PS-së i janë përgjigjur 26. 3, të PD-së 72.4 % dhe LSI 50. 6 %. Ndërsa Antonio Notto shpjegon se përcaktimi nëse jetohet mirë apo keq është e lidhur me partitë. Zgjedhësit e PS thonë se jetohet mirë, ndërsa zgjedhësit e PD thonë se jetohet keq. Pra nuk është një përgjigje që lidhet me kushtet sociale por për përfaqësinë politike. Analisti Artur Zheji duke komentuar këtë tha se këto rezultate janë të ngjashme me ato që rrëzuan qeverinë “Berisha” katër vite më parë. “Në 2013, rezultatet e përgjigjes mbi papunësinë dhe korrupsionit janë pak a shumë sa tani. Pikërisht, përgjigja ndaj pakënaqësisë dhe korrupsionit, rrëzoi qeverinë Berisha dhe shkaktoi rrotacionin që ne pamë. Ndërkohë, me të njëjtin indeks në krahasim me 2013-2017, atëherë duhet të bie qeveria Rama. Ndërkohë, që përgjigja është; jemi më mirë. Nuk jemi më keq”, tha ai. Po ashtu dhe eksperti i sondazheve Afrim Krasniqi theksoi se trendi nuk është pozitiv për Partinë Socialiste. “Numri i qytetarëve të majtë që mendojnë se po shkojnë më keq është më i madh se numri i qytetarëve të PD-së që gjërat shkojnë më mirë.

Kjo është interesante. Së dyti, me LSI-në, nga njëra mendojnë se gjërat po shkojnë keq me 50% dhe kur krahasohen me 4 vitet e kaluara, gati po kaq thonë njëlloj. Praktikisht është një pozitë komode për partinë e tretë politike”, tha Krasniqi. Ndërkohë pyetjes se cilat janë tre problemet emergjente që kërkojnë zgjidhje në Shqipëri, të anketuarit mendojnë se papunësia është problemi kryesor me 67%, korrupsioni me 36.3%, dhe rrogat dhe pensionet e ulëta me 34.7%. Probleme të tjera që shqetësojnë shqiptarët janë kriza ekonomike, shërbimi shëndetësor, varfëria. Por përkundër kësaj, shqiptarët mendojnë se jetohet më mirë se katër vjet më parë. Ndërsa Antoini Noto tha se fushata elektorale sapo ka filluar, të dhënat që japim nuk do të jenë të dhënat e 25 qershorit, por e fillimit të fushatës elektorale. “Është një fotografi e sotme, e datës 31 maj. Janë dy sondazhe, njëri në nivel kombëtar. Janë 2002 persona të pyetur që u përkasin moshave dhe gjinisë së ndryshme, por edhe shtresave të ndryshme sociale. 52% e të pyeturve janë femra. Sondazhi i dytë është vetëm për Tiranën. Janë pyetur 1000 persona. Sondazhet janë kryer në datat 29 dhe 30 maj 2017”, theksoi ai.

LSI: Sondazh konsensual

Pas publikimit të sondazhit ka reaguar deputetja e LSI-së Silva Caka e cila ka lënë të kuptoj se sondazhi është porositur nga dy partitë e mëdha. Madje ajo ka thënë se LSI do të jetë forcë e parë. “Sondazh konsensual. Është fillimi i parë dhe i riparo nga shqiptarët. Sondazh po aq qesharak sa në vitin 2013. Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë forcë e parë dhe këtë nuk e ndryshojnë dot sondazhet konsensuale plot humor”, shkruan Caka.

Zheji: Ky sondazh i heq ëndrrën Edi Ramës për 71 mandate

Analisti Artur Zhej, duke analizuar të dhënat e sondazhit të Ora News dhe IPR Marketing, thotë se rezultatet i heqin ëndrrën Edi Ramës për të qenë i vetëm në “timonin” e qeverisjes. Ndërkohë, pedagogu Blendi Çeka thotë se është e vështirë që të dhënat e sondazhit të përkthehen në mandate. “Unë nuk e besoj shumë që kjo fotografi e 29-30 majit është një fotografi e besueshme sa i përket trendit opozitar dhe trendit pozitivist që është pasqyruar për partinë në pushtet, PS. Interpretoj pozitivisht rritjen me 6% të Partisë Demokratike dhe ky trend do të vazhdojë në favor të PD-së. Ky sondazh, pavarësisht është një fotografi e pjesshme, relaitivisht i besueshëm në kohë, i jep një mesazh shumë të fortë kryeministrit që në Laç jo më larg se sot u thoshte shoferëve se do t’i japim makinës vet. Nuk mund t’i japësh makinës me tre shofera, një timon. Pra duhet të marrim 71 vota. Në qoftë se jemi i qartë për të tallur një pushtet super të fortë dhe ky sondazh dhe kaq i pjesshëm sa është ia heq këtë ëndërr kryeministrit nga timoni dhe kafka e tij.

Për sa i përket LSI-në, mendoj që është një parti që e tregon forcën në rritje gjatë fushatës. Në maj 2013, është kuotuar 5.5 për qind dhe më pas u kuotua 11.5%. Tani zbulohet që është 12.5% dhe më pas mund të shkojë 20%. Shumë nga këta votues do të dezertojnë nga siglat e partive të vogla”, tha Zheji. Ndërsa pedagogu Blendi Çeka thotë se është e vështirë që të dhënat e sondazhit të përkthehen në mandate. “Në rastin e të dhënave kombëtare, ne sigurisht nuk mund të bëjmë përkthim të të dhënave në përqindje të mandateve, sepse jo vetëm do të ishte nivel shumë i lartë abuzimi, por edhe tërësisht e pasaktë. Është orientuese nga pikëpamja e trendit. Partia Socialiste është në nivelin e 43%. Është më lart se 2009 dhe 2013-ta. Është rezultati më i lartë në 10 vitet e fundit nëse do ta marrim si referencë. Është shumë e vështirë. Varet se si shpërndahet kjo përqindje në çdo qark. Në nivel kombëtar është e pamundur. Kam përshtypjen se në nivel kombëtar PD e ka tejçuar mesazhin e koalicionit. Parti të tjera si Partia Republikane kam përshtypjen se bien dhe marrin përqindje shumë të ulëta”, tha Çeka.

Qarku Tiranë

Kandidatët e PS-së:

Elona Gjebrea

Besnik Bare

Oljta Xhaçka

Blerian Gjylameti

Pandeli Majko

Saimir Tahiri

Vasilika Hysi

Ervin Bushati

Orgeta Manasterliu

Fatmir Xhafaj

Rakip Suli

Arben Ahmetaj

Xhemal Qefalia

Sadri Abazi

Ulsi Manja

Kandidatët e PD-së:

1.Lulzim Basha

  1. Orjola Pampuri
  2. Rudina Hajdari
  3. Grida Duma
  4. Albana Vokshi
  5. Jorida Tabaku
  6. Sali Berisha
  7. Halim Kosova
  8. Gent Strazimiri
  9. Fatmir Mediu
  10. Dashamir Shehi
  11. Gerti Bogdani

Kandidatët e LSI:

1 Klajda Gjosha

2 Kejdi Mejmetaj

3 Florida Kërpaçi

4 Endrit Brahimllari

5 Luan Rama

Kandidatët e Libra:

Ben Blushi

Mimoza Hafizi

KQZ miraton fondin për fushatën, ja sa para lekë marrin partitë

Pas futjes në zgjedhje të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë listën e re me shpërndarjen e fondeve për fushatën elektorale. Sipas ligjit, 95 për qind e fondit shpërndahet në mënyrë proporcionale për tetë partitë që kanë më shumë vota, ndërsa pjesa e mbetur prej 5 për qind shpërndahet në mënyrë të barabartë te partitë e tjera.

Miratimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje fondet publike që do t’u shpërndahen partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e 25 qershorit, ku pjesën e “luanit” e marrin dy partitë më të mëdha parlamentare. Në total janë 65 milionë lekë dhe fondi paraprak për partitë ndahet në 2 pjesë, nga të cilat 95% shkon për partitë që kanë më shumë vota dhe vetëm 5 për qind për partitë e vogla. Kështu, PS përfiton nga buxheti i shtetit 28 milionë lekë dhe ndiqet në listë nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e cila përfiton 20.7 milionë lekë. LSI merr nga buxheti i shtetit 7.1 milionë lekë si partia e tretë më e madhe në vend. Pas saj renditen Partia Republikane e Fatmir Mediut me 2.1 milionë lekë, PDIU me 1.7 milionë. Listën e tetë partive më të mëdha e mbyllin FRD e Bamir Topit, PDS e Paskal Milos dhe PSD e Skënder Gjinushit. Pas këtyre do të jenë 10 parti të vogla, ku përfshihen dhe dy partitë e reja LIBRA dhe Sfida, që do të marrin nga 325 mijë lekë secila. Por nëse pas zgjedhjeve, ato nuk e kalojnë pragun e nevojshëm të votave sipas Kodit Zgjedhor, pra 0.5 për qind  të votave në shkallë vendi, detyrohen që këtë shumë ta rikthejnë sërish në KQZ.  Në total fondi që u shpërndahet partive politike për fushatën elektorale e cila ka nisur tashmë, është 65 milionë lekë.

Lista e plotë:

Partia Socialiste e Shqipërisë – 28,044,942 lekë

Partia Demokratike – 20,771,018 lekë

Lëvizja Socialiste për Integrim – 7,094,507 lekë

Partia Republikane 2,050,791 lekë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet – 1,767,317 lekë

Fryma e Re Demokratike – 1,152,214 lekë

Partia Demokracia Sociale – 467,450 lekë

Partia Socialdemokrate – 401,761 lekë

Partia Kristian Demokrate – 325,000 lekë

Aleanca Arbnore Kombëtare – 325,000 lekë

Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen – 325,000 lekë

Aleanca Demokratike – 325,000 lekë

Partia Aleanca Demokristiane – 325,000 lekë

Partia Komuniste e Shqipërisë – 325,000 lekë

Sfida për Shqipërinë – 325,000 lekë

Partia Aleanca Popullore për Drejtësi – 325,000 lekë

LIBRA – 325,000 lekë

Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar – 325,000 lekë