“Ja pse UNESCO e njohu lahutën, si trashëgimi të Serbisë”

Foto 1 nga 6 Pas Para

Studiuesi dhe koleksionisti i instrumenteve folklorikë, Mark Luli, rrëfen se origjina e lahutës është shqiptare. Ai shpjegon se si e kanë marrë këtë kulturë serbët nga vendi ynë, afro 500 vjet më vonë. Luli tregon neglizhencën e shtetit ndaj Trashëgimisë Jomateriale dhe ka një thirrje për Ministrinë e Kulturës

 Anila Dedaj

Të kënduarit me shoqërimin e lahutës (guslës në Serbi) është një praktikë e lashtë kulturore e hasur edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Mal të Zi. E pohon këtë fakt edhe Serbia në dosjen dorëzuar UNESCOS, e cila bëri të mundur regjistrimin e guslës serbe në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Mirëpo pse jo të mos regjistrohej në këtë listë lahuta si trashëgimi shqiptare? Sipas akademikut Vasil Tole, koha për shtetin serb ka përbërë avantazh, ndaj kur iniciativa dhe vendimmarrja për të regjistruar trashëgiminë në UNESCO i takon shtetit, ai bën thirrje të mos presin më gjatë, por të lëvizin.  Fakti që gusla serbe u bë pjesë e Listës, sipas akademikut, përbën avantazh për serbët edhe përsa i përket njohjes që mund t’i bëhet kryeveprës së parë shqiptare si pjesë e trashëgimisë së tyre. Përfaqësuesit e UNESCO dhe të Serbisë bënë me dije se nominimi për një propozim të ardhshëm shumëkombësh me pjesëmarrjen e shteteve palë mbetet i hapur. Ndërkohë që Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina më vonë kanë dalë në një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë që kënga me lahutë t’u njihet edhe vendeve të tyre. Mirëpo, në cilin shtet u has fillimisht ky instrument? Sipas studiuesit të organologjisë, koleksionistit të veglave folklorike muzikore të trevave shqiptare dhe kompozitorit Mark Luli, gjurmët e para të lahutës në Veri të Shqipërisë janë hasur rreth 2000 vjet më parë. Ndërsa, në Serbi do të shfaqeshin rreth 500 vjet më vonë, si pasojë e martesave që do të bëheshin mes dy vendeve, çka do të pasonte edhe me shkëmbime kulturore. Të dhënat mbi faktin që origjina e lahutës është shqiptare, sipas Lulit, mund të gjendet në studimet e etnomuzikologëve Ramadan Sokoli, Pirro Miso etj. Po kështu akademiku Tole është shprehur për mediet se studimet e shkencave albanologjike e kanë shpjeguar se edhe Eposi është kulturë shqiptare. Nëse studimet që faktojnë origjinën e këtyre elementë të rëndësishëm të trashëgimisë sonë jomateriale si pjesë e kulturës sonë ekzistojnë, atëherë ku qëndron ngërçi? Studiuesit përgjigjen e gjejnë në neglizhencën e Qeverisë për të avancuar me procedurat….

Zoti Lula, a ka sot të dhëna se origjina e lahutës (gusla) është serbe?

Nuk ka asnjë të dhënë. Lahuta ka nisur të përdoret fillimisht në malësinë e Serbisë nga shqipfolësit. Ato janë hasur në zonën e Malit të Zi ku janë shqiptarët dhe ka ardhur duke u përhapur edhe në pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se gjurmët e para të lahutës mund të jenë hasur në Serbi. Madje mund të pohoj se përveçse në Shqipëri forma të lahutës janë shfaqur edhe në kulturën kineze dhe në vendet e ngrohta (Indi, Egjipt), mirëpo kanë një strukturë krejt të ndryshme nga instrumenti shqiptar. Lahuta shqiptare është tepër e ngjashme me lahutën e Malit të Zi, çka është normale, pasi bëhet fjalë për një kulturë që është çuar atje nga shqiptarët. Lahuta sidomos në Shqipërinë e Veriut është përdorur të paktën 2000 vjet më parë, në formën e saj më të thjeshtë. Asokohe ka pasur një dimension të vogël. Pjesët e saj praktikisht janë: kupa, lëkura (mund të jetë lëkurë keci, maceje etj), kordat dhe harku. Mirëpo të dhënat tregojnë se lahutat e para janë shqiptare. Lahuta me kalimin e viteve ka pësuar ndryshime edhe brenda vendit. Unë në Muzeun tim kam një lahutë 270-vjeçare. Sigurisht që nuk ka të krahasuar me lahutat e para shqiptare, të cilave ende nuk i ishin shtuar detajet nga mjeshtrat, për të pasur një tingull më të fortë, si përshembull me kohën i kanë zmadhuar kupën. Lahutat e para janë bërë nga druri i arrës i cili nuk ishte shumë i mirë për tingullin, mandej ka pasur përmirësime me drurin e manit, të panjës, të dardhës ose qershisë së egër. Këta të fundit janë faktikisht dru muzikorë që përdorën në të gjithë botën për të krijuar instrumente, pasi kanë parametra të mirë për akustikën.

A ka ndryshim mes guslës dhe lahutës?

Gusla nuk ka ndryshime të dukshme me lahutën, bëhet fjalë më shumë për emërtime të zonave dhe detaje në formë. Edhe përsa i përket timbrikës nuk janë krejtësisht të njëjta, pasi gusla është disi më soprano, ndërsa lahuta  është më hundore.

Ju më sipër u shprehët se në Shqipëri gjurmët e lahutës hasen rreth 2000 vite më parë. Po në Serbi sipas të dhënave që keni, kur ka nisur të përdoret ky instrument?

Unë dua të theksoj se Shqipëria gjithmonë ka dhënë e ka marrë me zonat kufitare. Dhe për shkak të martesave që kanë ndodhur mes palëve, gjurmët e para të lahutës në Serbi hasen 1500 vite më parë. Pra bëhet fjalë për 500 vjet më vonë, këtë e them duke iu referuar edhe studimeve të bëra. Sigurisht që jam në dijeni të zërave që thonë se lahuta është Serbe, mirëpo të gjitha faktet tregojnë të kundërtën se lahuta është instrument autokton shqiptar.

Praktikisht në cilat studime bazoheni kur pohoni diçka të tillë?

Të dhëna ka nga mjaft studiues e etnomuzikologë  ndër të cilët mund të përmend Ramadan Sokolin, Pirro Mison etj. Unë vetë e kam prekur argumentin në shkrimet e mia. Të gjitha këto studime thonë të njëjtën gjë, se gjurmët e para të lahutës hasen në Shqipëri. Mirëpo ka shumë rëndësi të theksohet fakti se format afërsisht janë të njëjta me ato të një instrumenti të ngjashëm që shfaqet në Kinë dhe Indi, e megjithatë përmasat dhe stili janë krejtësisht të ndryshme.

Nëse është kështu, sipas jush pse ishte gusla serbe ajo që u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit?

Më vjen keq, por më duhet të them të vërtetën. Regjistrimi i lahutës serbe në UNESCO, nuk vjen si pasojë e studimeve, por e interesit shtetëror të këtij vendi. Në Shqipëri shteti ynë ka humbur kohë, i ka neglizhuar procedurat. Madje mund të pohoj se prej vitesh Qeveria ka neglizhuar pasurinë jomateriale, folkun. Unë vet kam një muze të cilin faktikisht shteti nuk e ka, muzeun më të madh në Ballkan. Kjo nuk është diçka e parëndësishme, sepse bëhet fjalë për origjinën, genin, kulturën, pasaportën tonë ndërkombëtare. Politika në vendin tonë nuk e ka menaxhuar si duhet artin dhe kulturën. Studimet thonë se gjuha jonë është ndër më të lashtat, çka na bën të renditemi krahas shteteve të tjera si Armenia e Greqia. Dhe kjo përbën një tjetër avantazh për ne kundrejt  Serbisë. Pasi një popull me një vjetërsi kaq të madhe kuptohet që ka komunikuar, ka pasur kulturën dhe instrumentet e vet më herët se vende të tjera. E theksoj se lahuta është e shqiptarëve, është ikona dhe modeli i popullit shqiptar, serbët e kanë marrë këtë kulturë nga ne. Format e para të lahutës unë i kam parë edhe të gdhendura në skulpturë, literatura e vjetër po ashtu e vërteton këtë fakt.

Ju në muzeun tuaj keni një larmishmëri veglash muzikore, mes të cilave edhe një lahutë 270 vjeçare. A ka pasur interesim nga ana e shtetit?

Asnjë lloj interesimi! Unë kam një muze shumë të pasur, ku përfshihen të gjitha familjet e veglave muzikore të ndara sipas grupeve si membranofoni, kordofoni, aerofoni etj. Ky koleksion vjen pas një pune kërkimore dhe studimore 40-vjeçare në zona të ndryshme të vendit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mal të Zi apo Kosovë. Në të gjitha vendet që unë kam prezantuar muzeun tim kam hasur entuziazmin e të huajve kundrejt kulturës sonë, ndërkohë më duhet të pohoj se janë gati më shumë se 98% e shqiptarëve që nuk njohin instrumentet tradicionalë. Si mund të ndodh diçka e tillë? Kjo është kultura jonë dhe nuk mund të fshihet. Folklorin fëmijët duhet ta mësojnë në shkollë, duhet t’u ofrohen materiale. Në muzeun tim vijnë vizitorë dhe personalitete botërore nga Australia, Kanadaja, Kina, Japonia etj. Mirëpo shqiptarët nuk shfaqin interes. I kujt është faji?! Sigurisht që i politikave kulturore. Unë sot po ngre zërin, sepse nuk dua që trashëgimia jonë të ngujohet, të burgoset në një muze. Bota as sot, as nesër nuk do të pyes se sa pallate janë bërë në Shqipëri, por ku është kultura e këtij vendi. Këtu pra është dallimi, dhe qe pikërisht interesimi i shtetit të tyre që favorizoi serbët.

Deklarata e UNESCOS:

Ne përgëzojmë Serbinë për regjistrimin e nominimit për të kënduar në shoqërimin e guslës, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Ne e konsiderojmë të rëndësishme të theksojmë se praktika kulturore, të kënduarit në shoqërimin e guslës, është historikisht e pranishme dhe është një praktikë e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore. Është në fakt një nga ato raste kur propozimi shumëkombësh do të pasohej në mënyrë të përkryer. Ka informacione të shumta, të njohura, dokumente solide dhe dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë se të kënduarit me shoqërimin e guslës është një praktikë e lashtë kulturore, e praktikuar gjatë shekujve edhe e pranishme edhe sot e kësaj dite në disa vende të tjera. Shqipëria, ku instrumenti quhet lahutë, Bosnje Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi, ku gusla konsiderohet edhe si një instrument kombëtar. Ne kemi bindjen se siç dëgjuam edhe nga përfaqësuesi i Serbisë, ky nominim mbetet i hapur për një propozim të ardhshëm shumëkombësh me pjesëmarrjen e shteteve palë që dëshirojnë ta bëjnë këtë dhe që po punojnë për këtë çështje.

“Shteti të ndërgjegjësohet,122 instrumente rrinë të burgosura”

Ju vetë çfarë do të sugjeronit të bëhej për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale?

Nëqoftëse janë 5 veta në Shqipëri që interesohen për trashëgiminë, mendoj që të paktën të dhjetëfishohen. Mos të fshihet kultura shqiptare, mos të jetë e ngujuar! Të ekspozohet në një vend që të mësohet nga nipërit e mbesat tona, të programohet në shkolla. Për shembull, bashkia e Tiranës ka një muze, i cili është me tre instrumente dhe një kostum, në një sipërfaqe jo më të vogël se 40 m2, ndërkohë që 122 instrumente të tjerë rrinë të mbyllur, të burgosur. Ato duhet të jenë pjesë e këtij muzeu. Unë kam punuar 40 vite për t’i koleksionuar dhe mirëmbajtur ato instrumente, janë gjithashtu 40 vite shpenzime. Sot vijnë personalitete të rëndësishëm botërorë për t’i parë nga afër, dhe për ta përçuar kulturën e popullit tonë, ndaj duhet të ekspozohen.

Po përfaqësues të shtetit shqiptar a kanë ardhur ndonjëherë për t’u njohur nga afër me këtë pjesë të trashëgimisë sonë?

As që duan t’ia dinë! Nuk është mirë ta pohoj diçka të tillë, mirëpo e vërteta është se ata flenë si engjëj në darkë, e ditën janë si shejtan për kulturën. Unë kam përfaqësuar kulturën shqiptare në të gjithë botën, mirëpo më duhet të them se më tepër u intereson austriakëve, francezëve, skocezëve e kinezëve, sesa u intereson shtetarëve tanë. Ky është fakt! Trashëgimia, modeli shqiptar po lihet të humbasë trajtën, formën, genin, gjithçka… Kjo është fatkeqësi!

Çfarë humbet vendi ynë me këtë “braktisje” të trashëgimisë jomateriale dhe transformimin e saj?

Humbet të vërtetën, veten , kulturën. Për këtë unë kam 40 vjet që investoj për ruajtjen e këtyre instrumenteve. Mirëpo ato nuk kanë as dritën e duhur, ndaj duhet të jenë diku, që njerëzit të kenë mundësi t’i shikojnë e të thonë: “Këto jemi ne! Kjo është kultura jonë!”. Pikërisht për këto Ministria e Kulturës duhet të ndërgjegjësohet dhe të jetë mirënjohëse për kontributin që unë kam dhënë për trashëgiminë, jo vetëm duke i koleksionuar e ruajtur këto instrumente, por edhe për mirëmbajtjen e bërë që kërkon vazhdimisht shpenzime. Mirëpo ndodh që shteti do t’i fsheh! Por kështu fshehin veten, të vërtetën. Vlerat humbasin. Unë nuk jam një person që jam i përjetshëm, ato ngelen nëse shteti ndërgjegjësohet. Unë pres që dikush të zgjohet dhe të thotë: Nga 10 mijë kafe që janë në Tiranë le ta bëjmë një ambient muze. Unë jam rrogëtar, jam punonjës i shtetit në Akademinë e Arteve dhe kam edhe një studio që kompozoj prej një jete. Mirëpo asnjëherë nuk më zë gjumi rehat pa ekspozuar kulturën e këtij vendi, një kulturë të fshehur, të humbur… Kulturë në fund të humnerës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet