Ja përse rënkojnë makinat tona

Nga Novruz Limaj

Pothuajse të gjithë përdoruesit e makinave të vogla ankohen për performancën e dobët të motorit të makinave të tyre. I kemi dëgjuar edhe në televizione të ndryshëm të mallkojnë karburantin tonë kur e krahasojnë me atë në Maqedoni, Mal të Zi e kudo në Ballkan dhe Europë, ku makinat e tyre „fluturojnë“ sapo ngarkohen me karburantin e tyre.. Këtu-thonë ata-mirë që na u shkatërruan makinat dhe xhepi, por nuk e dimë pse ndodh kjo gjë vetëm në vëndin tonë!. Përse pra rënkojnë makinat tona? Pa tjetër nga cilësia e keqe e karburantit në vendin tonë, ky është shkaku bazë. Kjo është e vërteta, por nëse hyjmë në detaje për të përcaktuar diagnozën, pyesim: cili tregues, cili parametër i cilësisë së këtij „gjaku“ jetësor për motorin e makinave është i prishur, është i keq tek ne, që bën këtë hata me makinat tona?… Disa thonë përmbajtja më e lartë e squfurit në karburantin diesel që konstatohet nga analizat laboratorike të inspektoratit!

Disa të tjerë thonë vlera më e ulët e pikës së flakërimit të këtij karburanti nga 550 c në 500 c e më poshtë! Sepse, në fund të fundit –logjikojnë ata – këta janë e kanë qenë dy treguesit e “zinj”, të evidentuar më gjerësisht në thyerje të kufijve të standardit të cilësisë së gazoilit diesel në tregun tonë. Si rrjedhim këta qenkan edhe shkaktarët për punën e keqe të motorit tek ne!! Po mirë, tejkalimi i përmbajtjes së squfurit nga 10 mgr/kg (pjesë për milionë) që e ka standardi në 15, 20, bile 50 ppm janë shkaku i punës së keqe të motorit dhe të makinës? Nëse do flisnim për ndotjen e mjedisit dhe ngrohjen globale, që është shqetësim mbarëbotëror, po, është e vërtetë që përmbajtja e squfurit është treguesi kryesor, për të cilin janë përcaktuar limite kombëtare e ndërkombëtare, maksimumi 10 ppm, e për të cilën duhet të ndëshkohet çdo subject tregtimi karburantesh që e tejkalon atë.

Kjo nuk diskutohet dhe nuk duhet të tolerohet, prandaj duhet të konsiderohet korrekte praktika e gjobitjes të dhjetra subjekteve të kaburantit nga institucioni i inspektimit për shkelje të tilla. Por kur flasim për perfomancën e motorit dhe të makinës, për të cilën janë të shqetësuar përdoruesit e tyre, është tjetër gjë, tjetër fushë. Në këtë aspekt, është e kundërta. Sepse squfuri përvec se është lubrifikues për guarnicionet dhe pjesët e motorit, ai gjithashtu rrit afësite natyrale të karburantit për të mos u degraduar. Pra nuk është squfuri shkaku i punës së keqe të motorit, kur flasim për tejkalime të kufizuara: +5, +10 ose +40 mgr squfur në rreth 1 milion mgr lëng karburant. Ndërsa pika e flakërimit në vetvete nuk ka lidhje me punën e motorit, ai është një tregues i rëndësishëm sinjifikativ që në rast rënie, tërheq vëmendjen në dy fusha: që siguria ndaj zjarrit e karburantit është zvogëluar dhe që karburanti është përzier me produkte të tjerë.

Po kush është atëhere shkaku? Shkaku është prishja e strukturës së karburantit fillestar dhe degradimi i heshtur i cilësisë së tij në zinxhirin e gjatë të transportit dhe të stokimeve, nga tre faktorë: i. Përzierjet e karburantit diesel me produkte të tjerë, ii. Oksidimi i karburantit gjatë kohës dhe iii. Kontaminimi bakterial i karburantit nga mikrobet, kërpudhat, myku etj, të tre, faktorët kyç që përcaktojnë fatin e përformancës së motorit të makinave tona. Faktori i parë bëhet për qëllim fitimi, por unë dua të nënvizoj që edhe perzierjet e dy karburanteve diesel te rafinuar nga dy nafta bruto të ndryshme, sjellin degardim të karburantit në kohë!! Meqënëse përzierjet e karburantit njihen deri diku mirë në vendin tonë, unë dua të flas për faktorin e tretë dhe të dytë, të panjohur e të patrajtuar deri tani, por që ekzistojnë dhe ecin bashkë në procesin e degradimit të karburantit.

Ju pyes: A keni bllokim filtri të motorit dhe nevojë për ndërrim shumë më të shpeshtë të tyre? Apo për pastrim dhe zëvendësim më të shpesht të injektorëve të karburantit? Apo raste që motori nuk merr rrotullimet e plota ose fiket menjëherë? Shkaku është ndotja dhe pllakosja e karburantit nga mikrobet, kërpudhat e myku që bllokojnë filtrin e karburantit. A keni konsumim të parakohshëm të unazave dhe linjave të cilindrit të motorrit? Apo shfryrje të tepruar e rritje të konsumit të vajit? Përsëri janë mikrobet që prodhojnë nënprodukte acidikë që rrisin korozionin, si edhe fundërrira (depozitime) që japin gërryerje në këto pjesë të motorit. A keni rritje të konsumit të karburantit? Apo keni tym të zi në skapamento? Atëhere shkaku është paaftësia e motorit për të djegur plotësisht karburantin e infektuar si edhe të degraduar nga mikrobet.

A shikoni ndryshim ngjyre të karburantit, nga jeshile e verdhë e ndritshme siç e ka dieseli i freskët, në kaki të zezë? Apo ndieni erë të keqe karburanti? Atëhere karburanti është infektuar, është prishur, është degraduar në rezervuar nga mikrobet dhe nënproduktet e acidit sulfurik e sedimenteve krijuar prej tyre. Nuk është as përrallë as fantazi. Prandaj mos u çuditni dhe mos „hapni sytë “ as ju përdoruesit e makinave që e njihni mirë motorrin, as ju të tjerët që dini mirë vetëm ta ngisni atë….mos „qeshni“ as ju gjoja ‚profesionistë “ karburanti që nuk keni lexuar një libër teknik të fushës dhe këtë teori të sotme të ndotjes së karburantit e quani utopi dhe ëndrra nate.

I caktuar si ekspert nga gjykata për të spjeguar shkeljet e standardit për % e squfurit dhe të pikës së flakërimit të karb diesel ose biodiesel në disa subjekte, por edhe të ndryshimit të dukshëm te rezultateve laboratorike për kohë të gjatë stokimi, për muaj e muaj të tërë më është dashur të kërkoj, të gjej, të lexoj e selektoj me vëmendje të veçantë një literaturë të gjerë (duke përfshirë manuale teknike dhe standarde të pergatitur nga isntitucionet më prestigjoze ndërkombetare në këtë fushë), ku shpjegohet teoria e ndotjes dhe e degradimit të karburanteve nga mikrobet, degradim pothuaj objektiv që ndodh në kohë dhe në disa kushte të caktuara që janë tipike në vendin tonë. Po mundohem ta bëj sa më të thjeshtë e të qartë këtë problem serioz. Karburanti del i pastër nga burimi i prodhimit të tij, rafineria. Këtu kemi parasysh rafineritë që prodhojnë gasoil diesel sipas standardit aktual, ku normalisht duhet të furnizohen shoqëritë tona të importit.

Sapo ai del prej saj dhe merr rrugën, disa herë shumë të gjatë për të vajtur tek makina jonë, cilësia dhe pastërtia e tij është gjithmonë e rrezikuar nga fenomenet e kontaminimit dhe të degdradimit nga 6 faktorë: ajri, uji, drita, temperatura, mikrobet dhe disa tipe metalesh (sikurse janë bakri dhe bronzi që kultivojnë edhe mikrobet edhe oksidimin e karburantit, veçanërisht në atë biodiesel). Ajri është faktori që sjell dy rreziqe për karburantin: ujin në rezervuar dhe oksigjenin. Vetë uji është faktori numër një për kontaminimin dhe pllakosjen mikrobiale në karburantin, të cilat në vetvete shkatërrojnë cilësinë e karburantit, bile më shpejt se nga çdo faktor tjetër. Drita dhe nxehtësia, kur ndodhin, japin disa tipe reaksionesh kimikë të këqia për cilësinë e karb, ndërkohë që temp akseleron edhe faktorët e pllakosjes së shpejt të mikrobeve dhe degradimit të karb. Oksigjeni i ajrit dhe i ujit është elementi esencial për reaksionet kimik të oksidimit të karb.

Kur kontaminimi bakterial dhe oksidimi i karb lejohet të ndodhin, degradimi i karb ndodh më shpejt dhe është më i papërmbajtur. Prej këtyre faktorëve, drita, temp dhe elementët metalik mund të mënjanohen normal (me element të tjerë jo problematik me cilësinë e karb), ndërsa tre të tjerët zhvillohen jasht dëshirës tonë, sidomos në rezervuarët mbi tokësor, që kanë më shumë probleme të tilla se sa ata nëntokësor. Prej tyre, Uji është elementi më i vështirë për tu kontrolluar dhe i pamundur për tu evituar e për ta ndalur. Të gjithë rezervurët e çdo lloj karburanti ventilohen me ajrin e jashtëm duke sjellë brenda ujë nëpërmjet kondesimit. Po kështu edhe ajri. Po mikrobet?

Mikrobet, bakteriet dhe kërpudhat gjenden në natyrë dhe vijnë brenda në rezervuar përmes ventilave të ajrit të tij ose nga karburanti që është lëvruar në rezervuar. Që të jetojnë e të shumohen, ato kanë nevojë për ushqim dhe uj. Të parën e sigurojnë nga vetë karburanti (diesel ose biodiesel), të cilin e kanë burim ushqimi, ndërsa të dytën, pra ujin, e kanë brenda në rezervuar. Duhet të dihet që një pikë uj është një liqen për mikrobet.

Mikrobet jetojnë dhe shumohen brenda tankut në sipërfaqen ndarëse midis karburantit dhe ujit të lirë që ka dekantuar në fund të rezervuarit, që është vendi ideal për të jetuar e shumuar si koloni e madhe. Temp e ngrohtë e shton shumë këtë fenomen. Me kohë kolonia mikrobiale shumohet tej kontrollit dhe çon në bllokim e mbathje të filtrit, ndërkohë që ato vet sekretojnë (prodhojnë) produkte acide e llum në karburant, që korrodojnë rezervuarët e pjesët e motorit e bllokojnë filtrat e naftës, shkatojnë ndryshk të rezervuarëve diesel dhe dëmtim të komponentëve të sistemit të karburantit dhe ai degradon në pikën që mund të bëhet i papërdorshëm.

Ky proces ndodh në çdo rezervuar të stokimit e paisje nafte që qëndron pa punë për kohë të gjatë. Karburanti i ndenjur është veçanërisht në rrezik. Të gjallë ose të vdekur mikrobet do të bllokojnë filtrat dhe dëmtojnë sistemin e karburantit. Nga disa vlerësime, një koloni mikrobiale mund të konsumojë deri 1 % të investimit të karburantit e ndërkohë që shkatërron pjesën e mbetur të tij. Pra uji i lirë është ndotësi i vetëm më desktruktiv në çdo sistem karburanti dhe ndotja mikrobiale është thjesht produkt i tij. Sidomos në vendin tonë me lagështi të lartë ku uji është një problem i vazhdueshëm. Problemet mikrobiale janë shumë më të mprehta në karburantin Biodiesel dhe varen nga koha e stokimit.

Karburanti diesel i sotëm ka një afat jete stokimi shumë më të ulët se sa diesel tradicional me squfur të lartë që përdorej para 15-20 vitesh, jeta e të cilit ishte 1.5 deri 2 vjet (e fiksuar edhe në standardin e specifikimeve dhe manualet teknike të tij). Tani ruajtja e integritetit të karburantit sigurohet brenda 14-28 ditëve nga data e prodhimit dhe kur koha e stokimit e tejkalon këtë afat ai fillon procesin e degradimit nga mikrobet dhe oksidimi, proces i cili mund të zgjas nga 3 deri 6 muaj. Përse kështu? Sepse karburanti diesel me përmbajtje shumë të ulët squfuri (10 pm) ka më pak aftësi natyrale për tu rezistuar bakterive dhe kërpudhave që rriten në të, si edhe ka më shumë komponentë të paqendrueshëm që janë më të ndjeshëm nga problemet mikrobiale.

Mendoni atëhere çfarë mund të ndodhë me karburantin tonë që vjen i gjithë nga jashtë… Dihet që importuesit e shoqërojnë mallin me certifikatë cilësie, por kush e provon dhe garanton që ajo është ngarkuar në burim, në rafineri, e nuk është marrë nga stokimet në ruajtje afatgjatë, të cilat mund të jenë me çmime të ulta, por mund të kenë pësuar fenomenet e degradimit?! Ndërkohë për karburantin biodiesel që sigurohet nga përzierja e gazoilit diesel të importuar me produktin bio që merret nga jashtë, pyetja është: Sa e certifikuar është kjo perzierje me cfarë teknollogjie e automatizuar apo thjesht manuale? A parandaloen rreziqet mikrobiale? Kush e teston dhe e certifikon produktin final para se të dal në treg etj.

Çfarë duhet bërë për ta zgjidhur sëmundjen mikrobiale në gazoilin diesel dhe biodiesel? Ekziston një protokoll teknik veprimi standard për trajtimin dhe monitorimin e kësaj sëmundje në botë. Së pari duhet të bëhen analizat e pranisë së ujit dhe i pranisë së organizmave mikrobiale në fund të çdo rezervuari, për të cilat ekzistojnë metoda standard të marrjes së mostrës përfaqësuese dhe të testimit laboratorik, të miratuara ndërkombëtarisht. A është bërë ndonjëherë- do të pyetej- ky diagnostikim në vendin tonë në mijëra e mijëra rezervuarë karburanti të shpërndarë në të gjithë teritorin e vendit? Asnjëherë, në asnjë prej tyre, për 27 vjet rresht…

Nëse nga testimi konstatohet uj në fund të rezervuarit, duhet të bëhet heqia e tij, nëpërmjet dy veprimeve: përdorimin e kimikateve që bëjnë lidhjen e ujit në karburant e që digjen bashkë pa problem dhe e dyta, nxjerrjen e ujit e ndotësve të tjerë fundorë  jashtë rezervuarit, nëpërmjet pastrimit mekanik të tij kur sasia e ujit është më e madhe se 25 mm trashësi uji. Përsëri pyetet: A është përdorur ndonjëherë në vendin tonë kjo praktikë trajtimi e veçantë që siguron pastërtinë e rezervuarit, e si rrjedhim cilësinë e karburantit?

A zbatohen këto norma dhe standarde të ruajtjes së cilësisë sidomos nga shoqëritë sh.a.? A mund të provojë ndonjë prej tyre procese pastrimi të rezervuarëve të vet? Asnjë prej tyre, asnjëherë për 27 vjet rresht… Përse kështu? Sepse nuk e njohin problemin ose e injorojnë atë, mbasi nuk kanë asnjë personel për këtë shërbim kaq të rëndësishëm për integritetin dhe ruajtjen e cilësisë, rrallë mund të kenë të punësuar ndonjë person të ngarkuar për mbrojtjen nga zjarri dhe për shitjen, por jo për kushtet e ruajtjes së cilësisë…. lëre pastaj stacionet e karburatit që as u vete në mendje për një gjë të tillë!…. Mendoni tani çfarë ndotje masive mikrobiale e të tjera mbeturina ndotëse kanë rezervuarët tek ne, nga ku ngarkohen makinat tona!!……

Nëse konstatohet koloni bakteriale në fund të rezervuarit, atëhere duhet të përdoret një kimikat shumë i fuqishëm (biocide fuel) që i heq qafe të gjithë mikrobet e gjallë në tanke dhe në karburant, i vetmi trajtim që me të vërtetë e zgjidh problemin mikrobial brenda një kohe shumë të shkurtër. Për të parandaluar rikthimin e tyre në tank dhe zhvillimin e problemeve mikrobiale shoqëruese në të ardhmen, duhet të mbahet nën kontroll formimi i ujit dhe trajtimi periodik i karburantit me biocide dhe stabilizues që parandalojnë plakjen e karburantit duke ruajtur cilësinë e performancën e djegjes. Furnizuesit korrektë të karburantit në botë harxhojnë shumë kohë dhe fonde financiare çdo vit për ta mbajtur larg problemin e ndotjes bakteriale. Dhe mbajnë rekorde rregjistrimi të kësaj veprimtarie. Përse? Sepse atje tregtarët e dinë që do të përballen me dy pasoja të rënda: së pari humbasin konsumatorin që i con në falimentim dhe e dyta do të ndeshkohen rëndë nga institucionet shtetërore kur e zbulojnë këtë fakt. Në vendin tone ka „imunitet“ edhe nga uji e ndotësit e shumtë edhe nga kontrollet shtetrore, që deri tani nuk kanë „egzistuar“, sepse fatkeqësisht nuk është konceptuar e përfshirë në kuadrin ligjor në fuqi, si detyrë funksionale e tyre.

Zgjidhja? Ministria me institucionet e vartësisë duhet të hartojnë dhe nxjerrin manuale teknike për kontrollin, monitorimin dhe mirëmbajtjen e karburanteve në kushtet e stokimit, të zyrtarizohen aktet nënligjorë e praktikat e duhura të monitorimit dhe të certifikimit të perzierjes dhe produktit final biodiesel para hyrjes në treg, si edhe që sha të kenë manaxher cilësie të certifikuar e të trajnuar me njohuri të kohës në këtë fushë. Të gjithë rezervuaret e karburanteve, të mëdhenj apo të vegjël, mbi apo nën tokë, duke përfshirë stacionet e karburantit duhet t’i nënshtrohen programeve të monitorimit të cilësisë,  parandalimit të rritjes mikrobiale të karb dhe pastrimit të rezervuarëve, të monitoruara rreptësisht nga inspektorati në të gjithë vendin. Eshtë e domosdoshme. Bëjeni dhe do shikoni që as makinat tona nuk do rënkojnë e as shoferët tanë nuk do të ankohen për performancë të keqe të motorit, siç kanë provuar në Maqedoni e vende të tjera ballkanike e të Europës.

*Autori është inxhinier nafte

Të tjera

Dinamikat e punësimit

Nga Marsida Simo Punësimi është një çështje shumë e diskutuar prej kohësh, dhe sigurisht që do të ketë gjithmonë rëndësi…

Abissnet